Dhjetë mënyra se si të çlirohet njeriu prej epsheve

May 15, 2023

Nëse dikush pyet: Si mund të çlirohet prej epsheve një njeri që ka rënë pre e tyre?

Përgjigja është: Me ndihmën dhe suksesin e dhënë nga Allahu ai do jetë në gjendje të çlirohet nga epshet, nëse u përmbahet çështjeve të mëposhtme:

1- Vullneti i lirë dhe i vendosur: Me vigjilencë dhe ndjenjë nderi për veten, duke e mbrojtur atë me xhelozi.

2- Një dozë durimi duke e bërë veten të durojë shijen e hidhur të momentit (kohën kur epshi i tij është aktiv).

3- Forca dhe vetvendosja që e inkurajon atë të pijë atë dozë (durimi). Guximi i gjithi është një moment vetpërmbajtjeje dhe jetesa më e mirë që arrin robi është përmes durimit të tij.

4- Vetëdijësimi për rezultatin e shkëlqyer dhe shërimin e arritur me anë të asaj doze (durimi dhe këmbënguljeje).

5- Të jetë i vetëdijshëm për dhimbjen që e tejkalon kënaqësinë e cila vjen si pasojë e ndjekjes së epshit.

6- Mbajtja e pozitës së tij të mirë para Allahut dhe në zemrat e robërve të Allahut. Sigurisht se kjo është më e mirë dhe më e dobishme për të sesa kënaqësia e ndjekjes së epsheve.

7- Duke i dhënë përparësi kënaqësisë dhe ëmbëlsisë së dlirësisë dhe nderit mbi kënaqësinë e mosbindjes dhe mëkatit.

8- Ndjenja e kënaqësisë për mposhtjen e armikut të tij duke e larguar atë të turpëruar bashkë me zemërimin, pikëllimin dhe shqetësimin e tij, duke mos i mundësuar atë që dëshironte. Allahut i pëlqen që robi i Tij ta braktisë dhe ta zemërojë armikun e tij, siç ka thënë në Kuranin fisnik: “Sa herë që të shkelin në ndonjë vend ku do t’i zemërojnë mohuesit apo t’i gjejë gjë nga ana e armikut, atyre do t’iu shkruhet si vepër e mirë.”[1]

Gjithashtu ka thënë: “Me qëllim që nëpërmjet tyre Ai t’i zemërojë mohuesit.”[2]

Ose në ajetin tjetër ku thotë: “Kush emigron për çështjen e Allahut ai gjen shumë vendbanime dhe begati në tokë.”[3]  Kjo do të thotë: Gjen vend ku ai braktis dhe sulmon armiqtë e Allahut, sepse shenja e dashurisë së vërtetë është të zemërosh armiqtë e të Dashurit tënd dhe t’i braktisësh ata.

9- Të mendojë në faktin se ai nuk është krijuar për të qenë rob i epsheve por është përgatitur për një detyrë të madhe që nuk mund ta arrijë veçse duke kundërshtuar epshin e tij, siç kanë thënë:

U gatite për një çështje ah sikur mirë ta mendoje,

andaj qëndro lart me veten që me të papunët të qëndroje.

10- Të mos zgjedhë për veten e tij një gjendje ku kafsha të jetë në një situatë më të mirë se ai. Në të vërtetë, kafsha është në gjendje që me anë të instikteve të saj natyrore të bëjë dallimin midis vendeve që i bëjnë dobi dhe atyre që i sjellin dëm, duke preferuar kështu të dobishmen ndaj të dëmshmes. Për të njëjtin qëllim njeriu është pajisur me aftësinë e arsyetimit. Nëse përmes këtij arsyetimi ai nuk bën dallim mes asaj që e dëmton apo i sjell dobi, ose nëse e kupton këtë por preferon atë që është e dëmshme për të, në këtë rast pozita e një kafshe të palogjikshme është më e mirë se pozita e tij.

Dëshmia për këtë qëndron në faktin se një kafshë e arrin një pjesë të shijes së ushqimit, pijeve dhe kontakteve seksuale që mbase nuk mund t’i arrijë njeriu, edhe pse mund të bëjë një jetë të rehatshme pa mendime dhe shqetësime. E megjithatë, për shkak të mungesës së logjikës për pasojat ajo (kafsha) vihet në thertore e mbytur në epshet e saj.

Njeriu nuk mund të pësojë të njëjtin dëm që i bëhet kafshës për shkak të intelektit që e preokupon dhe dobësisë së organeve të tij, e kështu me rradhë. Nëse arritja e dëshirave (epsheve) do të ishte virtyt, atëherë hisja e njeriut nuk do ishte më e pakët në këtë ndërkohë që ai është esenca e botës, duke e bërë të bollshëm (epshin) për kafshët. Megjithatë, këtë ia zëvendëson (epshin shtazor) shtimi i pjesës së arsyetimit, dijes dhe njohurive të tij.

 

Marrë nga libri: “Përçmimi i shkuarjes pas epsheve”.

Shkroi: Ibën Kajim el Xheuzije (691-751).

Përktheu: Fatjon Isufi

————————————————

[1] Suretu Teube: 120.

[2] Suretu El Fet’h: 29.

[3] Suretu En Nisa: 100.

Dosje:

Loading...