Dhjetë porosi për t’u mbrojtur nga epidemia
Falënderimet i takojnë vetëm Allahut i Cili i përgjigjet nevojtarit kur ai (nevojtari) i lutet Atij! E ndihmon atë që i është bërë padrejtësi kur e thërret Atë. Ai (Allahu) është Ai që e largon të keqen dhe brengat. Zemrat nuk kanë gjallëri vetëm se me përmendjen e Tij. Nuk ndodh asgjë vetëm se me lejen e Tij. Nuk shpëton askush nga e keqja vetëm se me mëshirën e Tij. Askush nuk është i ruajtur vetëm se me mbrojtjen e Tij. Nuk arrihet qëllimi vetëm se me lehtësimin e Tij, dhe nuk arrihet lumturia vetëm se me bindjen ndaj Tij.
Dëshmoj se nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush tjetër veç Allahut të Vetëm, Ai nuk ka ortak. Zot i botrave dhe i adhuruar nga të parët dhe të fundit, Ai është i Cili mban qiejt dhe tokat.
Dëshmoj se Muhamedi (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) është rob dhe i dërguari i Tij, i dërguar me Librin e qartë dhe me rrugën e drejtë.
Këto janë disa porosi të dobishme me rastin e frikës që i ka kapluar njerëzit këto ditë nga epidemia e quajtur ‘Korona’.
E lus Allahun që t’a largojë prej nesh dhe prej muslimanëve kudo që ndodhen çdo dëm e fatkeqësi, si dhe të na largojë çdo vështirësi! Allahu na ruajt të gjithëve ashtu siç i ruan robërit e Tij të mirë! Vërtetë, Ai është i Plotfuqishëm për këtë.
1 – Çfarë thuhet përpara se të vijë epidemia?
Uthman bin Afani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell se e ka dëgjuar të dërguarin e Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) të ketë thënë: Ai që thotë: “Me emrin e Allahut me emrin e të Cilit nuk të dëmton asgjë në tokë apo në qiell. Me të vërtetë Ai është Dëgjues dhe i Ditur.” Kush e thotë këtë lutje tri herë nuk e zë atë asnjë fatkeqësi derisa të gdhihet. E kush e thotë këtë lutje tri herë kur gdhihet nuk e zë atë asnjë fatkeqësi derisa të ngryset. (Transmeton Ebu Daudi dhe të tjerë.)
2 – Të thuash sa më shumë lutjen: “Nuk e meriton adhurimin askush me të drejtë përveç Allahut, vërtetë unë jam prej zullumqarëve.”
Allahu i Lartësuar ka thënë: {(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do t’a dënojmë, andaj thirri nga errësira: S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje! Qofsh i Lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” Ne i’u përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.} (Surja Enbija: 87-88.)
Imam Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) në Tefsirin e tij ka thënë: Fjala e Allahut: {kështu Ne i shpëtojmë besimtarët} d.m.th. se nëse ata (besimtarët) janë në vështirësi dhe luten të përgjëruar, e sidomos nëse luten me këtë lutje, Ne do t’i shpëtojmë ata.
Më pas përmend një hadith të Pejgamberit (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) ku thotë: Lutja e Junusit me të cilën ai u lut kur ishte në barkun e peshkut: “Nuk e meriton adhurimin askush me të drejtë përveç Allahut, vërtetë unë jam prej zullumqarëve.” Nuk lutet askush prej njerëzve me këtë lutje vetëm se Allahu i përgjigjet atij. (Transmeton imam Ahmedi dhe Tirmidhiu.)
Imam Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij ‘El-Feuaid’ ka thënë: “Nuk ka gjë që i largon brengat e vështirësitë e dynjasë si teuhidi (njëhsimi i Allahut), ndaj dhe lutja që thuhet në vështirësi është me njëhsim. Njëhsimi i Allahut është vendi ku krijesat kthehen kur janë në vështirësi. Ai (njëhsimi i Allahut) është streha e tyre, fortesa dhe ndihma e tyre. Suksesi vjen vetëm prej Allahut!
3 – Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu nga fatkeqësia e rëndë.
Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) transmetohet se ka thënë: “I dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) i kërkonte Allahut mbrojtje nga fatkeqësia e rëndë, nga çdo e keqe që do t’a çonte në mjerim, nga caktimi i keq (që e shpie njeriun në mëkat) si dhe të bëjë diçka që meriton të përflitet nga armiqtë.”
Po ashtu nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcillet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kërkojini mbrojtje Allahut; nga fatkeqësia e rëndë, nga çdo e keqe që mund të shpier në mjerim, nga caktimi i keq (që e shpie njeriun në mëkat), si dhe të bëni diçka që meritoni të përfliteni nga armiqtë.” (Të dyja transmetimet i përcjell imam Buhariu në librin e tij të saktë.)
4 – Të tregohesh i kujdesshëm në kryerjen e lutjeve që thuhen kur del nga shtëpia.
Nga Enes ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcillet se i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kur del dikush nga shtëpia e tij dhe thotë: Me emrin e Allahut! I mbështetem Allahut, Nuk ka forcë dhe fuqi vetëm se prej Allahut! Këtij njeriu i thuhet: Vërtetë që je i udhëzuar, i mbrojtur dhe i mjaftuar. Shejtanët largohen prej tij duke thënë: Si mund të ndikojmë tek një person i cili është i udhëzuar, i mbrojtur dhe i mjaftuar?” (Transmeton imam Ebu Daudi.)
5 – T’i kërkosh Allahut shëndet në mëngjes dhe në mbrëmje.
