Disa shkelje që ndodhin gjatë marrjes së abdesit – 7 –

May 30, 2025

24 – Disa njerëz besojnë se abdesi nuk është i plotë vetëm nëse çdo pjesë (e trupit) lahet nga tri herë.

Ky mendim është i gabuar. Imam Buhariu në “Sahih”-un e tij ka vendosur kapitujt:

“Kapitulli i marrjes së abdesit (larjes së pjesëve) nga një herë”

“Kapitulli i marrjes së abdesit (larjes së pjesëve) nga dy herë”

“Kapitulli i marrjes së abdesit (larjes së pjesëve) nga tri herë”

Nën kapitullin e parë Buhariu përmendi hadithin e Ibn Abbasit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij dhe prej babait të tij, i cili tha:

“I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) mori abdes (duke i larë pjesët) një e nga një herë.”

Nën kapitullin e dytë përmendi hadithin e Abdullah ibn Zejdit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili tha:

“I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) mori abdes (duke i larë pjesët) dy e nga dy herë.”

Ndërsa nën kapitullin e tretë përmendi hadithin e Othman ibn Affanit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili tha:

“I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) mori abdes (duke i larë pjesët) nga tri herë.”

Pra, këto hadithe tregojnë për lejueshmërinë e marrjes së abdesit duke i larë gjymtyrët një herë, dy apo tri herë.

25 – Teprimi në larjen e pjesëve të abdesit më shumë se tri herë.

Kjo ndodh nga disa njerëz që besojnë se sa më shumë t’i lajnë pjesët e abdesit, aq më shumë shpërblim fitojnë.

Ky është mashtrim nga shejtani, sepse nëse një vepër nuk është e ligjëruar, ajo është e refuzuar, siç ka thënë Profeti (paqja qoftë mbi të):

“Kush fut në çështjen tonë diçka që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.” [Muttefekun alejhi]

Në një transmetim tjetër ka thënë:

“Kush bën një vepër që nuk është sipas çështjes sonë, ajo është e refuzuar.”

✍ Dr. Abdul Aziz es Sed’han

Përshtati: Fatjon Isufi

 

Dosje: ,

Loading...