Dija dhe vlera e saj

September 13, 2007

 

 

Dija dhe vlera e saj

Këto janë momentet e përfundimit të kursit dy javor rreth njohurive fetare të cilat u mbajtën në qytetin Sharikah (Emirate), Allahu e ruajt.

Kaluan dy javë në të cilat jetuan nxënësit e dijes dhe ata që mbajtën mësimet një kohë të bereqetshme duke kujtuar librin e Allahut të Madhëruar dhe traditën e Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të).

Ky preokupim rreth marrjes së dijes na kujton deri diku gjendjen në të cilën ishin selefët (të parët tanë të mirë), Allahu qoftë i kënaqur ndaj tyre, të cilët preokupoheshin dhe mundoheshin me çdo mënyrë për të arritur njohuri të dobishme fetare. Madje për këtë ata dhanë gjithçka që posedonin.

Selefët tanë na treguan shembujt më të mrekullueshëm në marrjen e diturisë, kërkimin dhe pyetjet rreth saj.

Sahabët e të Dërguarit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të), kanë shumë thënie dhe ndodhi për të cilat mund të zgjatemi nëse i përmendim.

Njëri prej tyre është Xhabiri i cili udhëtoi një muaj të plotë për të gjetur një hadith të Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të).

Kështu vepruan edhe ata që erdhën më pas, tabiinët dhe pasuesit e tyre duke bërë që të ruhej kjo dituri fetare dhe të përcillej deri tek brezi që ne jetojmë.

Brezave që do vijnë më vonë, ju e keni për detyrë t’iu përcillni këtë dituri, madje kjo është amanet mbi supet tuaja.

Nëse ju nuk i kushtoni rëndësi kërkimit të diturisë dhe marrjes së saj, përpjekjes për ta përcjellë tek brezat e mëvonshëm, atëherë dijeni se ky mospreokupim do i dëmtojë ata që do vijnë më pas, fëmijët, vëllezërit, të afërmit etj.

Përpjekja në kërkimin e diturisë është shenjë e njeriut të suksesshëm, gjithashtu është shenjë se Allahu i do të mirën këtij njeriu.

Në një hadith të saktë Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Atij që Allahu i do të mirën, i mundëson që të kuptojë fenë“.

Pra, kuptimi i fesë është një gradë e lartë të cilën e arrijnë vetëm të zgjedhurit e këtij umeti (populli).

Për këtë arsye Allahu i Madhëruar i ngre ata në grada të larta si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër.

Si mos t’i lartësojë kur ata janë që kujdesen për sheriatin e Allahut (ligjet islame), duke e ruajtur e kumtuar atë tek njerëzit, të kulluar ashtu si e zbriti Allahu i Madhëruar tek profeti Muhamed (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të).

Për këtë arsye ata janë të besueshmit, të drejtët, të zgjedhurit, janë njerëzit më të mirë pas Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) dhe Sahabëve të nderuar.

Transmetohet në një hadith të saktë se Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Këtë dituri do e mbartin të besueshmit e çdo brezi, të cilët i largojnë asaj shtrembërimet e ekstremistëve, pretendimet e gënjeshtarëve dhe komentet e injorantëve.”

Kush nga ne nuk dëshiron t’i bashkëngjitet këtij karvani?!

Nuk ka dyshim se të gjithë e shpresojmë dhe kemi dëshirë për një gjë të tillë.

Dijeni se shumica e njerëzve në këtë kohë, brengë kryesore kanë vetëm si të grumbullojnë kënaqësitë e kësaj bote, madje ëndrrat dhe shpresat i kanë të drejtuara tek ky synim.

Ata flenë duke menduar si ta mbledhin dhe të mburren me këtë pasuri, gjithashtu zgjohen në këtë gjendje.

Atij që Allahu i do të mirën, ai ka brenga të tjera dhe ambicia e tij është më e lartë, ashtu siç thotë Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të): “Kush gdhihet duke pasur si brengë botën tjetër, Allahu ia largon brengat dhe ia pasuron zemrën, derisa i vjen dynjaja pa dëshirën e tij. E kush gdhihet duke pasur si brengë këtë botë, Allahu ia vështirëson problemet dhe ia varfëron zemrën, e nga dynjaja nuk i vjen vetëm se ajo që i është caktuar“.