Nga Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcillet se ka thënë: I dërguari i Allahut (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) nuk linte pa përmendur këto lutje në mëngjes dhe në mbrëmje: ‘O Zot! Unë të kërkoj shëndet të plotë në dynja dhe ahiret. O Zot! Unë të kërkoj falje dhe shëndet në fenë time, në dynjanë time, në familjen dhe në pasurinë time. O Zot! Mi mbulo të metat dhe më bëj të sigurt nga ajo që kam frikë. O Zot! Më ruaj mua nga para dhe nga pas, nga e majta, nga e djathta dhe sipër meje. Kërkoj mbrojtjen Tënde që të mos të përpihem nga poshtë tokës.’ (Transmeton imam Ahmedi dhe të tjerë.)
6 – Lutjet e shpeshta.
Transmetohet nga Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “Atij që i është mundësuar për t’u lutur shpesh, atij i janë hapur dyert e mëshirës. Lutja që Allahu e do më së shumti është që t’i kërkosh atij shëndet të plotë.”
Gjithashtu, i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Lutja i bën dobi njeriut në atë çka i ka zbritur prej caktimit, si dhe i bën dobi edhe në atë që nuk i ka zbritur ende. Ndaj shtojini lutjet o robër të Allahut.” (Transmeton imam Tirmidhiu dhe të tjerë.)
7 – Ruajtja nga vendet në të cilat është përhapur epidemia.
Transmetohet nga Abdullah ibn Amir (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) u nis për në vendet e Shamit (Sirisë). Kur arriti në vendin e quajtur Serg i erdhi lajmi se në Sham është përhapur një epidemi. Abdurrahman ibn Aufi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i thotë se i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Nëse dëgjoni që epidemia është përhapur në një vend mos shkoni atje, e nëse përhapet në një vend e ju jeni aty atëherë mos dilni prej tij. Mos u largoni nga ai vend nga frika se mos u zë epidemia.”
Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) transmetohet se i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Ai i cili është i sëmurë mos t’a vizitojë atë që nuk është i sëmurë.” (Të dy hadithet i transmeton imam Buhariu dhe Muslimi.)
8 – Kryerja e sa më shumë mirësive.
Nga Enes ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcillet se i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kryerja e mirësive të mbron nga fatkeqësitë e rënda, sëmundjet dhe shkatërrimi. Ata që bëjnë mirësi në këtë botë do të jenë prej bamirësve edhe në botën tjetër.” (Transmeton Hakimi.)
Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Prej shkaqeve më madhore për t’u shëruar nga sëmundjet janë; bamirësia, përmendja e Allahut, lutja, përulja përpara Allahut, qëndrimi me frikë-respekt përpara Allahut, dhe pendimi. Këto kanë ndikim në shërimin e sëmundjeve dhe rikthimin e shëndetit më shumë se sa ilaçet, porse ky ndikim është në varësi të përgatitjes shpirtërore, pranimit të tij e besimit që ka në të dhe dobinë e tyre. (Marrë nga libri: Zadul Mead.)
9 – Namazi i natës.
Transmetohet nga Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kujdesuni për faljen e namazit të natës, sepse ai është tradita e njerëzve të mirë që kanë qenë para jush. Vërtetë namazi i natës është afrim tek Allahu dhe të ndalon nga gabimet, t’i shlyen gjynahet dhe t’a largon sëmundjen nga trupi.” (Transmeton imam Tirmidhiu dhe të tjerë.)
10 – Mbulimi i enëve dhe i gotave.
Transmetohet nga Xhabir bin Abdilah (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre) se i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Mbuloni enët dhe gotat tuaja, sepse gjatë vitit është një natë në të cilën zbret një sëmundje. Kjo sëmundje nuk kalon pranë një ene të pambuluar dhe gote vetëm se hyn në të prej kësaj epidemie.” (Transmeton imam Muslimi.)
Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Kjo është prej gjërave që nuk e arrin shkenca e mjekësisë dhe as eksperienca e tyre. (Zadul Mead)
Së fundmi themi se çdo musliman duhet që t’ia dorëzojë çështjen e tij Allahut të Lartësuar, duke shpresuar tek mirësia dhe shpërblimi i Tij, e duke u mbështetur vetëm tek Ai. Çdo gjë është në dorën dhe nën kujdesin e Tij.
Gjithashtu të bëjë ç‘është e mundur që fatkeqësitë që i vijnë t’i kalojë me durim dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut. Ai ka premtuar se; ai i cili tregohet i duruar dhe shpreson në shpërblimin e Allahut, do ketë shpërblim shumë të madh. Allahu i Lartësuar ka thënë: {Vërtetë durimtarëve u jepet shpërblimi pa masë.} (Surja Zumer: 10)
Transmetohet nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) se e ka pyetur të dërguarin e Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) rreth sëmundjes së Taunit (murtajës), dhe ai i ka thënë: “Kjo sëmundje ka qenë pjesë e dënimit të Allahut e Ai e dërgonte ku të dëshironte. Allahu e bëri këtë sëmundje mëshirë për besimtarët. Ndaj, çdo kënd që e kap kjo sëmundje dhe ai qëndron në vendin e tij duke duruar dhe duke e ditur se asgjë nuk e kap njeriun përveç asaj që ka caktuar Allahu, vetëm se ai do të meritojë shpërblimin e dëshmorit.” (Transmeton imam Buhariu.)
E lus Allahun të na japë sukses të gjithëve në atë që Ai është i kënaqur dhe e do prej punëve të mira e fjalëve të bukura! Vërtetë, Ai e thotë të vërtetën dhe udhëzon në rrugën e drejtë.
Falënderimi i takon vetëm Allahut të vetëm! Paqja dhe nderimet e Tij qofshin mbi pejgamberin tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.
Shkroi: Abdurrazak el-Bedër
Përshtati: Ylli Rama
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve