Shejh Abdulaziz bin Abdilah bin Baz Allahu e meshirofte.
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve, e ardhmja u takon njerëzve të devotshëm, ndërsa përshëndetjet dhe nderimet ia dërgojmë të dërguarit të tij, njeriut më të zgjedhur dhe besnikut që kumtoi shpalljen, profetit, imamit dhe zotërisë tonë Muhamedit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të), familjes së tij dhe gjithë atyre që ndjekin udhëzimin e tij deri në ditën e gjykimit.
Falënderoj Allahun e Madhëruar, i Cili na begatoi me këtë takim në këtë muaj të begatë me vëllezërit e mi të ndershëm që i dua për hirë të Allahut, dhe me bijtë e mi të shtrenjtë, për tu këshilluar për të vërtetën e për tu udhëzuar drejt të vërtetës. E lus Allahun që ta bëjë këtë takim të begatë, ti përmirësojë zemrat dhe punët tona, të na ruajë nga veset e shpirtrave dhe punëve tona të këqia. Gjithashtu, e lusim Atë të ndihmojë fenë dhe të lartësojë fjalën e Tij, ti japë sukses shtetit tonë në gjërat që Ai i pëlqen dhe që janë në të mirë të robërve, në të njëjtën kohë i kërkojmë Atij që tu japë sukses të gjithë udhëheqësve muslimanë kudo që janë, në gjërat që përmirësojnë robërit dhe shtetin në përqëndrim të palëkundur në sheriatin e Allahut, i cili ngjason me anijen e Nuhut. Ai që udhëzohet drejt saj, shpëton, ndërsa ai që distancohet prej saj, shkatërrohet.
Pas kësaj hyrje që bëra, falënderoj organizuesit e këtij takimi, dekanatin e kësaj shkolle të cilët më ftuan në këtë takim, duke e lutur Allahun që ti begatojë përpjekjet e tyre, ti ndihmojë në çdo punë të mirë e tu bëjë dobi me ta njerëzve. Vërtet, Allahu është më i miri që mund ti lutemi.
O ju vëllezër që u dua për hir të Allahut! Bijë të ndershëm! Pak më parë e dëgjuat titullin e kësaj ligjërate që ka të bëjë me devotshmërinë dhe mënyrat e forcimit të saj.
Këtë titull zgjodhi universiteti, ose më saktë dekanati i kësaj shkolle, e unë e pranova një gjë të tillë për vetë faktin se kjo është një temë madhështore, e cila meriton që ti kushtojmë rëndësi dhe të meditojmë në të, pa harruar dhe praktikimin e asaj që na kërkohet.
Devotshmëria o vëllezër është vetë feja e Allahut të Madhëruar, është një fjalë përmbledhëse që përmban gjithë të mirat.
Devotshmëria është; besimi, udhëzimi, islami, bamirësia, dobia dhe përmirësimi.
Feja e Allahut u quajt devotshmëri, sepse ai që udhëzohet dhe përqëndrohet në këtë fe, ruhet nga dënimi dhe zemërimi i Allahut si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër.
Devotshmëria është mjeti më i përshtatshëm për të fituar çdo të mirë në këtë botë dhe në botën tjetër, në të njëjtën kohë është mjeti që të largon nga çdo e keqe në këtë botë dhe në botën tjetër.
Prandaj, Allahu shpesh herë e përmend atë në librin e Tij famëlartë, gjithashtu edhe Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) në hadithet e tij.
Tek ajetet që përmendin devotshmërinë, janë edhe fjalët e Allahut në fillim të sures Nisa, ku thotë: “O ju njerëz, të jeni të devotshëm ndaj Zotit tuaj i Cili u krijoi nga një vete…”
Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar i urdhëron të gjithë njerëzit që ti frikësohen Atij, ashtu siç është shprehur në suren Bekare, ku thotë: “O ju njërëz, adhurojeni Zotin tuaj”. Ai i urdhëron njerëzit që ta adhurojnë Atë, në të njëjtën kohë u kërkon që ti frikësohen Atij, sepse devotshmëria është adhurim ndaj Allahut ashtu siç është adhurimi devotshmëri.
Devotshmëria është bindja ndaj Allahut të Madhëruar dhe Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të), duke ia kushtuar adhurimin me sinqeritet vetëm Allahut dhe askujt tjetër përveç Tij, duke praktikuar urdhërat e duke lënë të ndaluarat, d.m.th. duke qëndruar në kufijtë që ka caktuar Allahu.