Nga mirësitë e Allahut është se Ai nuk e ka vendosur diturinë në një person të veçantë në këtë umet dhe as në ndonjë fis të caktuar. Gjithashtu nuk është tek të pasurit dhe as tek ata që kanë pushtet, por ajo është mirësi e Allahut qe ia dhuron kujt të dojë, e nuk ka dyshim se Allahu posedon mirësi të mëdha.

E gjithë kjo në mënyrë që njerëzit të garojnë në arritjen e sa më shumë njohurive fetare dhe të marrin nga drita e Allahut me të cilën dërgoi Muhamedin (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të), me qëllim që të bëhen si yjet me të cilët orientohen njerëzit, ose si drita me të cilën ndriçohen.

Nga e gjithë kjo që thamë nxjerrim se grada në fenë e Allahut të Madhëruar u përket vetëm atyre që kanë frikë Allahun, që u munduan dhe u lodhën në rrugën drejt kënaqësisë së Allahut të Madhëruar.
Këta janë më të afërmit, më parësorët, këta janë kurora, drita, mirësia dhe bereqeti i këtij umeti.

Sido që të jetë ky njeri, i pushtetshëm apo i rëndomtë, arab apo jo arab, i bardhë apo me ngjyrë, të gjithë janë të barabartë para Allahut të Madhëruar, pra njeriu ngrihet vetëm me punën e tij.

Për këtë arsye është saktësuar nga Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) se ka thënë: “Vërtet Allahu nuk shikon fizionomitë tuaja dhe as ngjyrat tuaja, por shikon punët tuaja“.

Prandaj ai që dëshiron të ketë dobi në këtë botë dhe pas vdekjes, atëherë le të kërkojë dituri dhe të shkojë pas saj. Nëse Allahu i dhuron dituri le ta dijë ky njeri se është me shumë fat.

Por nëse Allahu nuk ia jep këtë dituri, atëherë ai me kërkimin që bën, shkruhet dhe bën pjesë në shpërblimin që marrin dijetarët, sepse dijetari dhe kërkuesi i dijes marrin pjesë së bashku në shpërblim, siç është transmetuar në disa thënie nga Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të).

Populli islam në këto kohë, pret me padurim se kush prej bijve të tij do ketë nderin për ta mbartur këtë dituri dhe për t’u kujdesur për të ashtu siç u kujdesën të parët tanë (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre).

Me dituri të gjerë, me pjesë të madhe frikë-respekti ndaj Allahut të Madhëruar dhe me pajisje të bollshme, ata përhapën diturinë dhe udhëzimin duke kundërshtuar epshorët dhe pasuesit e bidatit, të cilët duan t’i humbasin njerëzit nga e vërteta.

Gjithmonë mangësia depërton tek një popull atëherë kur tek ata përhapet injoranca dhe pakësohen dijetarët.

Për këtë arsye Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) na ka lajmëruar se prej shenjave të afrimit të kijametit është edhe ngritja e diturisë, sepse largimi i diturisë është argument për përhapjen e injorancës, ndërsa përhapja e injorancës është argument për përkeqësimin e gjendjes së njerëzve. Pra, kijameti nuk bëhet vetëm se mbi njerëzit më të këqij.

Kjo ndodh për faktin se nuk ka kush t’u tërheq vëmendjen njerëzve për tek drita e Allahut dhe nuk ka kush t’i udhëzojë me udhëzimin të cilin e dërgoi Allahu, Muhamedin (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të).

Kjo gjendje pasqyrohet qartë në fjalën e Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ku thotë: “Allahu i Madhëruar nuk e largon diturinë duke e larguar atë nga kraharorët e burrave, por e largon duke marrë dijetarët dhe kur të mos mbetet asnjë dijetarë, njerëzit do ndjekin njerëz injorantë të cilët do përgjigjen pa dituri duke humbur veten dhe të tjerët.”

Kjo është fatkeqësia që shkatërron umetin, kjo është fatkeqësia e madhe e cila rrëmben popullin islam për ta hedhur në një humbje të madhe.

Kjo fatkeqësi është humbja e dijetarëve, është boshatisja e tokës nga dijetarët të cilët u sqarojnë njerëzve argumentet e Allahut të Madhëruar.

Por ka njerëz që mundohen t’u ngjajnë atyre edhe pse nuk janë si ata (dijetarët), dhe si rrjedhojë gjykohet me epshe, sherri shtohet dhe sprovat vijnë duke u rritur.

