Dispozita për pastrimin e vendeve që preken nga qeni

June 4, 2020

LIBRI “BULUGUL MERAM”

DISPOZITA E ENËS NË TË CILËN LËPIN QENI

10 – Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti i Zotit (Paqja qoftë mbi të)  ka thënë: ‘’Pastrimi i enës së ndonjërit prej jush kur në të lëpin qeni bëhet duke e larë atë shtatë herë, herën e parë me dhe.’’

Këtë hadith e ka transmetuar Muslimi. Në një version tjetër të tijin thuhet: (…le ta derdhë atë…). Ndërsa në versionin që transmeton Tirmidhiu thuhet: (herën e fundit ose herën e parë me dhe).

 

DOBITË E PËRFITUARA NGA HADITHI

1 – Ena në të cilën lëpin qeni duhet të pastrohet.

2 – Ajo pastrohet duke e larë shtatë herë.

3 – Larja e parë duhet të bëhet me dhe.

4 – Nuk lejohet mbajtja e qenit në ambientet e brendshme të banesave sepse ndot enët.

A ËSHTË QENI I PASTËR APO I PISTË?

Nuk ka dilemë mes shkollave juridike Islame përsa i përket çështjes se mishi i qenit është i paligjshëm që të hahet. Gjithashtu nuk ka dilemë midis tyre përsa i takon jashtëqitjes së qenit që ajo është e pistë, siç ka deklaruar Imam Bejhakiu dhe imam Neveviu (Allahu i mëshiroftë). El Mexhmu: 2/568) Përsa u përket qimeve, jargëve putrave dhe trupit të tij, shkollat juridike janë ndarë në disa mendime në lidhje me to.

1 – Sipas shkollës Hanefite qeni nuk është i tëri i pistë. I pistë nga qeni  konsiderohet; mishi, djersa dhe jargët e tij. Ndërsa qimet, putrat dhe pjesët e tjera të trupit nuk janë të pista. (Hashijetu Ibën Abidin; 1/204)

Ky ishte dhe mendimi i Ibën Tejmijes (Allahu e mëshiroftë).

2 – Sipas shkollës Malikite qimet, jargët dhe çdo pjesë tjetër e trupit të qenit është e pastër për sa kohë që është gjallë, bazuar në rregullin e tyre që çdo gjë e gjallë është e pastër.(Esh Sherh Es Sagir; 1/43-44)

3 – Sipas shkollës Shafiite dhe hanbelite qeni është i tëri i pistë. Pra; jargët, qimet, putrat dhe çdo gjë tjetër e tij është e pistë. (El Umm; 1/8 dhe El Mugni; 1/35)

A ËSHTË E DOMOSDOSHME LARJA E ENËS SHTATË HERË DHE NJËRA PREJ LARJEVE TË JETË ME DHE?

1 – Sipas shkollës Shafiite dhe hanbelite larja e enës deri në shtatë herë duke përdorur dhe në njërën prej tyre, është e detyrueshme bazuar në tekstin e mësipërm ku Profeti (Paqja qoftë mbi të) ka dhënë urdhër që ena të lahet shtatë dhe njëra prej larjeve të jetë me dhe. Preferohet që larja të bëhet në fillim pasiqë kështu vjen në rrugët më të sakta të hadithit. (El Mugni; 1/73 dhe El Mexhmu; 2/598)

2 – Sipas shkollës Hanefite larja deri në shtatë herë nuk është e detyrueshme. Numri i larjeve në hadith është përmendur për të treguar që duhet të kujdesemi në maksimum që ena të jetë larë sa më mirë. Një arsye që na bën të themi se numri i larjeve nuk është i detyrueshëm, është se numri i larjeve nuk ka ardhur fiks në të gjitha rrugët e haditheve që janë transmetuar në këtë çështje. Në disa rrugë numri është shtatë, në disa tetë, në disa tre… etj. Larja me dhe është e pëlqyeshme e jo kusht, sepse në disa rrugë të hadithit nuk përmendet fare larja me dhe gjë që të jep të kuptosh se përdorimi i dheut nuk është kusht. (El Meusuatul El Fikhijjeh El Kuvejtijjeh tema “Qeni”.)

3 – Sipas shkollës Malikite duhet të lahet shtatë herë me ujë për shkak të urdhërit që ka ardhur. Përdorimi i dheut nuk është i detyrueshëm për shkak se ai nuk është përmendur në të gjitha transmetimet. Sipas tyre urdhëri për larjen e enës nuk ka ardhur sepse ena ndotet nga lëpirja e qenit në të, por thjesht për arsye higjenike ose si masë parandaluese ngase mundet që qeni që ka lëpirë në enë  të ketë ndonjë sëmundje ngjitëse. Argumenti i shkollës Malikite që qeni është i pastër në tërësinë e tij, është fakti që sheriati ka lejuar të gjuhet gjahu nëpërmjet tij. Po të ishte i pistë nuk do të ishte e lejuar të gjuhej gjahu me të, sepse ai e prek gjahun me gjuhën e tij. (Bidajetul Muxhtehid: 1/36-37)

Përgjigja e tri shkollave të tjera juridike ndaj argumetimit të Malikive me faktin që: Nëse qeni do të ishte i pistë nuk do të lejohej të përdorej për gjueti”, është se ky argumentim është i pavlefshëm për vetë faktin se përdorimi i qenit në gjueti është lejuar nga nevoja dhe jo sepse ai është i pastër.

A MUND TË PËRDOREN SOLUCIONET PASTRUESE NË VEND TË DHEUT?

Sipas shkollës Shafiite nuk lejohet të përdoren solucione të tjera pastruese në vend të dheut, pasiqë hadithi e ka cilësuar në mënyrë të qartë të përdoret dheu. (Sherhu Nevevi ala Muslim: 3/185)

Të njëjtin mendim ka edhe shkolla Hanbelite, vetëm se shkolla Hanbelite e lejon zëvendimin e dheut me solucionet pastruese në mungesë të dheut, ose kur ena apo rroba mund të dëmtohet nga dheu. (El Mugni: 1/53)

Sipas shkollës Hanefite dhe Malikite lejohet të përdoren solucionet pastruese në vend të dheut pasiqë përdorimi i dheut nuk është i detyrueshëm. Ai është përmendur thjesht si shembull për të treguar se preferohet që bashkë me ujin të përdoret edhe diçka tjetër që ndihmon për t’a pastruar enën apo rrobën sa më mirë. Po ashtu, fakti që urdhëri për të përdorur dheun nuk është përmendur në të gjitha rrugët e hadithit tregon se përdorimi i tij nuk është obligim.

Komisioni i fetvave është pyetur: Cila është dispozita e jargëve të qenit kur bien mbi trupin e njeriut ose mbi rrobat e tij?

Përgjigja: Jargët e qenit janë të pista dhe është obligim që të lahet ena ose rroba e cila është prekur nga jargët e tij. Kjo mbështetur në hadithin profetik : ‘’Pastrimi i enës së ndonjërit prej jush kur në të lëpin qeni bëhet duke e larë shtatë herë, herën e parë me dhe.’’ (Muslimi: 279) Nëse rrobat futen në ujë të pastër dhe lahen derisa të zhduken shenjat e ndytësisë, ato bëhen të pastra me kusht që proçesi i larjes të përsëritet shtatë herë, hera e parë të bëhet me dhe ose me çdo gjë që ka të njëjtin funksion si p.sh. sapuni… etj.

Fetvaja nr: 17558

RROBA E CILA ËSHTË LËPIRË NGA QENI

Sipas Malikive jargët e qenit nuk janë të pista, prandaj dhe rroba e lëpirë nga ai nuk bëhet pis dhe nuk është e nevojshme të pastrohet. Urdhëri që ka ardhur për të larë enën në të cilën ka lëpirë qeni është për higjenën e përgjithshme e jo sepse ena është ndotur.

Sipas shkollave të tjera juridike ajo konsiderohet e pistë dhe duhet larë. Shkolla Hanbelite dhe Shafiite janë të mendimit që duhet larë shtatë herë siç veprohet me enën në të cilën ka lëpirë qeni. Ndërsa shkolla hanefite është e mendimit që larja shtatë herë nuk është kusht, ajo lahet aq herë sa nevojitet të pastrohet.

 RROBA E CILA ËSHTË PREKUR NGA QIMET APO PUTRAT E QENIT

Sipas shkollës Shafiite dhe Hanbelite qimet e qenit apo putrat e tij që janë të lagura kur prekin rrobën e bëjnë pis atë, prandaj ajo duhet larë sikurse lahet kur lëpihet nga qeni. (Sherhu Nevevi: 3/185)

Sipas shkollës Hanefite dhe Malikite qimet dhe putrat e qenit nuk e bëjnë pis rrobën. I këtij mendimi ishte edhe Ibën Tejmijeh. (El Fetaua El Kubra: 1/246)

 

Përshtati: Rexhep Milaqi

 

Loading...