Degët e ndryshme të besimit

October 16, 2023

Degët e ndryshme të besimit

I dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: ‘Besimi është gjashtëdhjetë e disa degë. Më e mira ndër to është fjala: la ilahe il-la Allah (nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush tjetër përveç Allahut), dhe më e pakta ndër to është largimi i pengesës prej rrugës.’

Hadithin e transmeton imam Muslimi.

Dijetari i madh Ibn Haxher el-Eskalani (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij ‘el-Fet’h’ ka përmendur në mënyrë të përmbledhur atë që ka thënë Ibn Hibani (Allahu e mëshiroftë) ku ka thënë: Këto degë të besimit janë pjesë që dalin nga veprat e zemrës, veprat e gjuhës si dhe veprat e gjymtyrëve:

1- Veprat e zemrës përfshijnë besimet dhe qëllimet dhe ato janë njëzet e katër degë: besimi në Allahun që përfshinë besimin në qënien e Tij, cilësitë dhe njehsimin e Tij se Ai [Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.] surja: esh-Shuara: 11.

Besimi se çdo gjë përveç Tij është e krijuar. Besimi në melaiket e Tij, librat dhe të dërguarit e Tij. Besimi në caktimin e Tij, qoftë i mirë po i keq. Besimi në ditën e fundit dhe në të përfshihet besimi në pyetjet e varrit, kënaqësinë dhe dënimin në të, ringjallja dhe grumbullimi, llogaritja, peshorja, ura e siratit, xheneti dhe zjarri.

Përfshinë dashurinë ndaj Allahut, si dhe dashurinë dhe urrejtjen për hir të Tij. Dashurinë për pejgamberin (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) si dhe besimin për nderimin e tij e cila përfshinë: dërgimi i salavateve, pasimi i udhëzimit të tij.

Gjithashtu përfshinë sinqeritetin që nënkupton: largimin nga syefaqësia dhe hipokrizia, pendimi dhe frika (prej dënimit të Allahut), shpresa (në mëshirën e Allahut), falënderimi dhe bindja, durimi dhe të ndjehesh i kënaqur me caktimin e Tij, mbështetja tek Allahu, mëshira dhe modestia e cila përfshinë: vlersimin ndaj të madhit, mëshirën ndaj të voglit, largimin nga mendjemadhësia dhe vetëpëlqimi, largimin nga zilia, urrejtja dhe zemërimi.

2- Veprat e gjuhës të cilat përfshijnë shtatë degë:

Shprehja e njehsimit (teuhidit) me dëshminë: la ilahe il-la Allah (nuk e meriton adhurimin askush tjetër me të drejtë përveç Allahut), leximin e Kuranit, mësimin e diturisë dhe mësimin e saj të tjerëve, lutja, përmendja e Allahut ku në të përfshihet edhe kërkimi i faljes, madhërimi i Allahut . . . . si dhe largimi nga fjalët e padobishme.

3- Veprat e gjymtyrëve dhe në të përfshihen tidhjetë e tetë degë:

a- prej tyre çka të bëj me gjërat konkrete dhe ato janë pesëmbëdhjetë: pastrimi fizikisht dhe shpirtërisht dhe në të përfshihet: dhënia e ushqimit, respektimi i mikut, agjërimi obligativ dhe vullnetar, qëndrimin në xhami për adhurim (i’tikafi), kërkimi i natës së Kadrit, haxhi dhe umra, tavafi gjithashtu. Ruajtja e fesë dhe në të hyn: emigrimi prej vendit të mosbesimit e idhujtarisë në vendin e besimit. Përmbushja e zotimit, kujdesja që betimi mos të jetë vetëm se në Allahun duke qenë i sinqertë dhe atëherë kur është nevoja për tu betuar. Kryerja e shpagimeve (si për shembull: shpagimi i betimit, shpagimi i kryerjes së marrdhënieneve intime gjatë ditës në muajin e Ramazanit).

b- prej tyre çka kanë të bëjnë me pasuesit dhe ato përfshihen në gjashtë degë: ruajtja e nderit duke u martuar dhe duke kryer obligimet ndaj familjes, respektimi i prindërve dhe në të përfshihet largimi dhe distancomi nga gjërat që cënojnë respektimin e tyre si dhe përkujdesja për edukimin e fëmijëve, mbajtja e lidhjeve farefisnore, bindja ndaj udhëheqësve (nëse nuk cënojnë kufijtë e Allahut) si dhe mëshira ndaj vartësve (skllevërve).

c- prej tyre çka ka të bëj me njerëzit në përgjithësi dhe ato janë shtatëmbëdhjetë degë që janë: udhëheqja me drejtësi, pasimi i xhematit, bindja ndaj të parit , pajtimi mes njerëzve dhe këtu përfshihet edhe lufta kundër havarixhëve dhe zullumqarëve, bashkëpunimi në mirësi dhe devotshmëri dhe në të përfshihet urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, vendosja e ligjeve, lufta në rrugën e Allahut dhe përfshinë në të: gadishmëria dhe përgatitja ushtarake, mbajtja e premtimit, dhënia e një të pesës e plaçkës që fitohet në luftë, dhënia e borxhit dhe shlyerja e tij, mirësjellja ndaj komshiut, mirësia në marrëdhëniet e ndërsjellta dhe kjo përfshinë edhe grumbullimin e pasurisë prej hallallit, po ashtu shpenzimi i saj aty ku e meriton, kjo përfshinë largimin nga shpërdorimi i pasurisë, kthimi i selamit, bërja dua për atë që teshtinë, mos bërja keq njerëzve, largimi nga e kota si dhe largimi i pengesës nga rruga.

Hadithi që përmendëm më parë tregon se teuhidi (njehsimi i Allahut), fjala: la ilahe il-la Allah (nuk e meriton adhurimin askush tjetër me të drejtë përveç Allahut), është grada më e lartë e besimit dhe grada më e mirë. Ndaj duhet që thirrësit ta fillojnë thirrjen e tyre prej nga më e mira tek më pak e mira. Të fillojnë me themelin përpara se të ndërtojnë. Të fillojmë me më të rëndësishe pastaj me gjërat e rëndësishme. Sepse teuhidi (njehsimi i Allahut) është ai që e bashkoi umetin, arabët dhe jo arabët në Islam si dhe ndërtoi me ta shtetin e muslimanëve, shtetin e teuhidit.

“Rruga e grupit të shpëtuar” Xhemil Zejno

Përktheu: Ylli Rama

 

 

Dosje: ,

Loading...