Disa shembuj që tregojnë gjendjen e sahabëve në shtimin e diturisë

March 2, 2017

Sahabët – Allahu qoftë i kënaqur prej tyre – e panë atë që e kishin shembull,  Muhamedin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe kujdesin që tregonte ai ndaj diturisë dhe ecën hapave të tij, e na sollën shembuj të rrallë në kujdesin ndaj saj dhe sakrificës për të.

Abdullah ibn Mes’udi – radijallahu anhu – kur lexonte fjalën e Allahut të Lartësuar: “Dhe thuaj: ‘Zoti im më shto dituri’ thoshte: “All llahumme zidnij ilmen ue iimanen dhe jekijna” (Zoti im më shto dituri, besim dhe bindje (siguri në besim)”[1] Dhe prej zellit dhe dëshirës së tij të madhe për dituri tha: “Pasha Allahun përveç të Cilit s’ka të adhuruar tjetër me të drejtë, nuk ka zbritur ndonjë sure prej Librit të Allahut veçse unë e di ku ka zbritur. Dhe nuk ka zbritur ndonjë ajet në Librin e Allahut veçse unë e di se për kë ka zbritur. Dhe sikur të njihje dikë më të dijshëm se unë rreth Librit të Allahut të cilin mund ta arrijnë devetë, do të kisha shkuar drejt tij”[2]

Ja, ky është Ebu Hurejrah – Allahu qoftë i kënaqur prej tij, hafizi i (memoria e) sahabëve. E përshkruan atë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – si të kujdesshëm ndaj diturisë. (Imam) Bukhari ka veçuar një kapitull në “Të saktin” e tij ku thotë: “Tema: Kujdesi ndaj hadithit” dhe aty përmend hadithin e Ebu Hurejras dhe pyetjen që ai i bën Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – për njeriun më të lumtur me ndërmjetësimin (shefatin) e tij. Dhe Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ia kthen: “Isha i bindur se nuk do të më pyeste askush përpara teje për këtë hadith o Ebu Hurejrah, për shkak të interesimit tënd të madh ndaj hadithit…”[3]

Thotë El Bedr el Ajnij në “Umdetul karij” [4]: “Prej tij kuptohet interesimi për diturinë dhe të mirën, sepse kush interesohet kërkon kuptimet e fshehura dhe të imëta, sepse të gjithë njerëzit pyesin për gjërat e dukshme, të qarta, sepse ato u vijnë në mendje, ndërsa për kuptimet e holla nuk pyet veçse ai që ka hedhur rrënjë (në dituri), dhe kështu ai bëhet shkak për përfitimin e të tjerëve, dhe për këtë ai shpërblehet dhe merr edhe shpërblimet e atyre që punojnë me të deri në Ditën e Kijametit”.

Xhabir ibn Abdilah el Ensarij – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – udhëtoi nga Medineja (qyteti) i Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – deri në Egjipt, një muaj me deve, vetëm për të dëgjuar një hadith të vetëm. Pati frikë se mos vdiste dhe nuk do ta dëgjonte![5]   

Darimiu përcjell me zinxhir të saktë se Abdullah ibn Burejdeh ka thënë: Një burrë nga shokët e Lajmëtarit të Allahut saus udhëtoi drejt Fudaleh ibn Ubejdit i cili jetonte në Egjipt. Shkoi tek ai dhe i tha: Unë nuk kam ardhur për të të vizituar, por unë dhe ti kemi dëgjuar një hadith prej të Dërguarit të Allahut saus. Dhe shpresova se do të kesh dituri për të…”[6]

Hafidhi (Ibn Haxheri) ka përcjellë në “El Fet’h” (210/1) shembuj të tillë pastaj ka thënë: “Dhe gjurmimi i këtyre shembujve është diçka që zgjat shumë”. Khatibi ka përpiluar një libër dhe e ka quajtur: “Er rihletu fi talebil hadith” (Udhëtimi në kërkim të hadithit) për ata dijetarë që kanë udhëtuar vetëm për të dëgjuar një hadith.

“Nxitësi për lexim dhe kërkim të diturisë”

Autor: Alij ibn Muhammed el Imranij

Përktheu Emin Bilali

[1] Transmeton Seid ibn Mensuri dhe Abd ibn Humejdi, siç qëndron te “Ed durrul menthur” (553/4).

[2] Transmeton Bukhari (5002) dhe Muslimi (2463).

[3] “El fet’h” (233/1)

[4] (128/2)

[5] Transmeton Ahmedi (495/3), Bukhari në “El edbul mufrad” fq. 287 etj. Për njërën prej rrugëve të transmetimit të tij Ibn Haxheri ka thënë: “Zinxhiri i tij është i saktë” shiko “Fet’hul Barij” (209/1).

[6] Sunen ed Darimij” (151/1) dhe Khatibi në “Er rihleh” (124-125). Të dy ata e përcjellin prej Jezid ibn Harunit nga Xhurejriu.

Loading...