Disa njerëz i merr gjumi dhe kur bëhet ikameti nuk marin abdes

May 24, 2025

📋 20 – Prej shkeljeve që ndodhin mes njerëzve sa i përket abdesit dhe pastrimit ritual është edhe rasti kur:

Disa njerëz i merr gjumi, dhe në momentin kur bëhet thirrja (ikameti) për namaz – veçanërisht për namazin e sabahut dhe të xhumasë – ata ngrihen dhe falen me xhematin, pa i kushtuar rëndësi faktit që kanë fjetur dhe pa u shqetësuar për ndikimin e gjumit në vlefshmërinë e abdesit.

Ky i mjerë nuk e kupton se një pjesë gjumi e prish abdesin, e për pasojë, ai është duke u falur pa abdes, dhe kështu namazi i tij nuk është i vlefshëm.

Në këtë kuadër, po paraqesim një fetva të shejh Abdul Aziz bin Abdullah bin Baz që lidhet me këtë çështje – dhe lusim Allahun që të sjellë dobi për këdo që e lexon.

Shejhut i është bërë kjo pyetje – lidhur me ata që flenë në Xhaminë e Shenjtë (el-Mesxhidu’l-Haram) para namazit të drekës apo ikindisë, dhe më pas vjen dikush që i zgjon, dhe ata ngrihen për t’u falur pa marrë abdes. E njëjta gjë ndodh edhe me disa gra. Cili është gjykimi për këtë? Na tregoni, Allahu ju shpërbleftë.

✍ Shejhu është përgjigjur me këto fjalë:

Gjumi e prish abdesin, nëse është gjumë i thellë që e largon ndjeshmërinë (vetëdijen), bazuar në hadithin e transmetuar nga sahabiu i nderuar Safuan bin Assal el-Muradi – Allahu qoftë i kënaqur me të – i cili ka thënë:

“I Dërguari i Allahut ﷺ na urdhëroi kur ishim në udhëtim, që të mos i hiqnim mestet për tri ditë e netët e tyre, përveçse në rast xhunubllëku, ndërsa për shkak të nevojës së madhe, të vogël apo gjumit – jo.”

(E përcjell Nesaiu dhe Tirmidhiu, me formulimin e këtij të fundit, dhe është saktësuar nga Ibn Huzejme.

Gjithashtu, në një hadith të transmetuar nga Muauije – Allahu qoftë i kënaqur me të – Profeti ﷺ ka thënë: “Sytë janë lidhëse (kapëse) e anusit. Kur flenë sytë, lirohet lidhësja.”

E përcjell Ahmedi dhe Taberaniu. Në zinxhirin e tij ka dobësi, por ka dëshmi të tjera që e përforcojnë, siç është hadithi i përmendur i Safuanit, dhe për këtë arsye hadithi vlerësohet si i mirë.

Nga kjo mësojme se:

Kush fle nga burrat apo gratë në Xhaminë e Shenjtë (el-Mesxhidu’l-Haram) apo në ndonjë xhami tjetër, i prishet abdesi dhe i kërkohet të marrë sërish abdes. Nëse falet pa abdes, namazi i tij nuk është i vlefshëm.

📒 Abdesi i plotë sipas Sheriatit është:

Larja e fytyrës duke përfshirë shpëlarjen e gojës dhe hundës. Larja e të dy duarve deri në bërryla.

Prekja e kokës me duar të lagura, përfshirë dhe veshët. Larja e të dy këmbëve deri te kyçet.

Nuk ka nevojë për istinxha (pastrim të vendit të nevojës) pas gjumit apo për arsye të daljes së gazrave, prekjes së organit gjenital, apo ngrënies së mishit të devesë.

Istinxhaja (pastrimi i vendit të nevojës me ujë) apo istixhmari (pastrimi me gur ose letër) janë të detyrueshme vetëm pas urinës dhe nevojës së madhe (dhe çdo gjë që është e ngjashme me to) para marrjes së abdesit.

Sa i përket dremitjes (gjumit të lehtë), ajo nuk e prish abdesin, sepse nuk shoqërohet me humbje të vetëdijes.

Me këtë mënyrë, përputhen të gjitha hadithet që kanë ardhur në këtë çështje.

Allahu është Mbrojtësi dhe Ai që jep suksesin.

Këtu përfundon përgjigjja e Shejhut – Allahu e mëshiroftë.

✍ Dr. Abdul Aziz es Sed’han

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...