Kur populli islam të marrë ligjet e Allahut të Madhëruar nga njerëz që pretendojnë se janë dijetarë por në të vërtetë janë vetëm inxhinierë apo farmacistë, atëherë duhet ta dinë se kjo është shenja e humbjes, sprovës dhe pikëllimit.

Kjo dituri është fe, prandaj bëhet detyrë për çdo musliman që të shikojë nga e merr fenë e tij. Atë nuk duhet ta marrë nga çdo njeri që vjen apo ikën, por nga të zotët dhe bartësit e saj të cilët i ka cilësuar Allahu me shenja të qarta, ata i dallon çdo person i këtij umeti, duke thënë: “Vërtetë robërit që i frikësohen më shumë Allahut janë dijetarët.”

Dijetarët janë ata që posedojnë frikë-respektin ndaj Allahut dhe janë të palëkundur në fenë e tij, prandaj Allahu i bëri dëshmitarë të Tij për një dëshmi shumë të lartë e cila është: Njësimi i Allahut të Madhëruar.

Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu dëshmoi se nuk ka të adhuruar që meriton të adhurohet përpos Tij, këtë e dëshmuan engjëjt dhe dijetarët, dhe se Allahu është Zbatues i drejtësisë.”

Pra, Allahu i Madhëruar mori si dëshmitarë engjëjt dhe dijetarët. Kjo na jep të kuptojmë se ata janë njerëzit e drejtë dhe të besueshëm prej të cilëve shpreson dhe beson ky umet.

Vëllezër të nderuar!

Ankesat e njerëzve për pakësimin e dijetarëve nuk do të thonë se dijetarët nuk ekzistojnë, sepse Allahu nuk le asnjë moment në këtë botë pa pasur një person të ngrejë argumentet e Tij ndaj njerëzve.

Por qëllimi është se kur dijetarët pakësohen dhe zëri i tyre nuk dëgjohet e nuk arrin tek njerëzit, atëherë sprovat merren si gjykuese dhe shtohet hidhërimi.

Duke u nisur nga kjo që thamë, thërrasim djelmoshat dhe të rejat, burrat dhe gratë sidomos ata që kanë ambicie në mbartjen e diturisë dhe njohjes së saj, që të shkojnë pas diturisë, sepse ai që merr dituri vërtetë që ka arritur një gjë shumë të çmuar.

Të kërkojnë nga Allahu t’u hapë zemrat e t’u çlirojë kraharorët për mbartjen e këtij mesazhi dhe amaneti të madh, sepse populli islam ka shumë nevojë për ta, sidomos në këto kohëra, me qëllim që të përfitojnë dhe të dëgjojnë këshillat e tyre.

Një pjesë të diturisë është obligim ta njohin të gjithë njerëzit, sepse një pjesë e saj është detyrë e përgjithshme (fard ajn), dhe nuk i lejohet askujt të mos ketë njohuri rreth saj, sido që të jetë ky njeri, i shkolluar apo i pa shkolluar.

Ndërsa pjesa tjetër e diturisë është në gradë tjetër dhe kërkimi i saj është detyrë për një grup njerëzish (fard kifaje), që do të thotë se nëse një grup e kërkon atë, bie detyrimi nga të tjerët.

Në llojin e parë që përmendëm hyn njohja e njeriut Zotin e tij, fenë e tij dhe njohjen e profetit Muhamed (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të).

Gjithashtu në këtë grup bën pjesë edhe njohja e gjërave me të cilat falet namazi siç është abdesi, apo njohja e shtyllave, obligimeve, kushteve dhe falja e tij ashtu siç është falur Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të).

Të njëjtat fjalë i themi edhe për atë që ka pasuri i cili e ka të domosdoshme të njohë gjykimet që kanë të bëjnë me zekatin, në mënyrë që të dijë si ta japë pasurinë. E gjithë kjo duke studiuar në themel ose duke pyetur dijetarët, dhe duke u argumentuar me argumente të qarta.

Kështu veprohet edhe me agjërimin dhe haxhin.

Rreth njohjes së gjërave themelore në islam, nuk justifikohet asnjë njeri për lënien e tyre, por të gjithë duhet t’i dinë ato.

