Disa dispozita në lidhje me kurbanin

August 31, 2017

Disa dispozita në lidhje me kurbanin.

  1. El-Ud’hijeh është ajo kafshë që theret në ditët e festës se kurbanit në të gjitha vendet; në Meke etj. si afrim tek Allahu i Lartësuar. “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 25 i shejh Ibën Uthejminit.
  2. Kurbani është prej adhurimeve më të mira ngase Allahu i Lartësuar e ka përafruar në Librin e Tij me namazin. I Lartëmadhëruari thotë: “Ne të kemi dhuruar ty Keutherin. Prandaj falu për Zotin tënd dhe bëj kurban (vetëm për Të).” El-Keuther: 1-2.

Dhe thotë: “Thuaj: Me të vërtetë namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve.” El-Enam: 162-163.

  1. Dijetarët kanë mendime të ndryshme a është bërja kurban detyrë apo sunet i fortë?

Shumica janë të mendimit se është sunet i fortë. Prej tyre është dhe shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë) i cili thotë: “El-Ud’hijeh është sunet i fortë sipas fjalës më të saktë të dijetarëve”. “Fetaua islamijeh” vëll. 2, dhe “Mexhmu fetaua ue mekalat” vëll. 16, 18.

Ndërsa hadithin: “Kush ka mundësi dhe nuk bën kurban mos t’i afrohet faltores sonë“, Shejh Ibën Bazi e ka konsideruar të dobët. “Mexhmu fetaua ue mekalat”.

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ajo që më bëhet e qartë është se El-Ud’hijeh (kurbani) nuk është detyrë por është sunet i fortë. Urrehet që personi që ka mundësi të bëjë kurban ta lërë atë”. “Likaatul babil meftuuh” vëll. 1, dhe “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 24 dhe 25.

Shejhu (Allahu e mëshiroftë) në një vend tjetër thotë: “Fjala se El-Ud’hijeh është vaxhib është më e qartë (fortë) se sa (fjala) që nuk është vaxhib, por me kusht që personi të ketë mundesi.”

Dhe thotë: “Fjala se El-Ud’hijeh (kurbani) është detyrë për atë që ka mundësi është shumë e fortë, për shkak të argumentave të shumtë. Prandaj, personi që ka mundësi nuk duhet ta lërë atë”. “Esh-sherh el-Mumtiu” vëll. 7.

Prej atyre që thonë se El-Ud’hijeh (kurbani) është obligim janë: Medh’hebi i Ebu Hanifes, një transmetim tek imam Ahmedi dhe Maliku. Ndërsa nga selefët kjo është fjala e El-Euzait, Er-Rabies dhe El-Lejthit. Këtë ka zgjedhur dhe shejhul islam Ibën Tejmije, Esh-Sheukani dhe Albani (Allahu i mëshiroftë).

  1. Bërja e kurbanit ka kohë të përcaktuar, nuk lejohet të bëhet para kësaj kohe dhe as pas saj. Koha e kurbanit fillon me mbarimin e namazit të Bajramit deri në perëndimin e diellit të ditës se tretë pas festës.

Kush bën kurban brenda kësaj kohe -qoftë ditën apo natën- kurbani i tij konsiderohet i saktë. Ai që bën kurban para faljes së namazit të Bajramit kurbani i tij konsiderohet vetëm mish dhe nuk llogaritet si kurban. Prandaj ai e ka detyrë të bëj një kurban tjetër.

Kush bën kurban pas perëndimit të diellit të ditës së trembëdhjetë (Dhul-hixhe) delja/dashi i therur nuk konsiderohet kurban, përveç rastit kur ka arsye legjitime. “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 25 i shejh Ibën Uthejminit.

  1. Kafshët që bëhen kurban janë:

-Delja/dashi gjashtë muaj (e sipër).

-Dhia një vjeçare.

-Lopa dy vjeçare.

-Deveja pesë vjeçare.

Kush ther ndonjë prej kafshëve të sipërpërmendura që nuk janë në moshën e duhur, ajo nuk konsiderohet kurban. P.sh. nëse ther delen e cila është pesë muajshe ajo nuk konsiderohet kurban. “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 25, i shejh Ibën Uthejminit.

  1. Më e mira është që personi mos të ther (bëj kurban) më shumë sesa nje dele/dash për veten dhe familjen e tij, ngase Profeti ﷺ ka bërë kurban vetëm një dash për veten dhe familjen e tij. E dihet se ai ﷺ ishte krijesa më bujare dhe njeriu që më së shumti e ka dashur adhurimin ndaj Allahut dhe madhërimin e Tij. Në rastin kur ai ﷺ bëri kurban dy desh, i dyti nuk ka qenë për familjen e tij por ishte për umetin e tij. Bazuar në këtë themi se: Më e mira është që personi të mjaftohet me bërjen kurban të një dele/dashi për veten dhe familjen e tij. “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 25, i shejh Ibën Uthejminit.

Shënim: Nuk është kusht që në fillim duhet të bëjë imami kurban e më pas xhemati. Çdokush që e ther kurbanin pas faljes se namazit të Bajramit, qoftë dhe para imamit, kurbani i tij është i saktë. “El-Lexhneh ed-Daimeh” (5213).

  1. Shtatë persona bashkohen për bërjen kurban të një lope.

Transmetohet nga Xhabiri (radijAllahu anhu) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) na urdhëroi që të bashkoheshim shtatë persona në bërjen kurban të një deveje ose të një lope.” Muttefekun alejhi.

Në një transmetim tjetër thuhet: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) na tha: “Bashkohuni nga shtatë burra në bërjen kurban -blerjen dhe vlerën- të një deveje apo të një lope.” Hadith autentik. “Et-tealikat elhisan” (3780) (3908).

  1. Kafshët që nuk lejohen të bëhen kruban.

Transmetohet nga El Bera bin Azib se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Katër kafshë nuk lejohen për kurban:
-Kafsha me një sy të verbër që dallohet qartë
,

e sëmura që dallohet se është e sëmurë,

ajo që çalon dhe duket që çalon,

dhe ajo të cilës i është thyer ndonjë gjymtyrë dhe e ka humbur mendjen.” Hadith autentik. Transmeton Ebu Daudi (2802), Ibën Maxheh (3144), Irvaul Galil (1148).

  1. Nuk saktësohet asnjë hadith që tregon për vlerën e kurbanit.                                                                                                                                                                                                                                                                                            Hadithet që nuk saktësohen dhe janë të përhapura në mesin e njerëzve:

– Transmetohet nga Aisha (radijAllahu anha) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Biri i Ademit nuk kryen vepër më të dashur tek Allahu në ditën e kurbanit sesa bërja gjak (therja e kafshës). Pastaj në ditën e Kiametit ai kurban do të paraqitet me brirët, thundrat dhe qimet e tyre. Ndërsa gjaku i tij bie në një vend, tek Allahu, para se të bjerë në tokë, ndaj therrni kurban me dëshirë nga vetja juaj.” Hadith i dobët (daif). Ibën Maxheh (3126) dhe Tirmidhiu (1493).

– Transmetohet nga Zejd bin Erkam se ka thënë: Thashë – apo thanë: O i Dërguar i Allahut! Ç’janë këto kurbane? Ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Suneti i babai tuaj Ibrahimit.” Çfarë sevapi kemi ne për to? Ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Për çdo qime të tij ke një të mirë (shpërblim).” Po për leshin e deleve? Ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: “Për çdo qime nga ai ke një të mirë.” Hadith shumë i dobët (daif xhiden). Ibën Maxheh (3127) dhe Mishkah el-Mesabih (1476).

– Transmetohet nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të thotë: “Kurbani më i mirë është dashi një vjeçar prej dhenve.” Tirmidhiu (1499), Irvaul Galil (1143), Daiful Xhami (5971).