Ky pra është adhurimi ndaj Allahut dhe devotshmëria ndaj Tij, ky është besimi ku të gjitha së bashku do të thonë; islam, bamirësi, udhëzim dhe përmirësim.
Ai që i frikësohet Allahut është ai që e adhuron dhe e njëson Atë, është ai që përqëndrohet në rrugën e Tij, është besimtari musliman, është bamirësi, ndërsa i udhëzuari është njeriu i mirë.
Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “O ju njerëz, frikësojuni Allahut se me të vërtetë dridhja pranë katastrofës së kijametit është një llahtari e madhe.”
Në një ajet tjetër, thotë: “O ju njerëz, bëhuni të devotshëm ndaj Allahut dhe frikësojuni asaj dite kur prindi nuk mund ti bëjë dobi fëmijës së tij, e as fëmija nuk mund ti bëjë dobi asnjë send prindit të tij.”
Gjithashtu thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne u krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise në mënyrë që të njiheni mes vete, e ska dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që është më i devotshmi.”
Në një ajet tjetër, përsëri thotë: “O ju njerëz, kujtoni begatitë që u dhuroi Allahu. A ka ndonjë që u furnizon nga qielli përpos Allahut?”
Gjithashtu thotë: “Përgatituni me furnizim, e furnizimi më i mirë është devotshmëria.”
Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar na tregoi se përgatitja më e mirë është devotshmëria, sepse furnizimi më i mirë me të cilin njeriu takon Allahun dhe bashkëpunon me Të në këtë botë, është devotshmëria.
D.m.th. është përgatitja më e madhe dhe më e dobishme, për shkak se devotshmëri do të thotë bindje ndaj Allahut dhe Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të), sinqeriteti dhe vërtetësia në punë duke iu përmbajtur kufijve që ka vënë Allahu e duke iu larguar gjërave që Ai ka ndaluar, me shpresë në shpërblimin e Tij dhe me frikë nga ndëshkimi i Tij.
Pra, kështu realizohet devotshmëria (frikë-respekti).
Takua vjen nga fjala arabe uikaje, që do të thotë “pengesë”, sepse njeriu duke adhuruar Zotin e duke praktikuar urdhërat e Tij, duke qëndruar në kufijtë që Ai ka vënë, të gjitha këto bëhen pengesë që ta ruajnë këtë njeri nga dënimi dhe zemërimi i Allahut të Madhëruar, si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër.
Për shkak të devotshmërisë, Allahu ka përgatitur çdo të mirë në këtë botë dhe në botën tjetër.
Në një ajet, Allahu i Madhëruar thotë: “E kush i frikësohet Allahut, atij Allahu i hap rrugë dhe e furnizon prej nga nuk e kupton.”
Çfarë mbetet pas kësaj? “E kush i frikësohet Allahut, atij Allahu i hap rrugë…”, ky ajet përfshin të mirat e dunjasë dhe të ahiretit, pra, devotshmëria është mënyra më e mirë për tu çliruar nga vështirësitë e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Duhet të dini se vështirësia më e madhe është ajo e ditës së gjykimit, ditës së madhe ku do të ndodhë gjykimi dhe shpërblimi.
Ai që i frikësohet Allahut, Allahu do ta shpëtojë atë nga vështirësitë e asaj dite duke e futur në radhët e njerëzve të gëzuar e të shpëtuar, pikërisht në vendin e dinjitetit (xhenetit).
Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “E kush i frikësohet Allahut, Ai atij do t’ia lehtësojë punët.”
Me këtë ajet, Allahu i Madhëruar na sqaron se devotshmëria është mjeti më i mirë për lehtësimin e punëve dhe daljen nga çdo vështirësi, si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër. Nuk mund të harrohet dhe furnizimi andej nga ai nuk e pret, e këtu është për qëllim furnizimi në këtë botë dhe në botën tjetër.
Rizku më i mirë që ndodhet në botën tjetër, është të fitosh xhenetin dhe të shpëtosh nga zjarri.
Allahu i Madhëruar duke treguar për rëndësinë e devotshmërisë, thotë: “E kush e ka frikë Allahun, Ai atij ia shlyen të këqiat dhe ia shton shpërblimin.”
