Disa nga veçoritë e muajit të Ramazanit

Disa nga veçoritë e muajit të Ramazanit

1-  Agjërimi i muajit të Ramazanit është njëra ndër pesë shtyllat bazë të Islamit.

Profeti (alejhi selam) thotë: “Islami ngrihet mbi pesë shtylla: Deklarimi se askush dhe asgjë nuk meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit, dhe agjërimi i muajit të Ramazanit.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)

2- Ramazani është muaji në të cilin ka zbritur Kurani.

Allahu i Madhëruar thotë: “Muaji i Ramazanit në të cilin zbriti Kurani i cili është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues i saj nga rruga e shtrembër. Prandaj, cilido që e arrin këtë muaj le ta agjërojë atë.” (El Bekare: 185)

3- Në muajin e Ramazanit hapen portat e Xhenetit, mbyllen portat e zjarrit dhe prangosen djajtë.

Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Natën e parë të Ramazanit prangosen djajtë dhe xhinët më agresorë, mbyllen portat e zjarrit duke mos mbetur e hapur asnjë portë e tij, hapen portat e Xhenetit duke mos mbetur e mbyllur asnjë portë e tij, dhe thërret një thirrës: ‘O ti që e do të mirën, afrohu! O ti që e do të keqen, frenohu!’ Allahu liron njerëz nga zjarri në çdo natë të Ramazanit.” (Transmeton Tirmidhiu dhe e ka saktësuar Albani.)

4- Në këtë muaj gjendet nata e Kadrit e cila është më e mirë se një mijë muaj.

Ebu Hurejra tregon se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “U ka ardhur Ramazani, muaji i begatë. Allahu ua ka obliguar agjërimin e këtij muaji. Në të hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen në pranga djajtë më agresorë.

Allahu në këtë muaj ka caktuar një natë e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e kësaj nate është privuar nga çdo e mirë.” (E transmeton Nesaiu. Hadithi është Sahih.)

5- Agjërimi i Ramazanit bëhet shkak për faljen e gjynaheve të kaluara.

Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, do t`i falen mëkatet që ka bërë më herët.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)

6- Në këtë muaj pranohen lutjet dhe lirohen njerëz nga zjarri.

Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Allahu për çdo ditë dhe natë (të Ramazanit) liron njerëz nga zjarri dhe çdonjërit prej tyre do t’i pranohet lutja.” (E transmeton Ahmedi. Hadithi është Sahih.)