Dispozitat e ujit të ndenjur

KAPITULLI I UJËRAVE

LIBRI BULUGUL MERAM

DISPOZITAT E UJIT TË NDENJUR

Hadithi 6 – Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti (Paqja e Zotit qoftë mbi të) ka thënë: ‘’Asnjëri nga ju nuk duhet të lahet në ujë të ndenjur duke qenë xhunub.’’

Ky është teksti i Muslimit. Ndërsa teksti i Buhariut është: ‘’Asnjë nga ju nuk duhet që të urinojë në ujin e ndenjur që nuk rrjedh e më pas të lahet në të’.’

Shënim: Me ujin e ndenjur në këtë hadith nënkuptohen; pellgjet, gropat, hurdhat dhe enët e ndryshme që mbajnë sasi të vogja uji.

Shënim: Xhunub konsiderohet mashkulli apo femra që ka kryer marrëdhënie intime dhe nuk është larë.

Dobitë e përfituara nga hadithi:

Nga hadithi i lartpërmendur përfitohet ndalesa e larjes së personit i cili është xhunub në ujin e ndenjur që është i pakët në sasi.

Arsyeja e ndalimit: Sipas një mendimi të shkollës Hanefite arsyeja e ndalimit është ngase një gjë e tillë e bën ujin të papastër, për pasojë ai nuk mund të përdoret më për abdes apo për gusël.

Ndërsa sipas shkollës Shafiite dhe Hanbelite dhe mendimit tjetër të shkollës Hanefite, arsyeja e ndalesës është ngaqë një gjë e tillë bën që uji të humbasë vetinë e të qënurit pastrues, pra ai edhe pse nuk është ndotur nuk vlen për të marrë abdes apo gusël me të.

Ndërsa sipas shkollës Malikite arsyeja e ndalimit është; larja e personit xhunub në ujin e ndenjur bën që të tjerët të neveriten prej tij, jo sepse uji ndotet apo humbet vetinë e pastrimit. Pra ky lloj i ujit mund të përdoret përsëri për abdes apo për gusul. Ky është dhe mendimi i Ibën Hazmit, i Ibën Tejmijes, i Ibën Bazit dhe i Ibën Uthejminit. (Sahih Fikh Es Sunneh: 1/106, El Mexhmu: 1/150, El Mugni: 1/131, El Muhal-la: 1/183, Mexhmu El Fetaua: 20/519)

Gjithashtu, nga hadithi i lartpërmendur përfitohet ndalesa e urinimit në ujin e ndenjur.

Sipas shkollës Hanefite urinimi në ujin e paktë të ndenjur është veprim i  ndaluar (haram). Al-lamah Ibën Abidin Esh Shami (Allahu e mëshiroftë) thotë: Sa i takon ujit të ndenjur të pakët, urinimi në të është i ndaluar (haram) sepse urinimi e ndot dhe e bën atë të pashfrytëzueshëm. (Radd El Muhtar: 1/342)

Sipas Shkollës Malikite ndalesa e urinimit në ujin e ndenjur kur është i paktë është gjest i urryer, e nëse përsëritet atëherë bëhet i ndaluar (haram). (Hashijetu Adevi: 1/144)

Sipas shkollës Shafiite një gjë e tillë është e papëlqyeshme (mekruh). Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) thotë: Dijetarët tanë kanë thënë që urinimi në ujin e ndenjur është i papëlqyeshëm, qoftë i paktë apo i bollshëm. Kjo çështje ka nevojë për rishqyrtim. Urinimi në ujin e paktë duhet të konsiderohet veprim i ndaluar (haram) sepse një gjë e tillë e ndot dhe e prish ujin. (El Mexhmu: 2/93)

Sipas Shkollës Hanbelite urinimi në ujin e ndenjur është veprim i papëlqyeshëm (mekruh). (Keshaf El Kina: 1/63)

 

Përshtati: Rexhep Milaqi