Disa shembuj bashkëkohorë që flasin për kujdesin e dijetarëve ndaj librave

Pas gjithë kësaj shëtitjeje në jetët e dijetarëve të shekujve të kaluar dhe të vendeve të largëta, duket sikur ndonjë lexues dëshiron të thotë: Ata ishin një popull që kanë shkuar dhe breza të largët, a mund të na tregosh ndonjë shembull të afërt dhe model të gjallë?

Themi: Po, e sa të shumtë janë ata!

Shejhu, dijetari i madh Xhemaluddin el Kasimij ed Dimeshkij (v. 1332 hixhrij) tregon për veten e vet, duke folur për ambicien e lartë në librin e tij “El fadlul mubin”: “E kam lexuar ‘Të saktin e Muslimit’ me mirësinë e Allahut të Lartësuar plotësisht me transmetime për 40 ditë. Kam lexuar Sunenin e Ibn Maxhes po ashtu për 21 ditë, ‘Muuetta’ po ashtu për 19 ditë, ‘Tehdhibut tehdhib’ me saktësim të lapsuseve në të dhe poshtshënimet e tij për 10 ditë! Prandaj, mjaft qortove përtacinë dhe shfrytëzoje kohën tënde të shtrenjtë duke mësuar diturinë dhe duke përsosur punët e tua.”

Po aty ai tregon se e ka lexuar “Tarikhud dimeshk” (Historia e Damaskut) të Ibn Asakirit (v. 571), e cila tani është e botuar në 70 vëllime!

Shejh Muhammed Bedruddin el Hasenij (v. 1354) dijetari i madh, muhadithi, dinte përmendësh ‘Dy të saktët’ me zinxhirët e transmetimit të tyre dhe afërsisht 20 mijë vargje prej teksteve shkencore. Ai ishte gjithmonë i angazhuar me dituri dhe studim, duke u dhënë pas kësaj në tërësi pa u marrë me diçka tjetër derisa arriti prej saj një pjesë të madhe. Thotë shejh Alij Tantauij – Allahu e mëshiroftë: “Madje ai ulej për të lexuar natën. Kur i vinte gjumë e mbështeste kokën tek disa jastekë që ia kishin bërë gati, ashtu flinte dy apo tri orë me ndërprerje gjatë natës dhe një orë ditën.”

Dhe thotë gjithashtu: “Lexonte gjithmonë. Nuk ndahej nga leximi vetëm se kur flinte, kur ishte në namaz apo në mësim, apo duke shkuar rrugës nga xhamia për në shtëpi. Nuk u nda kurrë nga librat e as pati nevojë që të shikonte me syze. Vdiq me shikim të mprehtë dhe nuk dashuroi asgjë tjetër nga dynjaja veç librave… Do ta blinte ndonjë libër për të cilin dëgjonte edhe sikur të ishte botuar në fund të Indisë, dhe i blinte dorshkrimet edhe sikur të paguante sa pesha e tyre flori. Ai nuk e linte një libër derisa ta lexonte apo ta shfletonte me vëmendje…”

Shembull i gjallë i cili jetoi në mesin tonë deri disa muaj më parë ishte edhe dijetari i madh, shkrimtari i shquar, njeriu i penës dhe i shprehjeve origjinale shejhu Alij et Tantauij (v. 1420) – Allahu e mëshiroftë. Ai ka një artikull në “Edh dhikrajat” (Kujtimet) me titull: “Puna ime e vazhdueshme është studimi”. Aty ka përmendur dashurinë e tij të zjarrtë në mënyrë konstante për leximin qysh prej vegjëlisë, që kur ishte në shkollën fillore, pa dikë që ta orientonte apo ta mësonte. Dhe thotë: “Unë jam sot ashtu siç isha dje, ashtu siç kam qenë që në fëmijëri, ku më të shumtën e ditës e kaloj në shtëpi duke lexuar. Ndonjëherë ka ditë që lexoj deri në 300 faqe! Mesatarja e leximit tim është 100 faqe (në ditë) që prej vitit (1340) deri këtë vit (1402)! 62 vjet, llogariteni sa ditë ka në to dhe shumëzojini me 100 dhe kështu do të dini sa faqe kam lexuar. Lexoj në çdo fushë, madje edhe në njohuritë shkencore.”

Po ashtu në “Dhikrajat” ai flet për sasinë e leximit të tij – me gjithë angazhimin në profesionin e gjykatësit në Damask (çdo ditë nga 30 çështje gjyqësore), mbikqyrjen e seancave të ndërmjetësimit, punën si drejtues i tri institucioneve; ministrisë së fesë, shoqatës së jetimëve dhe katedrës së fakulteteve fetare. Me gjithë leksionet që jepte në fakultet, në shkollën e mesme për djemtë dhe vajzat, e përveç këtyre ishte edhe predikues i ditës së xhuma, lektor në disa klube kulturore, pjesmarrës në emisione radiofonike dhe autor i një artikulli të përditshëm në gazeta! Ai kryente gjithë këto punë e megjithatë çdo ditë lexonte 200 apo 300 faqe!!! Dhe thoshte: “Unë vazhdoj kështu që ditën që kam mësuar të lexoj kur isha i vogël, d.m.th. që prej 70 vitesh pa pak. Kohën që më mbetet e shfrytëzoj të gjithën për lexim.”

Sikur të mblidhja tregimet rreth dijetarëve të shekullit të shkuar (në këtë temë) do të dilte një libër më vete, por më mjafton këtu kjo që përmenda. Është aq sa duhet për të marrë përvojë dhe mësim ai që është i interesuar. E kush dëshiron të zgjerohet le të kthehet tek jetëshkrimet e dijetarëve të këtij shekulli të cilat janë të bollshme.

“Nxitësi për lexim.”

Përktheu: Emin Bilali