Kur një i devotshëm triumfon duke dalë nga vështirësitë, e duke u furnizuar nga nuk e pret, shtoja kësaj dhe lehtësimin e punëve, shlyerjes së mëkateve dhe shtimit të shpërblimit, atëherë më tregoni çfarë mbetet pas kësaj për të thënë? Nuk ka dyshim se ai ka arritur çdo të mirë.
Tek shtimi i shpërblimit që sapo u përmend, në ajet është për qëllim hyrja në xhenet dhe shpëtimi nga zjarri.
Allahu i Madhëruar u ka premtuar të devotshmëve lloj-lloj mirësish, dhe na ka treguar në shumë ajete se kjo devotshmëri do ti shpierë ata në vendin e krenarisë dhe dinjitetit, i cili është xheneti.
Në suren Hixhr, Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, të devotshmit do të jenë në xhenete mes burimeve. “Hyni në to të shpëtuar dhe të siguruar.” Ne hoqëm prej zemrave të tyre çdo urrejtje, e ashtu të vëllazëruar qëndrojnë në mbështetëse përballë njëri-tjetrit. Aty nuk kanë kurrfarë lodhje dhe nuk do të nxirren kurrë prej tij (xhenetit).”
Ky është përfundimi i njerëzve të devotshëm: “Vërtet, të devotshmit do të jenë në xhenete mes burimeve.”
Do të jenë në kopshte në të cilat ndodhet çdo e mirë që shpirti e do dhe syri kënaqet me të, shtoi kësaj kënaqësie dhe përjetësinë. Në të ka dhe burime uji të cilat të bëjnë të qetësohesh, dhe shërim për atë që pi prej tyre.
Në xhenet janë dhe lumenjtë e rrjedhshëm, e pas gjithë këtyre të mirave u thuhet “Hyni në to të shpëtuar dhe të siguruar.”
(Të shpëtuar) Nga çdo e keqe siç është; sëmundja, vdekja, brengat dhe pikëllimet të cilat e lëndojnë njeriun.
Pra, banorët e xhenetit janë në kulmin u lumturisë, qetësisë, sigurisë dhe shëndetit.
Pas kësaj, Allahu i Madhëruar thotë: “(Të siguruar) D.m.th. të siguruar nga çdo e keqe që urren njeriu, i sigurtë nga vdekja, i sigurtë në vendin ku është sepse nuk shkatërrohet asnjëherë, i siguruar nga lëndimet, siç janë; uria, etja, e shumë e shumë të tjera prej të cilave frikësohet njeriu.
Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: “Ne hoqëm prej zemrave të tyre çdo urrejtje.”
Mund të ndodhë që njeriu në këtë botë të ketë ndonjë zënkë me dikë tjetër, për shkak të armiqësive, padrejtësive dhe arrogancës, por në ditën e gjykimit kjo urrejtje do të hiqet nga zemrat e besimtarëve, madje do të hiqet çdo shkak që të shpie drejt smirës, urrejtjes, arrogancës dhe ngatërresave që ndodhin ndërmjet vëllezërve, të gjitha këto do të largohen dhe do të shkatërrohen.
Xheneti është vendi i dashurisë, harmonisë, kënaqësisë, sigurisë, bashkjetesës dhe pastërtisë shpirtërore nga çdo e keqe; “E ashtu të vëllazëruar qëndrojnë në mbështetëse përballë njëri-tjetrit”.
Në vendet ku qëndrojnë, janë përballë njëri-tjetrit e nuk ja kthejnë shpinën njëri-tjetrit.
“Aty nuk kanë kurrfarë lodhje dhe nuk do të nxirren kurrë prej tij (xhenetit).”
Ndërsa në suren Duhan, Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet të devotshmit janë në vende të qeta, janë në xhenete dhe në burime që rrjedhin, veshin rroba të mëndafshta e kadifeje të ulur përballë njëri-tjetrit. Kështu edhe i martojmë me bardhoshe symëdha (me hyri). Aty kërkojnë tu ofrohet çdo lloj peme e aty janë të sigurtë, aty nuk e përjetojnë vdekjen përveç asaj të parës në dunja. Ata i shpëtoi Allahu nga vuajtjet e xhehenemit, të gjitha këto janë dhuratë nga Zoti yt e ai është shpërblimi më i madh.”
