Disa fjalë rreth festës së Bajramit

February 20, 2022

Në pritje të atmosferës së besimit për t’i bërë shpirtrat të përmallohen për këtë sezon të madh mirësish që po presim, po u paraprij disa fjalëve që do të thuhen – me lejen e Allahut – apo rreth të cilave do të sillen fjalët e hoxhallarëve atë ditë të madhe feste. Me shpresën se Bujari i Madh, siç na ka bërë të shijojmë ato çaste që ne s’dimë si t’i përshkruajmë sepse s’janë tokësore, të na dhurojë përsëri të tilla edhe këtë vit!

Muslimani sot ka gëzim sepse ka kryer një adhurim. Përse feston? Çfarë kuptimi ka kjo festë? Për 30 ditë pa ndërprerë i është bindur Allahut edhe pse kjo e nxjerr nga natyra e tij, sepse natyra e tij është se ai ka nevojë të ushqehet rregullisht. Por këtë muaj ndryshoi sepse ai më shumë ushqeu shpirtin me vepra që e bëjnë të fitojë Ahiretin, me vepra që e bëjnë të fitojnë kënaqësinë e Mbretit të Universit. E ushqeu shpirtin me bindje ndaj Tij, me frenim nga hallalli dhe harami për hir të Tij. Gjynahet e grumbulluara gjatë vitit i la në Ramazan; me agjërim, me lexim Kurani, me bamirësi, me namaze të shumta, me bashkim me vëllezërit, me frenim të gjuhës, të mllefit,me sakrifica për Zotin e tij, dhe Ai e shpërbleu me këtë kënaqësi të shpirtit.

Nëse bindja ndaj Allahut është e tillë që shkakton lumturi, atëherë çdo adhurim duhet të ishte i tillë dhe kjo është e vërtetë një qind për qind. Bindja ndaj Allahut i sjell lumturi robit, i’a largon brengat, i’a lehtëson hallet, i’a bën jetën më të mirë padyshim. Allahu i Madhëruar e ka bërë ligj: “Kush pason udhëzimin Tim, ai nuk do të humbasë e as nuk do të trishtohet.” (Ta Ha)

Dhe ka thënë i Madhëruari: “Kush bën vepra të mira, qoftë mashkull apo femër duke qenë besimtar, Ne do t’a bëjmë atë të jetojë një jetë të mirë.” Elhamdulilah!

Dhe ka thënë i Madhëruari: “Me të vërtetë, s’ka dyshim se të devotshmit janë në begati dhe në lumturi.” (Mutaffifin) Kanë thënë komentatorët e Kuranit: “Në të tre shtëpitë e tyre; në dynja, në jetën e varrit, dhe në Ahiret.”

Këtë kuptim ka edhe ajo që ka thënë i Dërguari i Allahut صلى الله عليه وسلم. : “Çështja e besimtarit është e gjitha e mirë për të. Nëse e prek diçka e pakëndshme ai duron dhe kjo është mirë për të, e nëse i vjen ndonjë e mirë ai falënderon dhe kjo është e mirë për të.”

Pra, në çdo gjendje që të jetë besimtari ai është në mirësi. Sprovat i shikon ashtu siç janë; si provime prej Allahut për të nxjerrë në pah anën e tij më të mirë, kënaqet me caktimin e Allahut ose më së paku duron ndaj caktimeve të Tij, nuk zemërohet me atë që i ka ndarë Zoti i Tij i Gjithëmëshirshëm, si dhe mendon mirë për Allahun. Nëse Ai i sjell të mira e falënderon për të mirat e Tij dhe e ndien bujarinë ndaj tij. Ai përpiqet që t’i përdorë ato në gjëra që kënaqin Allahun dhe falënderon për to, e Allahu i ka premtuar se nëse e bën këtë do t’ja shtojë të mirat.

Nëse bie në gjynah nxiton të pendohet, të kërkojë faljen e Allahut duke ditur se Zoti i tij dënon për gjynahun, por edhe se është Falës i madh dhe pendim-pranues. Madje Ai kënaqet me pendimin e robit më shumë se ç’mund të kënaqet robi kur shpëton nga vdekja e sigurtë. Njeriu nxiton të bëjë të mira që do t’ia shlyejnë të këqijat e mëparshme që të shpëtojë – përveç të tjerave – edhe nga qortimi i ndërgjegjes apo i shpirtit.

E çka meritoi kjo ditë të ishte festë? Muslimani që qëndron i rrethuar nga adhurimet, çdo ditë është festë për të në kuptimin që u sqarua më lartë. Fitër Bajramin Allahu i Madhëruar e veçoi me diçka shtesë, duke qenë se; “Agjërimi është për Allahun dhe Ai shpërblen për të.” Një pjesë e shpërblimit të sinqeritetit me Allahun vjen në çdo ditë që çelet agjërimi: “Agjëruesi ka dy gëzime; njërin kur e çel dhe tjetrin kur të takohet me Zotin e tij!”

Prandaj vjen ky gëzim dhe lumturi e madhe në këtë ditë pas kësaj çeljeje të madhe.

 

Dosje:

Loading...