  1. Për një familje mjafton bërja e një kurbani. Por nëse në një shtëpi jetojnë prindërit me fëmijët e tyre që janë të martuar, ku secili jeton në pjesën e vet i pavaruar, në këtë rast duhet që secili prej tyre të bëjë kurban. “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 25, i Ibën Uthejminit.
  2. Më e mira është që njeriu ta therë vet kurbanin sepse ky është adhurim me të cilin ai afrohet tek Allahu i Madhëruar. Por nëse për ndonjë arsye apo tjetër nuk mundet ta therë vet, atëherë lejohet të caktojë dikë tjetër që ta kryej këtë. “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 25, i Ibën Uthejminit.
  3. I lejohet gruas ta therë vet kurbanin dhe çdo gjë tjetër, siç tregohet në historinë e robëreshës që ruante delet. Ku ujku sulmoi një dele dhe ajo mori një gur të mprehtë dhe e theri atë. Këtë e transmeton imam Buhariu (2304). Kjo ka ndodhur në kohën e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 25, i Ibën Uthejminit.
  4. I lejohet personit t’i japë jobesimtarit prej mishit të kurbanit sadaka me kusht që ai mos të jetë prej atyre që i luftojnë muslimanët. Nëse është prej atyre nuk i jepet asgjë, bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë, dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët. Allahu u ndalon t’i bëni miq ata që luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe ju dëbojnë nga vatrat tuaja, si dhe mbështesin të tjerët që t’ju dëbojnë. Kushdo që i bën miq ata është prej zullumqarëve.” El Mumtehineh: 8-9. “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 25, i Ibën Uthejminit.
  5. Kur ther kurban thua “Bismilah, uAllahu ekber. Allahumme hadha minke ue lek. Allahumme hadhihi ani ue an ehli bejti”. Nëse ther në vend të dikujt tjetër thua: “Bismilah, uAllahu ekber. Allahumme hadha minke ue lek. Allahumme hadha an…” përmend emrin e personit. Bazuar në atë që transmeton imam Ahmedi (6/391): I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur bënte kurban thoshte: “Allahumme hadha minke ue lek. Allahumme hadha an Muhamedin ue Ali Muhamed”. “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 25, i Ibën Uthejminit.
  6. Prej sunetit është që personi para se të therë kurbanin e tij të veprojë ashtu siç ka vepruar i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem). Transmetohet nga Xhabir bin Abdullah (radijAllahu anhu) se kur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) bëri kurban dy desh tha (para therjes): “Inni uexh-xhehtu uexh’hi liledhi fetaras semauati uel erda ala mil-leti Ibrahime hanifen ue ma ene minel mushrikin. Inne salati ue nusuki ue mahjaje ue memati lil-lahi rabbil alemin la sherike leh ue bidhelike umirtu ue ene minel muslimin. Allahumme minke ue leke an Muhammedin ue ummetihi. Bismilah Allahu Ekber.” Hadithin e ka konsideruar të mirë (hasen) shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) në “Tekhrixhu mishkah el Mesabih” me nr. (1406). Shih librin tonë “Sunetet e harruara” pj. 4.
  7. Lejohet që një pjesë e mishit të kurbanit të konsumohet edhe pas Bajramit. Hadithi që transmetohet nga Abdullah bin Umeri (radijAllahu anhuma) që gjendet tek Muslimi, se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Askush mos të mbajë (ruaj) asgjë prej kurbanit nëse kalojnë tri ditë.” Kjo kishte qenë për shkak se në atë kohë njerëzit i kaploi uri e madhe. Më pas kjo u shfuqizua (abrogua) me fjalën e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “U kisha ndaluar nga ruajtja (e mishit të kurbanit) sipër tri ditëve. Tani ruani sa të dëshironi dhe hani sa të doni.” Muslimi. “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 25, i Ibën Uthejminit.
  8. Njeriu ha prej kurbanit të tij sa të dëshirojë, dhuron sa të dojë dhe jep sadaka prej tij sa të dojë. Disa dijetarë thonë: Të hajë një të tretën e kurbanit, të dhurojë një të tretën dhe të jap sadaka një të tretën. “El Mugni” i Ibën Kudames (13/379). “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 25, i Ibën Uthejminit.
  9. Mendimi i disa njerëzve se kush prek diçka prej gjërave që ndalohen me futjen e muajit të Dhul-hixhes (p.sh. prerja e thonjve, shkurtimi i mustaqeve, shkurtimi i flokëve etj), kurbani i tij nuk pranohet, kjo është gabim e nuk ka lidhje me pranimin e kurbanit. Porse personi që bën këto veprime ka kundërshtuar udhërin e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). (Muslimi) Prandaj kërkohet nga ai që të kërkojë falje dhe të pendohet për këtë veprim. “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 25, i Ibën Uthejminit.
  10. Nuk lejohet të shitet ndonjë pjesë e kurbanit, qoftë mishi apo lëkura. Po ashtu nuk i jepet kasapit shërblim nga kurbani. “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 25, i Ibën Uthejminit.
  11. Prej kushteve të therjes përmendin: Personi të jetë musliman ose prej ehlul kitabit (krishterëve dhe çifutëve), të jetë i logjikshëm (jo i çmendur), të përmend emrin e Allahut (të thotë Bismilah) dhe mos të ther për tjetërkënd përveç Allahut. “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 25, i Ibën Uthejminit.
  12. Prej edukatës gjatë therjes përmendim: Drejtimi (i kurbanit) nga Kibla, therja në formën më të mirë me mjet të mprehtë (pa e munduar kafshën), kafsha të theret shtrirë duke qenë anash (përveç devesë e cila theret në këmbë), mos ta shfaq mjetin e therjes (thikën) në sy të kafshës, shtimi i tekbirit (Allahu ekber) pas përmendjes së Allahut (pas thënies Bismilah), si dhe të lutet që Allahu t’ia pranojë këtë kurban. “Mexhmu fetaua ue rasail” vëll. 26, i Ibën Uthejminit.

 

Mblodhi dhe përktheu:

Unejs Sheme

Dosje:

Loading...