Kjo është gjendja e njerëzve të devotshëm: “Vërtet, të devotshmit janë në vende të qeta.” Pra, janë në xhenet. Thuhet vend i qetë sepse nuk i kaplon vdekja, shqetësimet, problemet, lëndimet nga armiqtë dhe nuk lëndohet me gjëra që e lëndojnë njeriun.
Më pas, këtë fjalë Allahu e sqaroi duke thënë: “Janë në xhenete dhe në burime që rrjedhin, veshin rroba të mëndafshta e kadifeje të ulur përballë njëri-tjetrit. Kështu edhe i martojmë me bardhoshe symëdha (me hyri). Aty kërkojnë tu ofrohet çdo lloj peme e aty janë të sigurtë.”
Vendi ku qëndrojnë është i sigurtë, gjithashtu edhe ata janë të sigurtë, pra vendi është i sigurtë sepse nuk mund të prishet apo të ketë difekt. Përveç kësaj, ata janë të sigururar nga çdo lëndim, siç është; vdekja, sëmundja dhe pikëllimi, pra nga çdo gjë që mund ta lëndojë njeriun.
Gjithashtu, janë të ruajtur nga lëndimet e pasngrënies, sepse njeriu pas ngrënies mund të lëndohet nga tejngopja, apo nga vetë ushqimi i cili mund të mos jetë i përshtatshëm, apo nga ndonjë gjë që ka rënë në ushqim që e dëmton atë, pra, këto lëndime nuk ekzistojnë tek banorët e xhenetit.
Ata hanë, pinë dhe gëzojnë me gjëra të ndryshme, janë të sigurtë nga çdo lëndim që mund tu kanoset.
Janë të sigurtë nga çdo lëndim, prandaj nuk lëndohen në ushqim, pirje apo veshje. Gjithashtu, nuk lëndohen në vendin ku qëndrojnë dhe banojnë, d.m.th. janë të sigurtë nga çdo e keqe.
Pas kësaj, Allahu i Madhëruar thotë: “Aty nuk e përjetojnë vdekjen…”. Janë të gjallë përjetësisht, nuk vdesin dhe nuk lëvizin nga ai vend, në kundërshtim me jetën e kësaj bote në të cilën ekziston vdekja dhe lëvizja nga një vend në një vend tjetër. Njeriu mund të largohet nga vendbanimi i tij, mund ti prishet shtëpia, apo mund ti duket një shtëpi tjetër më e mirë se ajo ku ndodhet, mund ti dalin shkaqe të ndryshme që ta detyrojnë të braktisë shtëpinë në të cilën ndodhet.
Ndërsa banorët e xhenetit janë në vende të përhershme, sepse ato janë të pajisura me gjithë të mirat dhe janë të përsosura, gjë e cila nuk i detyron ata të shpërngulen nga një vend në tjetrin.
Gjithashtu, ata nuk vdesin kurrë. Për këtë Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) në një hadith të saktë të transmetuar nga Muslimi, thotë: Kur të hyjnë banorët e xhenetit në xhenet, do të thërrasë një thirrës nga ana e Allahut të Madhëruar, e do të thotë: “O banorët e xhenetit, ajo që u jepet është që të jetoni përjetësisht e të mos vdisni asnjëherë, të jeni të shëndetshëm e të mos u kaplojë sëmundja asnjëherë, të jeni gjithmonë të rinj e të mos plakeni asnjëherë, gjithmonë të jeni të kënaqur dhe të mos pikëlloheni asnjëherë.
Kështu do thuhet ditën e gjykimit kur të hyjnë në xhenet.
Në suren Dharijat, Allahu i Madhëruar thotë: “Të devotshmit janë në kopshte dhe burime, të kënaqur me atë që u ka dhuruar Zoti i tyre, ata edhe më parë ishin vepërmirë.”
Të kënaqur sepse shfrytëzojnë mirësitë e Zotit që ua dhuroi, por pse ndodh e gjithë kjo?
E fituan këtë mirësi sepse në jetën e kësaj bote ishin vepërmirë, ishin të drejtuar në bindjen ndaj Allahut.
Pas kësaj, Allahu tregon disa nga veprat që ata bënin në këtë botë, duke thënë: “Ata ishin që natën flinin pak, dhe në kohën e agimit kërkonin falje për mëkatet e tyre. Dhe në pasurinë e tyre kishin caktuar të drejtë për lypësin dhe për të ngratin.”
