Disa prej Veçorive Dalluese të Kuranit

March 7, 2023

Disa prej veçorive dalluese të Kuranit famëlartë:

1- Kurani është fjala e Allahut që ia zbriti të dërguarit tonë Muhamedit, salAllahu alejhi ve sel-lem. Ai fillon me suren El Fatiha dhe mbyllet me suren En Nas.

2- Leximi i Kuranit është adhurim, qoftë brenda namazit apo jashtë tij. Me leximin e ajeteve të Kuranit përfitohen shumë shpërblime bazuar në fjalën e Profetit, salAllahu alejhi ve se-lem, që thotë: “Kush lexon një shkronjë prej librit të Allahut ai do të fitojë një shpërblim, dhe ky shumëfishohet në dhjetë shpërblime të tilla. Unë nuk u them se “elif, lam, mim” është një shkronjë e vetme. Përkundrazi, elifi është shkronjë më vete, lami është shkronjë dhe mimi është shkronjë.” [1]

Për leximin e sureve të ndryshme të Kuranit përcillen shumë hadithe autentike, si; surja El Bekare, Al Imran, El Mulk, El Kehf, En Nas, El Felek dhe të tjera.

3- Namazi nuk është i vlefshëm vetëm me këndimin e Kuranit, dhe kjo bazuar në thënien e Profetit salAllahu alejhi ve se-lem i cili ka thënë: “Nuk ka namaz për atë që nuk e lexon suren El Fatiha.” [2]

4- Kurani është i ruajtur nga ndryshimet apo shtrembërimet, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Sigurisht që Ne e kemi shpallur Kuranin, dhe sigurisht që Ne do ta ruajmë atë.” |El Hixhr: 9| Ndërsa librat e tjerë qiellorë si Teurati dhe Inxhili janë ndryshuar nga jehudët dhe të krishterët.

5- Kurani është i ruajtur nga çdo kundërthënie, siç thotë Allahu i Lartësuar: “A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut do të gjenin në të shumë kundërthënie.” |En Nisa: 82|

6- Allahu e ka lehtësuar memorizimin e tij bazuar në ajetin ku thotë: “Vërtet, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar.” |El Kamer: 40|

7- Kurani famëlratë është sfidues sepse askush nuk mund të sjellë diçka të ngjashëm me të. Allahu i Lartësuar i sfidoi arabët që të sjellin diçka të ngjashme por nuk mundën. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse ata thonë: Ai (Muhamedi) e ka trilluar atë (Kuranin), – thuaju: Atëherë sillni një sure të ngjashme me të dhe thirrni (në ndihmë) kë të mundni përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën.” |Junus: 38|

8- Zbritja e qetësisë dhe mëshirës mbi atë që lexon Kuranin. Profeti salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Sa herë që një grup njerëzish mblidhen në një shtëpi prej shtëpive të Allahut duke lexuar Kuranin dhe duke e studiuar atë ndërmjet tyre, padyshim se mbi ta; do të zbresë qetësia, do t’i mbulojë mëshira, engjëjt do t’i rrethojnë, dhe Allahu do t’i përmendë tek ata që janë me Të.”[3]

9- Kurani është për të gjallët dhe jo për të vdekurit. Allahu i Madhëruar thotë: “Për t’i dhënë një paralajmërim atij që është gjallë.” |Jasin: 70| Si dhe fjala e Allahut që thotë: “Dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar.” |En Nexhm: 39|

Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, doli në konkluzionin: Shpërblimi i leximit të Kuranit nuk mund t’i arrijë apo t’i dhurohet të vdekurit, sepse ky lexim nuk është nga ajo që ai ka fituar apo vepruar. Megjithatë, sa i përket leximit të Kuranit nga fëmija për prindërit e tij, atëherë shpërblimi për këtë recitim mund t’iu arrijë prindërve sepse fëmija është rezultat dhe fitim i prindërve të tij, siç thuhet në hadith: “Dhe fëmijët e tij janë pjesë e mundimeve të tij.”[4]

Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”

Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Fatjon Isufi

——————————————————

[1] Hadithi është i saktë, e përcjell Tirmidhiu.

[2] Muttefekun alejhi.

[3] E përcjell Muslimi etj.

[4] E ka saktësuar autori i librit “Xhami el Usul”.

Dosje: ,

Loading...