Rreth kësaj është pyetur Imam Ahmedi: A është detyrë kërkimi i diturisë? Ka thënë: Po, është detyrë që njeriu të ketë njohuri në ato gjëra për të cilat nuk lejohet të jetë injorant. I thanë: Na jep një shembull o babai i Abdullahut! Tha: Ajo është si shembulli i namazit, agjërimit dhe zekatit nëse posedon pasuri.

Lloji i dytë i diturisë ka të bëjë me njohjen e imtësive të sheriatit, të cilat janë të shumta dhe të shpërndara në librin e Allahut të Madhëruar dhe në traditën e Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të). Këtë lloj diturie e mbartin njerëzit më të mirë dhe më të devotshëm, qofshin burra apo gra, të cilët i bëjnë dobi veteve dhe gjithë njerëzve.

Për këtë grup ka ardhur dhe hadithi i Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) që thotë: “Vërtetë Allahu, engjëjt, banorët e qiellit dhe të tokës, të gjithë së bashku nderojnë dhe luten për atë që u mëson të mirën njerëzve“.

Pra, dijetarë është ai që mëson dijen islame derisa bëhet i qëndrueshëm në të dhe më pas mëson imtësitë e saj. Pas kësaj Allahu i Madhëruar i mundëson me mirësinë e Tij, të mos fshehë gjërat që i ka shpallur Ai.

Gjithashtu e ruan nga përzierja e të kotës me të vërtetën, duke praktikuar të kundërtën e cila është përhapja e kësaj feje ashtu siç e zbriti Allahu i Madhëruar.

E gjithë kjo duke iu bindur fjalës së Allahut që thotë: “Bëhuni dijetarë edukatorë në mësimet e Zotit tuaj, ngase u keni mësuar njerëzve Librin dhe e keni studiuar atë.”

Fjala e Allahut “edukatorë” do të thotë: T’i edukoni njerëzit gradualisht, duke filluar nga më të voglat e deri tek çështjet e mëdha, siç janë shprehur disa nga selefët, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

Popullit musliman në këtë kohë i janë mundësuar shumë gjëra për kërkimin e diturisë, gjë e cila ka munguar tek popujt e mëparshëm.

Shkrimi dhe leximi janë shtuar dhe përhapur duke mos u bërë pengesë për atë që kërkon dije, sepse shumica e njerëzve në këtë kohë shkruajnë dhe lexojnë.

Të njëjtat fjalë mund ti themi edhe për mjetet e transmetimit të dijes, siç është media e cila i ka afruar gjërat e largëta dhe ia ka lehtësuar punët atij që i ka pasur të vështira. Ashtu siç janë këto kaseta të cilat ruajnë gjërat e hajrit dhe diturinë, apo interneti i cili ruan hajrin dhe diturinë që vendoset në të, e shumë e shumë mjete të tjera si botimi i librave dhe shpërndarja e tyre.

Të gjitha këto që përmendëm nuk ekzistonin më parë, por përkundrazi, ka pasur dijetarë që nuk kanë poseduar në bibliotekat e tyre vetëm se disa libra me numrin e gishtave të dorës, për mos të thënë: me numrin e gishtave të një dore.

Me këtë rast më kujtohet një fjalë e dijetarit Abdurrahman es Sidit, Allahu e mëshiroftë, i cili ëndërronte të shikonte librin “El Istikameh” të dijetarit Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë.

Ky dijetar i cili solli dobi në këtë umet, ëndërronte ta kishte këtë libër por ndërroi jetë duke mos e parë atë.

Ndërsa sot këtë libër mund ta posedojnë të gjithë pa kurrfarë lodhje dhe vështirësie, prandaj krahasoje këtë shembull….

Pra, dijetarët e mëparshëm kur kërkonin një hadith që nuk e kishin, udhëtonin për tek ai një javë, një apo dy muaj, madje mund të qëndronin në këtë udhëtim me vite të tëra, siç ka qëndruar Ibën Mendeh për dyzet vjet me radhë në kërkimin e diturisë.

Koha në të cilën jetojmë ndryshon plotësisht me kohën e tyre, lidhur me lehtësitë dhe mundësitë që posedojmë.

Çfarë na mungon të bëhemi si ata dhe të dobësohemi deri në gjendjen që po shikojmë të gjithë?!