Në grupin e veprave që bënin, përmendi namazin e natës dhe kërkimin e faljes në fund të natës.
Disa nga të parët tanë të mirë, kanë thënë: Ata e zgjasnin namazin deri para mëngjesit, e pas kësaj uleshin dhe kërkonin falje.
Pra, namaz nate i shoqëruar me qëndrim të gjatë në këmbë, me dua, me lutje, e më pas me kërkim falje i mbyllnin punët e tyre, pendoheshin tek Allahu sikur të ishin kriminela apo të ishin neglizhentë ndaj adhurimeve. E bënin këtë sepse nuk donin ti shihnin punët e tyre si të mëdha, apo të bëheshin mendjemëdhenj.
Edhe pse ata punonin dhe mundoheshin shumë në këtë botë, sërish kërkonin falje pandërprerë nga frika e dënimit, nga frika se mos u ktheheshin punët mbrapsht.
Duke treguar për këta njerëz, në suren Muminun Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, ata që ndaj Madhërisë së Zotit të tyre kanë frikë, ata të cilët u besojnë argumenteve të Zotit të tyre, dhe ata të cilët nuk i përshkruajnë shok Zotit të tyre. Dhe ata të cilët japin nga ajo që kanë (punojnë dhe veprojnë gjërat që u kërkohen), e përsëri zemrat e tyre i kanë të frikësuara (punojnë dhe nuk mburren e as nuk përmendin gjërat që punuan, por përkundrazi, ata punojnë dhe bëjnë adhurime, e zemrat e tyre përsëri janë të frikësuara se mos ndoshta këto punë u kthehen mbrapsht, për shkak të ndonjë neglizhence apo mangësie, apo si rrjedhojë e ndonjë gabimi që mund të kenë bërë, pa harruar dhe mundin për të bërë adhurime), sepse e dinë se një ditë do të kthehen tek Allahu.”
Besimi se një ditë do të kthehen tek Zoti i tyre, e se Ai do ti shpërblejë për veprat që kanë bërë, i nxiti ata të frikësoheshin për veprat e tyre se mos nuk janë të sinqerta për hirë të Tij, apo ngase nuk i kanë arritur kushtet e pranimit tek Allahu.
Çfarë u solli këtyre njerëzve ky pranim dhe kjo frikë, për mospranimin e punëve të tyre?
Allahu i Madhëruar, pas kësaj thotë: “Të tillët janë duke nxituar drejt të mirave dhe të parët do ti arrijnë ato.”
Për shkak të frikë-respektit, ndrojtjes dhe besimit të tyre të plotë, ata nxituan drejt punëve të mira, nxituan drejt të mirave dhe të parët i arritën ato.
Nxituan duke vënë përpara sinqeritetin, besimin dhe frikë-respektin, duke i arritur ato që deshën.
Ndërsa në suren Tur, Allahu i Madhëruar thotë: “Të devotshmit janë në kopshte e në begati, të kënaqur me atë që u dha Zoti i tyre dhe që i ruajti nga vuajtja e xhehenemit.”
Pra, të devotshmit janë në xhenete dhe në begati.
Në suren Kalem, Allahu i Madhëruar thotë: “Është e sigurtë se për të devotshmit do të ketë kopshte të begatshme tek Zoti i tyre.”
Gjithashtu, në suren Murselat thotë: “Nuk ka dyshim se të devotshmit do të jenë nën hije dhe pranë burimeve, aty kanë pemë çfarë të dëshirojnë.”
Pra, Allahu i Madhëruar ka përgatitur çdo të mirë mbi devotshmërinë, këtë e ka bërë me devotshmërinë e jo me farefisin, pasuritë, apo me vendet e tyre të punës, e as me ato gjëra të cilat i konsiderojnë të mëdha, e as dhënia pas kësaj bote.
Pak më parë përmendëm se si Allahu tregoi në suren Huxhurat, se lidhjet farefisnore nuk i afrojnë njerëzit tek Allahu.
Për këtë, Allahu i Madhëruar thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne u krijuam prej një mashkulli dhe një femre, u bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet veti.” Nuk tha që të mburreni, gjithashtu nuk tha që të fitoni xhenetin, por tha “që të njiheni ndërmjet veti.” Pas kësaj, tha: “E nuk ka dyshim se më i ndershmi në mesin tuaj është më i devotshmi.”
