Transmetohet se Safuan bin Assal (radijAllahu anhu) ka thënë: “Kur ishim në udhëtim, i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) na urdhëronte mos t’i hiqnim mestet tona tri ditë dhe tri netë, veçse nga xhunubllëku dhe jo nga nevojat personale, urinimi apo gjumi.” Hadithin e ka nxjerrë Nesaiu (1/83), Tirmidhiu (96) (teksti është i tij) dhe Ibën Huzejme (196). Hadithin e ka konsideruar të saktë Tirmidhiu dhe Ibën Huzejme.
Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: El-Mes’h nga ana gjuhësore do të thotë kalimi i dorës mbi diçka.
Në legjislacionin islam do të thotë: Kalimi i dorës së lagur mbi një vend të caktuar dhe sipas një forme të caktuar.
Mes’hi mbi meste saktësohet sunet mutevatir[1] dhe konsensus (ixhma). Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Në veten timë nuk kam diçka në lidhje me dhënien e mes’hit, ngase në lidhje me të transmetohen dyzet hadithe nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).
El-Hasen el-Basri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Dhënia mes’h transmetohet nga shtatëdhjetë shokë të të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).
Abdullah bin el-Mubarak (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Nuk ka kundërshtim mes sahabëve në lidhje me mes’hin.
Pasuesit e Sunetit dhe xhematit (ehlus-sunneh uel-xhemah) kanë rënë dakort për lejimin e dhënies së mes’hit, dhe nuk e kundërshton (mohon) këtë vetëm se ndonjë bidatçi prej shiitëve dhe havarixhëve.
Fjala e tij “mos t’i hiqnim mestet tona”, d.m.th. gjatë marrjes së abdesit.
Hadithi tregon për disa çështje:
E para: Ligjshmëria e dhënies mes’h mbi meste për udhëtarët, ngase Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka urdhëruar për një gjë të tillë (kjo është mustehab).
E dyta: Sqarimi i kohës së vlefshmërisë së mestit për udhëtarin e ajo është tri ditë dhe tri netë. Ndërsa për vendasin është një ditë dhe një natë.
E treta: “… veçse nga xhunubllëku” tregon se mes’hi lidhet me pastërtinë e vogël (pas nevojave personale, urinës dhe gjumit), ndërsa pastërtia e madhe (gusuli nga xhunubllëku) nuk ka dhënie të mes’hit.
E katërta: Hadithi është argument se gjumi e prish abdesin, sepse hadithi e ka përmendur atë (gjumin) me urinimin dhe me nevojat personale. Dihet se urina dhe nevoja personale e prishin abdesin me ixhma (konsensus), gjithashtu dhe gjumi.
Shkëputur me disa shkurtime nga “Tes’hilul ilmam bifik’hil ehadith min bulug el-meram” vëll. 1.
Përktheu: Unejs Sheme
——————————————-
[1] Hadithi Mutevatir është ai i cili përcillet nga një grup i konsiderueshëm transmetuesish, të cilët zakonisht është absurde të bashkohen në gënjeshtër dhe të cilin e adresojnë në diçka materiale. Hadithet mutevatir janë dy llojesh: Mutevatir në shprehje (tekst) dhe në domethënie (përmbajtje) bashkë, dhe mutevatir vetëm në domethënie.
Të Ngjashme
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Statusi dhe vlera e fikhut në Islam Udha e Besimtarëve
- Në cilën anë të imamit është më mirë të falemi? Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin