Dimri dhe suneti i harruar

Dimri dhe suneti i harruar

Prej suneteve të harruara në stinën e dimrit kur është shi, borë apo ftohtë, për muezinët (shumica e tyre nuk e dinë fare se ekziston një sunet i tillë) është shtesa në ezan; “Sal-lu fi rihalikum – faluni në shtëpitë tuaja”.

Kjo bazuar në hadithin e Ibën Umerit (radijAllahu anhume) të cilin e shënon imam Muslimi (699) në hadithin e Xhabirit (Ahmedi, Muslimi etj.) dhe hadithin e Ibën Abasit (radijAllahu anhum). (Mutefekun alejhi).

Nisur nga kjo, nga muezinët kërkohet që në stinën e dimrit t’a praktikojnë këtë sunet profetik.

Por, kur duhet thënë shprehja; “sal-lu fi rihalikum”, ose “Es-Salatu fir-Rihal”, ose “Sal-lu fi Bujutikum”?

Dijetarët kanë mendime të ndryshme në lidhje me këtë gjë. Prej tyre ka që thonë se kjo thuhet pas përfundimit të ezanit. Këtë mendim e përkrah edhe imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) në shpjegimin e hadithit tek Sahihu i Muslimit.

Prej tyre ka që thonë se kjo thuhet në vend të fjalës; “hajja alas-salah, hajja alas-salah”. Pra, në vend të “hajja alas-salah” thuhet; “es-salatu fir-rihal, es-salatu fir-rihal”.

Prej tyre ka që thonë se kjo thuhet pas “hajja alas-salah”.

Por, a duhet të thotë muezini “hajja alal-felah” pas thënies “sal-lu fi rihalikum”?

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: Po (duhet t’a thotë), ngase hadithi përmend (se nuk duhet thënë) vetëm “hajja alas-salah.” “Tealikatu alal-Kafi” i Ibën Kudames.

E rëndësishme është që ky sunet duhet të ringjallet në xhamitë tona nga muezinët.

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: Personi shpërblehet dy herë për zbatimin e sunetit; një herë për ringjalljen e tij dhe një herë për praktikimin e tij.

Përgatiti: Unejs Sheme