Para se të përgjigjem dua të them se ekziston një libër i dijetarit Emijr es Sanani me titull: “Udhëzimi i kritikuesve drejt një metode më të lehtë për ixhtihad“.

Në këtë libër autori flet rreth fjalëve që përmendëm pak më parë, pikërisht për ndryshimin e kohës së paraardhësve dhe kohës në të cilën ai jetonte. Ai tregon se librat në kohën e tij ishin të shumtë dhe të bollshëm, posedimi i tyre ishte shumë i lehtë, por tek paraardhësit ishte e anasjelltë dhe nuk i kishin këto kushte.

Për çudi, marrja jonë e diturisë me marrjen e tyre ndryshojnë si qielli me tokën.

Kjo ndodh për disa shkaqe të cilat nuk u ka kushtuar rëndësi ai që ka marrë rrugën për të kërkuar dituri.

Ndër shkaqet më të rëndësishme është: Pastrimi i nijetit duke e bërë vetëm për Allahun e Madhëruar, sepse kjo dituri është në dorë të Allahut dhe kujt dëshiron t’i japë dituri dhe udhëzim, ia lehtëson rrugën për ta arritur atë. Ndërsa atij që Allahu nuk do t’i japë një gjë të tillë, sado të mundohet të marrë shkaqet, nuk ka për të arritur asgjë.

Pra realizimi i nijetit për Allahun e Madhëruar në kërkimin e kësaj diturie, është gjëja më e rëndësishme për të cilën duhet të kujdeset nxënësi.

Për këtë arsye dijetarët pëlqenin t’i fillonin librat e tyre me hadithin e Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) që thotë: “Vërtetë punët vlerësohen sipas qëllimeve dhe çdo person do shpërblehet sipas qëllimit (nijetit) të tij.”

Kjo për t’i treguar nxënësit domosdoshmërinë e përmirësimit të nijetit, sepse përmirësimi i nijetit është themeli kryesor në rrugën e kërkimit të diturisë. Ai që nuk i kushton rëndësi këtij themeli, shumë shpejt do i ndërpritet dituria dhe rrugët drejt saj. Madje Allahu i Madhëruar mund t’i bëjë ndonjë kurth duke e bërë dijetarë për në humbje apo dijetarë të keq i cili i thërret njerëzit për në zjarr, dhe si rrjedhojë të jetë nga të parët me të cilët do të ndizet zjarri ditën e gjykimit, Allahu na ruajt.

Imam Ibrahim en Nehaij thotë: Kush e kërkon dijen e hadithit për hir të dikujt tjetër dhe jo për hir të Allahut, atij do i përgatitet kurth.

Kurthi i Allahut me ata që bëjnë kurthe, nuk ka dyshim se është shumë i ashpër.

Pra, kur gjendet nijeti i saktë nuk ka dyshim se ky nijet do e ngrejë diturinë dhe kërkuesin e saj në gradat më të larta e më të ndershme. Kjo për shkak se ai nuk e kërkoi diturinë për të bërë dialogë me dijetarët apo për t’u mburrur para injorantëve, por përkundrazi, e kërkoi për hir të Allahut të Madhëruar. Ai nuk duhet t’i kalojë kufijtë por të ndjekë këshillat e Atij për të cilin pastroi nijetin.

Këto janë momentet e para të sinqeritetit që duhet të jetë tek nxënësi në rrugën e kërkimit të diturisë. Për këtë arsye selefët tanë të parë kujdeseshin shumë për nijetin duke e përmirësuar atë. Kur ata poseduan nijet të mirë në kërkimin e diturisë, atëherë arritën të ishin njerëzit me më shumë punë.

Për këtë imam Aliu thotë: Dituria i thërret punës dhe nëse ajo i përgjigjet vjen, në të kundërt, largohet.

Selefët ishin njerëzit më të preokupuar për të praktikuar dijen sepse me dijen e tyre nuk donin vetëm të shtonin numrin e dijetarëve në çështje të ndryshme, dhe as të kthenin fytyrat e njerëzve nga vetet e tyre për shkak të diturisë, njohurisë apo oratorisë që mund të kishin.

Përkundrazi, ata donin të shpëtonin nga dënimi i Allahut të Madhëruar, të fitonin xhenetin dhe kënaqësinë e Tij.

Si rrjedhojë, suksesi dhe ndihma i shoqëroi kudo. Kjo është tradita e Allahut me ata që i bëjnë nijetet e çdo pune të sinqerta, vetëm për Të…

Nëse nxënësi nuk kërkon me marrjen e diturisë shpërblimin e Allahut të Madhëruar, atëherë ai do sprovohet me ndërprerje nga kërkimi i saj ose do sprovohet në mençurinë e tij, pra lexon apo nuk lexon, mëson apo nuk mëson, ai nuk përfiton asgjë.

Madje mund të shkojë puna edhe aty sa Allahu i Madhëruar ta drejtojë në punën më të keqe e cila është: Të flasësh për Allahun pa dituri dhe pa argument.

Prandaj na del si detyrë që të kemi kujdes për këtë që përmendëm, nëse duam të kërkojmë dituri ashtu siç duhet.

Ndër shkaqet që mund të përmendim rreth neglizhencës në të cilën jetojmë, edhe pse mjetet e kërkimit të diturisë janë të pranishme, është edhe ambicia e dobët dhe dhënia pas kësaj bote.

Ambicia e lartë e cila gjendej tek selefët tanë, si imam Ahmedi, Euzai, Theuri dhe dijetarët që erdhën më pas si Ibën Abdil Ber, Ibën Kudameh, Ibën Tejmijeh dhe Ibën Kajim, nuk gjendet në mesin e njerëzve të sotëm me përjashtim të një pjese shumë të vogël për të cilën lusim Allahun ta begatojë.

Ambicia në kërkimin e diturisë është një prej gjërave themelore që kërkohet nga nxënësi, pas pastrimit të nijetit për Allahun e Madhëruar.

I Dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të), ia ka mësuar ambicien e lartë muslimanit në shumë hadithe. Në disa prej tyre ai (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kur dikush nga ju të kërkojë nga Allahu, le të kërkojë xhenetin e lartë të Firdeusit“.

Kjo thënie është shtytje për t’u pajisur me ambicie të larta, sepse ai që merr një rrugë nuk duhet të mjaftohet me pak, por të japë mundin e tij për të arritur gradat më të larta.

Kur të lutet dikush, të mos thotë: O Zot më fut në xhenet, por duhet të thotë: O Zot, kërkoj nga Ti të më japësh xhenetin e lartë të Firdeusit.

Kjo lutje do e nxitë njeriun të përgatisë vepra që bëjnë të mundur bashkëngjitjen me Firdeusin e lartë dhe me banorët e tij.

Pra, ambicia në kërkimin e diturisë është dobësuar dhe kjo ka ardhur si pasojë e shumë pengesave.

Në këto pengesa bën pjesë dynjaja, zbukurimet dhe pamjet e saj provokuese të cilat pa dyshim që janë të shumta.

Ai që e le pas dore këtë botë për hir të Allahut të Madhëruar, duke qenë i bindur se ajo nuk ka vlerë tek Allahu as sa krahu i një mize. Gjithashtu me bindjen se këtë botë Allahu ia jep atij që do dhe atij që nuk do, atëherë kjo botë bëhet e pavlerë për të dhe bindet se bota tjetër është më e mirë dhe më e gjatë, dhe si rrjedhojë ai do kërkojë me ngulm botën tjetër.

Gjithashtu përpiqet në kërkimin e diturisë e cila e shpie në kënaqësinë e Allahut dhe në xhenetin e Tij, ose me këtë person Allahu i Madhëruar ngre vlerat e këtij umeti (populli islam).

Prej shkaqeve më të rëndësishme që pengojnë nxënësit e dijes në këto kohë qe të arrijnë atë që arritën selefët, është edhe humbja e mënyrës së kërkimit të diturisë.

Mënyra e kërkimit të dijes është shumë e rëndësishme për ta arritur atë, dhe ajo është të marrësh diturinë nga poseduesit e vërtetë të saj e jo nga ata që pretendojnë se kanë dije duke u munduar t’u përngjasojnë dijetarëve por që nuk janë prej tyre.

Këta njerëz që veprojnë kështu, janë njerëzit më të rrezikshëm për të cilët Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) kishte frikë dhe për të cilët na ka tërhequr vëmendjen.