Pra, ndershmëria nuk është me pasuri apo me farefis, gjithashtu nuk arrihet me pozitë në mesin e njerëzve apo me punësimet joshëse etj.
Ndershëmria e vërtetë arrihet me devotshmëri; “E nuk ka dyshim se më i ndershmi në mesin tuaj është më i devotshmi.”
Në një hadith të saktë, thuhet se një herë kur Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ishte i ulur tek njerëzit, aty pranë kaloi një njeri që konsiderohej nga njerëzit e ndershëm dhe me famë. Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) në këtë rast iu drejtua të pranishmëve duke u thënë: Çfarë mendimi keni për këtë person? Thanë: Ky është nga njerëzit e ndershëm dhe me pozitë, nëse kërkon të martohet e meriton që ta martojnë, e nëse ndërmjetëson ti pranohet ndërmjetësimi, dhe kur të flasë ti dëgjohet fjala. Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) kur i dëgjoi këto fjalë, heshti. Aty kaloi një njeri i varfër musliman, d.m.th. i devotshëm. Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) i pyeti të pranishmit: Çfarë mendoni për këtë njeri? I thanë: Ky është njëri nga të varfërit e muslimanëve. Nëse kërkon të martohet meriton të mos e martojnë, nëse ndërmjetëson të mos i pranohet ndërmjetësimi, dhe kur të flasë të mos i dëgjohen fjlaët.
Pas kësaj, Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) tha: Ky që patë tani, është më i mirë se ai edhe sikur toka të jetë e mbushur me njerëz të atillë.
Pse i tha këto fjalë? Sepse ndryshimi është vetëm me devotshmëri dhe besim. I pari ishte nga njerëzit e ndershëm, por nuk ishte i devotshëm, ndërsa i dyti ishte nga të varfërit e muslimanëve, por ishte nga të devotshmit e tyre. Prandaj dhe Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) tha për të: Është më i mirë se ai edhe sikur toka të jetë e mbushur me njerëz të atillë.
Kjo na tregon rëndësinë e devotshmërisë dhe adhurimit, të cilat janë e vetmja peshore matëse tek Allahu i Madhëruar, e nuk ekziston peshojë tjetër përpos kësaj që thamë.
Peshorja tek Allahu është që të jesh i devotshëm, i bindur ndaj Allahut, i përqëndruar në fenë tënde, tu largohesh ndalesave që ti ka ndaluar Allahu, të qëndrosh e të mos i kalosh kufijtë e Allahut.
Kjo devotshmëri forcohet, plotësohet dhe përqëndrohet me vazhdueshmërinë e robit nën frikën ndaj Allahut, përkujdesit të tij ndaj urdhërave të Allahut, largimit nga ndalesat e Allahut, dhe qëndrimit të tij në kufijtë që ka caktuar Allahu.
Sa më shumë ti ruajë njeriu këto që thamë, devotshmëria e tij ndaj Allahut bëhet më e plotë. Në të kundërtën, sa herë që ti rrëshqasë këmba në ndonjë gjë e cila e hidhëron Allahun, devotshmëria pakësohet dhe dobësohet.
Ky pra është udhëzimi dhe besimi, siç ka thënë ehli suneti dhe xhemati; besimi është fjalë dhe vepër, shtohet dhe pakësohet, shtohet me adhurime dhe pakësohet me gabime.
Të njëjtat fjalë thuhen edhe për devotshmërinë; ajo është fjalë dhe punë, shtohet dhe pakësohet, sepse devotshmëria është vetë besimi.
Në disa shprehje të tjera të ehli sunetit, thuhet; besimi është fjalë, punë dhe akide (besim).
Me fjalë të tjera: Besimi është të shprehurit me gjuhë, punë me gjymtyrë, dhe besim me zemër. Të gjitha këto janë terma të ehli sunetit.
Prandaj; besimi, devotshmëria, udhëzimi, islami, bamirësia dhe përmirësimi, të gjitha këto janë fjalë dhe vepra, fjalë të zemrës dhe të gjuhës. Gjithashtu, janë punë të zemrës dhe të gjymtyrëve.
Me adhurime forcohet dhe pastrohet besimi, devotshmëria plotësohet derisa të arrijë majat më të larta, ndërsa çdo gabim e pakëson besimin dhe devotshmërinë sipas shtimit dhe pakësimit të mëkateve.
