Disa nga urtësitë dhe dobitë e haxhit

October 29, 2010

Disa nga urtësitë dhe dobitë e haxhit

Allahu thotë në Kuran:

“Dhe thirri  njerëzit për të kryer haxhin, dhe ata do të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës, me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta.

(Vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin All-llahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi) dhe për faktin që i ka furnizuar me kafshë. Hani pra prej tyre (kurbaneve) dhe ushqeni të ngushtuarin e të varfërin”.(Haxh 27-28)

Shejhu el-alameh Abdurrahman es-Sa`dij në koment të ajeteve të mësipërme ka thënë: Dmth: Të jenë tek faltorja e Allahut ashtuqë të arrijnë përfitime fetare nëpërmjet kryerjes së adhurimeve madhështore, vecanërisht atyre adhurimeve të cilat nuk gjenden askund tjetër vecse aty.Gjithashtu përfiton dobi të kësaj dunjaje, gjë e cila është e mirënjohur e dukshme për cdokënd.

Duke qenë se vetëm pak ditë na ndajnë nga ky rit i cili përbën një nga shtyllat bazë të islamit, është e përshtatshme të nxjerrim në pah disa nga kuptimet dhe përfitimet e këtij riti.

Së pari:Përmbushja me vërtetësi e njëshmërisë së Allahut dhe adhurimit të ciltër ndaj Tij, domethënie kjo, e cila gjatë haxhit pasqyrohet në nivelet më të larta.Haxhi është nënshtrim dhe përulje, distancim nga dunjaja duke emigruar nga kënaqësitë e saj drejt Zotit të tij, dorëzim para madhërisë së Tij, braktis përkohësisht familjen, kënaqësitë bashkëshortore,stolisjet dhe parfumosjen,pasurinë, vatanin, i zhveshur nga rrobat e tij, me kokë të zbuluar, modest, zhvendoset nga njëri  rit tek tjetri me zemër të përulur, me sy të përlotur, me gjuhë që përmend Allahun, duke shpresuar në faljen dhe mëshirën e Tij.

Së dyti:Edukimi me cilësinë e shfrytëzimit të kohës, e cila është kapitali më i cmuar që njeriu posedon dhe që duhet ta ruajë nga shpërdorimi apo neglizhimi

Gjatë ditëve të pakta të haxhit njeriu kryen vepra madhore, në vende të ndryshme, me njëfarë përshkrimi distance mes tyre dhe dyndje njerëzish.Fakt ky që tregon se njeriu zotëron një potencial të madh veprimi të cilin nëse e kultivon dhe e shfrytëzon, do arrijë fryte të shumëfishuara. Kjo duhet ta edukojë muslimanin ta ketë zakon të tijin shfrytëzimin e kohës.

Së treti:Forcimi i lidhjes së muslimanëve me pikë referimin e tyre, kiblen drejt së cilës tubohen të gjithë në formën më të lartë të adhurimit që është namazi, duke qenë në vetvete distancim nga orientimi drejt  perëndimit mohues apo lindjes komuniste ateiste, sepse muslimanët kanë krenarinë, vlerat dhe parimet e tyre.

Së katërti:Haxhi është mundësi e volitshme për tiu afruar Allahut me lloje të ndryshme adhurimesh, madje me adhurime të atilla që nuk i gjen në asnjë vend apo kohë tjetër si psh qëndrimi në Arafat, fjetja në Muzdelifeh, gjuajtja e gurëve, prerja e kurbanit në ato vende të caktuara,tavafi rreth Qabes, etj.  Për këtë arsye haxhi është nga veprat më të mira.

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu i cili tha: U pyet Profeti salallahu alejhi ue selem : Cila është vepra më e mirë? Tha: “ Besimi në Allahun dhe të dërguarin e Tij”. Iu tha: Po më pas? Tha: “ Xhihadi në rrugë të Allahut”. Iu tha : Po më pas? Tha: “Haxhi i pranuar”. (Transmeton Buharu dhe Muslimi)

Ebu esh-Sha`thau ka thënë: Analizova veprat e mira në tërësi dhe konkludova se namazi angazhon trupin, po ashtu dhe agjërimi.Sadakaja angazhon pasurinë, ndërsa haxhi i angazhon të dyja(trupin dhe pasurinë).

Së pesti:Haxhi është një nga mundësitë më të mira dhe të vecanta që i jepen njeriut për të shlyer mëkatet dhe për të ngritur gradat.

Transmetohet nga Amru bin el Asi radijallahu anhu i cili tha:Kur Allahu ma lëshoi islamin në zemrën time, vajta tek Profeti salallahu alejhi ue selem dhe i thashë: Zgjate dorën tënde që të të jap besën. Profeti salallahu alejhi ue selem e zgjati dorën e tij, mirëpo unë e tërhoqa dorën time. Ai më tha: “Cfarë ke o Amr”? Thashë: Dua të vë kushte. Tha: “ Cfarë kushti doje që të vije”? Tha: Që të më falen mëkatet e mia. Tha: “ A nuk e di se islami i shlyen mëkatet e mëparshme, a nuk e di se hixhreti i shlyen mëkatet e mëparshme, a nuk e di se haxhi i shlyen mëkatet e mëparshme?!”. (Transmeton Muslimi)

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu se ai ka thënë: E kam dëgjuar Profetin salallahu alejhi ue selem  duke thënë: “Kush e kryen haxhin duke mos folur fjalë të pahijshme dhe duke mos bërë mëkate, kthehet i pa mëkate si në ditën kur e ka lindur nëna e tij”. (Transmeton Buhariu)

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “ Umreja  i shlyen mëkatet deri në umren tjetër, ndërsa haxhi i pranuar ka si shpërblim vetëm xhenetin” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Së gjashti:Haxhi është nga llojet më të mira të xhihadit.