Për këta njerëz Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Prej shenjave të ditës së gjykimit është kërkimi i diturisë nga njerëzit e vegjël“, siç e ka transmetuar Taberani nga Ebi Umejeh el Xhumehi, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Për të vegjlit është thënë se janë bidatçinjtë, gjithashtu është thënë se janë të vegjlit në moshë të cilët nuk posedojnë dituri. Të dy mendimet janë të saktë por Ibën Kutejbeh ka zgjedhur mendimin se ata janë të vegjlit në moshë të cilët nuk janë të përgatitur dhe as të thelluar në dituri.

Këtë mendim e ndihmon më shumë cilësimi që Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) u ka bërë Hauarixhëve duke thënë: “Të rinj në moshë, mendje-lehtë dhe shprehen me fjalët e njeriut më të mirë“.

Pra ata mbështeten në fjalët e Profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) duke mos i vendosur fjalët e tij në vend të përshtatshëm dhe duke shpikur me vetëdije gënjeshtra për të.

Duke u nisur nga ky aspekt, dijetarët i kushtonin rëndësi mendimit kur thuhej nga ndonjë i moshuar dhe fjalës së tij i jepnin vendin që i takonte.

Nga kjo nuk duhet të kuptojmë se të rinjtë nuk kanë vlerë, përkundrazi. Nëse një i ri thellohet në dituri dhe dijetarët e kohës së tij dëshmojnë për këtë dije, në këtë rast shfaqja e tij është e saktë dhe e dobishme.

Për këtë arsye sahabët i dhanë përparësi Ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij dhe babait të tij, edhe pse ishte i vogël në moshë. Kush ishte ai qe dëshmoi për të?

Për të dëshmoi Umer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe një grup prej shokëve të Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të).

Si mos të dëshmonin kur Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) e kishte lavdëruar atë duke i thënë “Deti i umetit” dhe “Komentues i Kuranit“?! Madje për të Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) bëri lutje që Allahu ta bënte të kuptonte në fe dhe t’i mësonte komentimin e Kuranit.

Nuk ka dyshim se orientimi që bëri Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) për mos kërkimin e dijes tek ata që nuk janë të denjë për të dhe nuk dinë ta transmetojnë ashtu si kërkon Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të,) i cili e kumtoi këtë dituri, i vlen këtij umeti.

Duke u nisur nga kjo, Ibën Mesudi Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: Njerëzit do jenë mirë derisa në mesin e tyre të ketë dijetarë të mëdhenj, por kur të fillojnë ta marrin diturinë nga të vegjlit dhe nga njerëzit e këqij, atëherë do humbasin…

Nga thënia e tij përfitojmë mënyrën e kërkimit të dijes, gjithashtu mësojmë se dituria merret vetëm nga dijetarët.

Ndërsa ai që merr diturinë vetëm nga librat apo vetëm nga kasetat, nuk e ka arritur të vërtetën sepse tradita e Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të), përcjellësi i kësaj diturie, na tregon se dituria merret vetëm me anë të komunikimit dhe udhëtimeve të gjata për tek dijetarët.

Për këtë arsye erdhi Xhibrili (paqja dhe nderimet e Allahut qoshfin mbi të) si mësues tek sahabët, duke u ulur në gjunjë pranë Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të), duke i afruar gjunjët e tij me të Profetit dhe duart e tij mbi gjunjët e Profetit, më pas e pyeti.

Dijetarët nga kjo përfituan mënyrën si merret dituria. Njëri prej atyre të treve që erdhën tek Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) në kohën kur ai ishte në mexhlisin e tij iu afrua, njëri u ul mbas mexhlisit ndërsa njëri u largua. Atëherë Profeti (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) tha: “Përsa i përket njërit prej tyre i cili u afrua, Allahu iu afrua atij, dmth gjeti vend në mexhlis dhe u ul. Tjetrit i erdhi turp dhe Allahut i erdhi turp prej tij, ndërsa i fundit u largua dhe Allahu u largua prej tij.” Së fundi themi se: Mënyra e kërkimit të dijes nga goja e dijetarëve është shumë e domosdoshme.

Lusim Allahun të na japë sukses dhe përshëndetjet tona ia dërgojmë Profetit (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të), familjes dhe shokëve të tij.

Origjina e këtij materiali është mësim i mbajtur nga shejhu i nderuar Abduselam Berxhes -Allahu e mëshiroftë- në kursin e dijes që u mbajt në Imaratet e Bashkuara Arabe.

Përktheu: Fatjon Çorapi

Loading...