Sipas zellit dhe përpjekjes së besimtarit, në devotshmërinë ndaj Allahut e qëndrimit të tij në kufijtë që ka caktuar Allahu, ndrojtja që të mos e kaplojë hidhërimi i Tij dhe duke pasur gjithmonë parasysh mbikqyrjen e Allahut, në këtë mënyrë plotësohet devotshmëria dhe besimi i tij, plotësohet islami, bamirësia dhe udhëzimi i tij.
Në të kundërtën, sa herë që bie në ndonjë kundërshtim, qoftë në fjalë apo në vepër, patjetër që besimi do të pakësohet ndërsa devotshmëria do të dobësohet, gjithashtu edhe bamirësia pakësohet sipas gradës së kundërshtimit që ai bën.
Madje, kur shpeshtohen dhe shumohen kundërshtimet ndaj Allahut, arrin puna deri sa mbetet një pjesë shumë e vogël nga ky besim.
Më e keqe se kjo, është kur bie në ndonjë kundërshtim që e largon besimin përfundimisht, siç është; praktikimi i njërës nga gjërat që e prishin dhe e shkatërrojnë islamin e njeriut.
Prandaj, nëse ky njeri praktikon një vepër që konsiderohet shkatërruese prej shkatërrueseve të Islamit, në këtë rast besimi dhe devotshmëria largohen përfundimisht nga ky njeri, duke u kthyer në një dezertor që shijon përjetësisht zjarrin e xhehenemit, nëse ai vdes në këtë gjendje.
Nga kjo që thamë, çdo nxënës dije e kupton rrezikshmërinë e kësaj çështjeje, gjithashtu kupton se një problemi të tillë duhet ti kushtojmë shumë vëmendje.
Duhet të kuptojmë, se kjo dunja është vendi i punës dhe i konkurencës ndërmjet të vërtetës dhe të kotës, është vendi i rreziqeve.
Në një hadith të saktë, Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) thotë: Nxitoni në punë të mira, sepse do tu vijnë sprova që ngjasojnë me pjesët e errëta të natës. Në një version tjetër, thotë: Vraponi në punë të mira, sepse do tu vijnë sprova si pjesët e errëta të natës, derisa njeriu gdhihet musliman e ngryset jomusliman e mohues, ose ngryset besimtar dhe gdhihet jobesimtar e mohues. Do e shesë fenë e tij me nje plaçkë të kësaj bote.
Kështu transmetohet hadithi nga i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të).
Sa besimtarë u gdhinë e u ngrysën jobesimtarë! Sa besimtarë u ngrysën e u gdhinë jobesimtarë! Nuk ka fuqi e as forcë përveç në Allahun e Madhëruar!
Pse ndodh kjo? Për disa arsye, siç është; sharja e Allahut apo e Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të), shpifja për fenë dhe librin e Allahut, tallja me fenë e Allahut të Madhëruar, apo tallja me xhenetin, zjarrin, namazin, agjërimin, zekatin, haxhin, apo me gjëra të tjera.
Si përfundim, nëse bie në këto gabime ai konsiderohet i dalë nga feja duke iu bërë të lejuara gjaku dhe pasuria, me përjashtim nëse ai pendohet dhe kthehet.
Në gjërat që të largojnë përfundimisht nga feja e Allahut, është mohimi i detyrave që u ka caktuar Allahu njerëzve, detyrat e njohura në fe, p.sh. të mohojë domosdoshmërinë e dy dëshmive, apo të mohojë njësimin dhe pastrimin e fesë për Allahun duke thënë; nuk është problem të adhurohen idhujt e statujat në vend të Allahut, duke përfunduar kështu në shirk të madh.
Të mohojë besimin në Profetin (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të), ose të shprehet duke thënë; ky profet nuk është dërguar për të gjithë njerëzit por vetëm për arabët, siç shprehen disa çifut dhe të krishterë të huaj.
Konsiderohet i dalë nga feja edhe atëherë kur mohon domosdoshmërinë e faljes së namazit, apo dhënies së zekatit, agjërimin dhe haxhin kur janë mundësitë. Apo të mohojë lejimin e xhihadit, ndalimin e zinasë, alkolit, mosrespektit ndaj prindërve, ndërprerjen e lidhjeve farefisnore, e shumë të tjera ku mohimi i njërës prej tyre është dezertim nga Islami. Pra, njëra nga këto çështje e çrrënjos besimin nga rrënjët e tij. Të njëjtën gjë bën dhe me devotshmërinë duke e çrrënjosur atë, ndërsa ai që i bën këto mohime mbetet mohues dezertor, i lejohet gjaku dhe pasuria, Allahu na ruajtë të gjithëve.
Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) në një hadith të tij thotë: Kush ndërron fenë e tij, vriteni.
Pra, çështja është e rrezikshme, në këtë botë besimtarit i del si detyrë që të ketë kujdes e gjithmonë duhet ta shoqërojë frika nga Allahu i Madhëruar. Duhet të jetë i përëndruar në rrugën e drejtë duke ruajtur fenë e tij.
Nga gjërat që të nxjerrin nga feja është dhe lënia e namazit me qëllim, edhe nëse e pranon domosdoshmërinë e tij e thotë se namazi është obligim, por nuk e fal atë dhe nuk e vret mendjen.
Në çështjen që po cekim kanë rënë në kundërshtim dijetarët, një grup prej tyre kanë thënë; konsiderohet dezertor mohues edhe nëse e pranon domosdoshmërinë e tij.
Një pjesë tjetër kanë thënë; nuk kosiderohet dezertor derisa të mohojë domosdoshmërinë e faljes së tij, por përsëri ka rënë në kufër të vogël e jo në atë të madhin, shtoi kësaj se gjynahu që ka bërë është më i madh se imoraliteti dhe pirja e alkolit, apo të ngjashmet me to.
Mendimi i saktë është se; ai konsiderohet mohues edhe nëse nuk e mohon domosdoshmërinë e faljes së tij, është kufër i madh që të nxjerr nga Islami.
E themi këtë duke u mbështetur në shumë argumente, siç është fjala e Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) të cilën e transmeton imam Ahmedi dhe autorët e suneneve. Transmetohet nga Burejdete se Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: Marrëveshja ndërmjet nesh dhe atyre ka lidhje me namazin. Ai që e lë dhe nuk e falë atë, ai konsiderohet i dalë nga feja.
Gjithashtu, është fjala e Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) të cilën e tranmeton Muslimi nga Xhabiri se Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: Ndërmjet burrit, kufrit dhe shirkut, qëndron lënia e namazit.
Këto dy hadithe dhe shumë argumente të tjera, janë argument i ngritur nga Allahu për çdo individ që e lë namazin, edhe nëse nuk e mohon domosdoshmërinë e faljes së tij. Këtë që thamë e ka shprehur edhe Abdullah bin Shekijk el Ukajli me sahabë të tjerë, se lënia e namazit është kufër. Prandaj, na del detyrë që të kemi kujdes dhe të këshillojmë për këtë namaz, ta ruajmë atë pa harruar dhe këshillimin që të jemi të përqëndruar në fenë e Allahut. Të mos i ndahemi devotshmërisë dhe gjërave që e forcojnë atë, siç është bindja ndaj Allahut dhe Profetit të Tij (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të).
Duhet pasur kujdes nga mëkatet dhe nga gjërat që e pakësojnë dhe dobësojnë këtë devotshmëri, siç janë gjynahet etj.
Lus Allahun e Madhëruar me emrat e Tij të bukur dhe atributet e Tij të larta, të na japë sukses të gjithëve në gjërat që e gëzojnë Atë! Gjithashtu, e lus Atë që të na mundësojë përqëndrim të mirëfilltë në fenë e Tij dhe të na mundësojë të gjithëve ta përmendim, ta falenderojmë dhe ta adhurojmë në mënyrën më të mirë. Të na japë sukses në bindjen ndaj Tij dhe ndaj të dërguarit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të), të na bëjë nga ata që lidhen ngushtë me devotshmërinë ndaj Tij deri në momentin kur ta takojmë Atë. Vërtet, Allahu është Bamirës dhe Fisnik. Së fundi, përshëndetjet dhe nderimet më të përzemërta ia dërgojmë robit dhe të dërguarit të Tij, Muhamedit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të), familjes, shokëve të tij dhe gjithë atyre që e ndjekin.
Allahu e shpërbleftë shejhun tonë të ndershëm me shpërblimet më të mira, e për fjalët që tha lusim Allahun t’ia vendosë në peshoret e punëve të mira. Lusim Allahun që këto fjalë të na bëjnë dobi, vërtet Allahu i dëgjon lutjet dhe i pranon ato.
Perktheu Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve