Disa rregulla në lidhje me mrekullitë shkencore të Kuranit

September 18, 2017

Pyetje: Çfarë kushtesh fetare ka lidhja e disa të vërtetave shkencore me ajete të caktuara nga Kurani? Sepse realisht vërehet njëfarë zgjerimi i tepruar në këtë fushë. A mund të na e shtjelloni pak më shumë këtë çështje?

Përgjigje: Mrekullitë shkencore të Kuranit unë nuk i shikoj si një shkencë më vete por si një mjet për të ftuar të tjerët në Islam. Prandaj, kjo shkencë duhet të kufizohet brenda kësaj kornize dhe të përdoret si mënyrë për ftesë në Islam dhe për tua bërë njerëzve të dashur Kuranin, për të sqaruar se Allahu i Lartmadhëruar është i vërtetë dhe se mesazhi i Tij është i vërtetë, se Kurani është i vërtetë e të tjera si këto. Kjo gjë ndikon shumë tek fillestarët. Unë mbaj mend nga rinia ime se sa shumë na pëlqenin këto lloj ligjëratash rreth mrekullive shkencore të Kuranit. Këto gjëra janë tërheqëse për rininë dhe ata që sapo kanë filluar rrugën e diturisë dhe të fesë, i bëjnë ata të jenë të vëdijshëm për madhështinë e Kuranit edhe kur ai trajton çështje shkencore. Prandaj, siç thashë dhe më lart, ato janë një mjet bashkëkohor për t’i ftuar njerëzit në Islam.

Ai që e përdor këtë mjet duhet të jetë dijetar ose pasues me bindje i një dijetari të besueshëm, dhe nuk duhet të besojë çdo gjë që thuhet në këtë fushë. Sepse çdo gjë që kanë thënë se është mrekulli shkencore e Kuranit, disa njerëz e marrin dhe e përcjellin si të tillë. Kjo nuk është metodë e saktë. Një herë u gjenda në një situatë ku dikush në një kanal televiziv, po fliste për një mrekulli mjekësore të përmendur në Kuran, por ai që po fliste nuk ishte doktor. Një nga të pranishmit ishte doktor dhe tha: Jo, këto fjalë nuk janë të sakta shkencërisht, sepse tani kanë zbuluar se kështu dhe kështu …

Prandaj duhet të përdoret si mjet për davet por me masë, dhe ai që i përcjell këto të dhëna duhet ta bëjë atë në një mënyrë që nuk është definitive (kështu dhe s’e luan topi). Por njeriu duhet të jetë i kufizuar dhe i ruajtur, të ruajë veten e tij duke u shprehur me mënyra të tilla si p.sh.: ‘Prej kuptimeve të këtij ajeti mund të jetë edhe ajo që ka zbuluar shkenca ….’ D.m.th. e rrethon Kuranin me një kufi mbrojtës dhe respekt ndaj tij sepse ai është fjala e Allahut të Lartmadhëruar, prandaj nuk i ka hije atij që të shpjegohet me teoritë njerëzore (në formë të prerë, sepse ato janë teori dhe jo fakte të prera shkencore). Ama nëse ato janë shndërruar nga teori në aksioma dhe fakte të pranuara, të pakundërshtueshme në rrethet e gjera shkencore, atëherë dihet se fakti i prerë shkencor nuk bie ndesh me një të vërtetë absolute (që është fjala e Allahut) nëse kuptimi i ajetit është definitiv (që është ai dhe jo një tjetër).

Por duhet pasur parasysh se komentimi i Kuranit sipas fakteve shkencore ka disa kushte.

Së pari: Fakti shkencor të jetë i vërtetë dhe i prerë dhe jo teori nën shqyrtim apo e mundshme (hipotezë), apo në studim e sipër d.m.th. një fakt akoma i paprovuar nën eksperimentim, por të jetë i pranuar prej të gjithë shkencëtarëve.

Së dyti: Kuptimi i këtij ajeti nga ana gjuhësore të tregojë për atë fakt shkencor p.sh.: Dikush komenton një ajet dhe e lidh me ajetin por ajeti nuk është në atë temë. Pra ai e lidh komentimin e ajetit me një fakt shkencor, por ajeti nga ana gjuhësore nuk e përmban atë kuptim.

Së treti: Komentimi i Kuranit duke e lidhur atë me të vërtetat shkencore të bëhet nga dikush që është specialist në atë fushë, në atë degë të shkencës për të cilën flet ajeti. Nëse ajeti p.sh. ka lidhje me shkencën e gjeologjisë, ai që e lidh ajetin me faktin shkencor të jetë një gjeolog, pastaj njerëzit pas tij mund ta përcjellin këtë gjë prej tij. Por ai i pari që e bën lidhjen mes ajetit dhe faktit shkencor duhet të jetë i specializuar në atë fushë për të cilën bën fjalë ajeti dhe të ketë dituri rreth saj. Fizikanti flet për ligjet e fizikës, astronomi flet për çështjet e astronomisë, mjeku për mjekësinë, e kështu me rradhë. Por të vijë dikush dhe t’i mbledhë të gjitha fushat; ato të fizikës, të kimisë, etj … kur ai vet është mjek, kjo është mungesë respekti ndaj Kuranit dhe nuk e shikoj të përshtatshme që të hyjë në këtë fushë. (Sh.p. vetëm nëse mbledh ato që kanë thënë specialistët e çdo fushe.)

Pra përfitojmë prej fakteve shkencore të përmendura në Kuran, por kur në këto tema flasin ata që janë të specializuar në to me këto tri kushte që përmendëm:

  1. Që fakti shkencor të jetë i vërtetë i pranuar prej dijetarëve, dhe jo hipotezë apo teori.
  2. Që kuptimi i ajetit të jetë definitiv i formës së prerë, që bën fjalë për atë gjë që e përmban kuptimi gjuhësor i ajetit. Dhe po qe i tillë sigurisht që sahabët kanë folur për të dhe nuk bie ndesh me fjalët e tyre.
  3. Që këtë lidhje mes ajetit dhe faktit shkencor ta bëjë dikush që është i specializuar në atë fushë.

Allahu e di më së miri!

Shejh Salih Al esh Shejh – profesor i shkencave të Kuranit dhe ministër i fesë në Arabinë Saudite.

Loading...