Këto fjalë shpesh i dëgjojmë të thuhen nga njerëz të paditur ose nga njerëz që synojnë fajin. Fjalët janë të vërteta por përdoren në kontekstin të gabuar, sepse ai që e thotë këtë po përpiqet të justifikojë mëkatin që bën. Në këtë rast ai pohon se besimi në zemër është i mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë të bësh vepra të mira apo të heqësh dorë nga veprimet e ndaluara. Ky është një gabim i dukshëm sepse besimi nuk është vetëm në zemër. Përkundrazi, besimi është siç e ka përkufizuar ehli suneti dhe xhemati; është fjalë me gojë, besim me zemër dhe veprime me gjymtyrë.
Imam Hasan el Basriu, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Besimi nuk është thjesht shfaqje e jashtme apo dëshirë e mirë, por është diçka që vendoset në zemër dhe vërtetohet nga veprimet.”
Kryerja e mëkateve dhe moskryerja e veprave të mira është një tregues se nuk ka besim në atë zemër, ose besimi që ekziston aty është i mangët. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, mos e hani kamatën.” | Al Imran:130 |
“O ju që besuat! Kini frikë Allahun dhe kërkoni mjetet për t’iu afruar Atij, dhe luftoni në rrugën e Tij që të gjeni shpëtim.” | El-Maide: 35 |
“Ata (prej tyre) që besuan Allahun dhe ditën e fundit dhe bënë vepra të mira.” | El-Maide: 69 |
“Vërtet, ata që besuan dhe bënë vepra të mira.” | El-Bekare: 277 |
“Ata prej tyre që besuan Allahun dhe ditën e fundit dhe bënë vepra të mira.” | El-Bekare: 62 |
Pra, besimi nuk mund të quhet i plotësuar nëse nuk shoqërohet me vepra të mira dhe heqje dorë nga veprat e ndaluara. Allahu i Lartësuar thotë: “Pasha kohën! Vërtet njerëzit janë në humbje! Me përjashtim të atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, që këshilluan njëri-tjetrin për të vërtetën dhe këshilluan njëri-tjetrin për durim.” | El-Asr: 1-3 |
“O ju që besuat, bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit.” | En-Nisa: 59 |
“O ju që besuat, përgjigjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ai u thërret në atë që u jep jetë.” | El-Enfal: 24 |
Ashtu sikurse nuk mjaftojnë vetëm veprat e gjymtyrëve pa besim në zemër, sepse kjo është karakteristikë e hipokritëve të cilët do jenë në shkallën më të ulët të xhehenemit.
Gjithashtu, besimi në zemër nuk është i mjaftueshëm po nuk u shoqërua me fjalët e gjuhës dhe veprat e gjymtyrëve, sepse ky është medhhebi i murxhive dhe xhehmive i cili është medhheb i kotë dhe i rremë. Por është thelbësore që besimi të jetë me zemër, me fjalë dhe me vepra.
Kryerja e mëkatit tregon se besimi që është në zemër është i dobët dhe i mangët, sepse besimi shtohet duke kryer ibadete dhe bindje (vepra të mira) dhe pakësohet me kryerjen e mëkateve.”
“El muntaka min fetaua esh shejh el Feuzan” 1/19.
Ndërsa hadithi i përmendur “Allahu shikon në zemrat tuaja”, transmetohet në Sahihun e Muslimit me nr. 2564 me këto fjalë: “Allahu nuk shikon fizionominë tuaj (të jashtme) apo pasurinë tuaj. Ai shikon zemrat dhe veprat tuaja.”
Pra është një tekst i cili tregon qartë se ajo që kërkohet është përmirësimi i zemrës dhe përmirësimi i veprave , dhe se njeriu është i urdhëruar t’i bëjë të dyja.
Nuk i lejohet muslimanit që të dështojë në kryerjen e veprave të mira apo të bëjë vepra të ndaluara, dhe pastaj të thotë se Allahu shikon vetëm në zemrat e njerëzve. Përkundrazi, Ai i shikon zemrat por shikon edhe veprat e tyre, dhe ata do t’i japin llogari për atë që kanë në zemra dhe për veprat që bëjnë.
Allahu e di më së miri!
Përktheu: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Njeriu duhet të pyesë veten, përse ndodhin këto! Udha e Besimtarëve
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Ligji i pandryshueshëm i Allahut Udha e Besimtarëve
- Begatia e vërtetë e jetës Udha e Besimtarëve
- Kategoritë e njerëzve që jetojnë për këtë botë dhe harrojnë botën tjetër Udha e Besimtarëve