Transmetohet nga Aisheja radijallahu anha e cila tha: O Rasulallah, ne e shohim se xhihadi është vepra më e mirë, prandaj a të marrim dhe ne pjesë në xhihad? Profeti salallahu alejhi ue selem tha : “ Xhihadi më i mirë është haxhi i pranuar” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Së shtati:Haxhi është xhihadi i grave, i të moshuarve dhe të pafuqishmëve.

Transmetohet nga Aisheja  radijallahu anha  e cila tha: Thashë: O Rasulallah, a të marrim dhe ne pjesë në betejate xhihadit sëbashku me ju? Tha: “ Xhihadi më i mirë dhe më i bukur është haxhi i pranuar”. Aisheja tha:Nuk do e lë kurrë haxhin pasiqë e dëgjova këtë fjalë nga Profeti salallahu alejhi ue selem . (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu  se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Xhihadi i të moshuarit, të pafuqishmit dhe i gruas, është: haxhi dhe umreja”. (Transmeton Nesaiu dhe e ka konsideruar hasen Albani)
Së teti:Fragmentet mbresëlënëse të rralla dhe të papërsëritshme që njeriu përjeton gjatë haxhit dhe që lënë gjurmë të pashlyeshme në zemrën e muslimanit, duke qenë kjo një nga tiparet dalluese të haxhit.

Psh përkujton Ibrahimin alejhis-selam, teuhidin në të cilin ishte prijës dhe thirrës, emigrimin në rrugë të Allahut, thirrjen e tij për haxh pas rindërtimit të Qabes, lutjet e tij për Meken, bereqetin e së cilave e shohim dhe sot.

Përkujton cfarë i ngjau Haxheres nënës së Ismailit me ecjen e saj ndërmjet Safasë dhe Meruas, ecje që u shndërrua në traditë të vazhdueshme dhe kusht prej kushteve të haxhit, ndodhinë e shfaqjes së burimit Zem-zem, ujit të begatë deri në Ditën e Gjykimit.

Përkujton Ismailin në pjesëmarrjen e tij me të atin në rindërtimin e Qabes, mirësjelljen e tij me të atin dhe bindjen ndaj tij pavarësisht urdhërit paraprak për sakrifikimin e tij. Përkujton se Meka është atdheu dhe vendlindja e Profetit salallahu alejhi ue selem, nga aty filloi shpallja dhe shkrepëtiu drita e islamit.

Përkujton njerëzit e nderuar që kanë shkelur aty dhe kanë adhuruar Allahun, profetë dhe të dërguar, sahabë dhe besimtarë të devotshëm, duke ndjerë në vetvete se është vazhdimësi e këtij karvani fisnik të begatë duke krijuar lidhje të fortë me të parët e kësaj feje dhe në të njëjtën kohë i shtohet dashuria për ta dhe vullneti për t`i pasuar ata hap pas hapi.

Përjeton madhështinë e faltores së parë dhe më të dalluar në botë e cila është plot begati dhe udhëzim për njerëzimin.

Përkujton momentin e vdekjes kur del nga kjo dunja i veshur me copë të bardhë ashtu sic ihrami i tij është i bardhë, i thjeshtë dhe modest.

Përkujton Ditën e Gjykimit kur të gjithë njerëzit mblidhen në një vend në një kohë, me një qëllim dhe të robëruar para Allahut, ashtu sic mblidhen të gjithë njëkohësisht në Muzdelifeh në një shesh të vetëm.

Së nënti:Haxhi është një nga shkaqet e shtimit të furnizimit.

Transmetohet nga Xhabiri radijallahu anhu se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “ Kryejeni vazhdimisht (herë pas here) haxhin dhe umren, sepse ato e largojnë varfërinë dhe mëkatet ashtu sic e largon farka papastërtinë nga floriri dhe argjendi” (Transmeton Taberaniu, Darekutni dhe e saktësoi Albani)

Transmetohet nga Ibn Mesudi radijallahu anhu se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kryejini herë pas here haxhin dhe umren sepse ato e largojnë varfërinë dhe mëkatet ashtu sic e largon farka papastërtinë nga floriri dhe argjendi ndërsa haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përvec xhenetit” (Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu dhe e saktësoi Albani)

Së dhjeti:Lutja e haxhiut është e pranuar.

Transmetohet nga Ibn Umeri radijallahu anhuma nga Profeti salallahu alejhi ue selem i cili ka thënë: “Luftëtari në rrugë të Allahut, haxhiu dhe ai që bën umre, janë delegacioni mysafir tek Allahu, Ai i ftoi  dhe ata iu përgjigjën, ata iu lutën Atij dhe Ai ua plotësoi kërkesat (ua dha cfarë deshën)”. (Transmeton Ibn Maxheh, Ibn Hibani dhe e saktësoi Albani)
Së njëmbëdhjeti:Haxhiu është nën garancinë dhe mbrojtjen e Allahut.

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu nga Profeti salallahu alejhi ue selem se ai ka thënë: “ Tre kategori njerëzish janë nën garancinë dhe mbrojtjen e Allahut: Një person i cili del për në një nga xhamitë e Allahut, një person që doli luftëtar në rrugën e Allahut dhe një person që ka dalë për në haxh”. (Transmeton Ebu Nuajmi dhe e saktësoi Albani)

Përgatiti: Shuajb Rexha

Loading...