Dispozitat dhe gjykimet fetare ashtu siç përftohen nga Libri i Allahut (Kurani), ashtu përftohen dhe nga tradita e saktë profetike (Suneti). Allahu i Madhëruar thotë:قُلْ أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ ۖ فَإِن تَوَلَّوْا فَإِنَّمَا عَلَيْهِ مَا حُمِّلَ وَعَلَيْكُم مَّا حُمِّلْتُمْ ۖ
وَإِن تُطِيعُوهُ تَهْتَدُوا ۚ وَمَا عَلَى الرَّسُولِ إِلَّا الْبَلَاغُ الْمُبِينُ
“Thuaj: Respektojeni Allahun dhe respektojeni të Dërguarin! Nëse ata refuzojnë, atëherë atij (të Dërguarit) i takon përgjegjësia me ç’ka është i ngarkuar ndërsa juve përgjegjësia me ç’ka jeni ngarkuar. Nëse i bindeni atij atëherë keni gjetur të vërtetën. I Dërguari është i obliguar vetëm të përcjellë qartë (mesazhin Hyjnor).” (Nur: 54)
Gjithashtu thotë:
قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ ۗ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَّحِيمٌ
“Thuaju (o Muhamed): Nëse e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua që Allahu t’ju dojë dhe t’ua falë mëkatet. Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” (Al-Imran: 31)
Në suren Nisa thotë:
فَلَا وَرَبِّكَ لَا يُؤْمِنُونَ حَتَّىٰ يُحَكِّمُوكَ فِيمَا شَجَرَ بَيْنَهُمْ
“Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) përderisa nuk të zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre…” (Nisa: 61)
Po në suren Nisa ajeti 80, thotë:
مَّن يُطِعِ الرَّسُولَ فَقَدْ أَطَاعَ اللَّهَ ۖ
“Kush i bindet të Dërguarit, ai i është bindur Allahut.” (Nisa: 80)
Ndërsa po në këtë sure në ajetin 115, thotë:
وَمَن يُشَاقِقِ الرَّسُولَ مِن بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُ الْهُدَىٰ وَيَتَّبِعْ غَيْرَ سَبِيلِ الْمُؤْمِنِينَ
نُوَلِّهِ مَا تَوَلَّىٰ وَنُصْلِهِ جَهَنَّمَ ۖ وَسَاءَتْ مَصِيرًا
“Kush i kundërvihet të Dërguarit pasi që i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që ka zgjedhur (në dynja) dhe e fusim në Xhehenem (në botën tjetër). Sa përfundim i keq është ai.” (Nisa: 115)
Në suren Nexhm thotë:
وَمَا يَنطِقُ عَنِ الْهَوَىٰ إِنْ هُوَ إِلَّا وَحْيٌ يُوحَىٰ
“Ai (Profeti) nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore që i shpallet.”(Nexhm: 4-5)
Në suren Nahl Allahu i Madhëruar thotë:
وَأَنزَلْنَا إِلَيْكَ الذِّكْرَ لِتُبَيِّنَ لِلنَّاسِ مَا نُزِّلَ إِلَيْهِمْ وَلَعَلَّهُمْ يَتَفَكَّرُونَ
“Ty (o Muhamed) ta zbritëm Përkujtesën me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë.” (Nahl: 44)
Në suren Hashr Allahu i Madhëruar thotë:
وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانتَهُوا ۚ وَاتَّقُوا اللَّهَ ۖ إِنَّ اللَّهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ
“Çfarëdo që u jep i Dërguari merreni (zbatojeni), e nga ajo që u ka ndaluar distancohuni prej saj. Dhe kini frikë Allahun se Allahu është Ndëshkues i ashpër.” (Hashr: 7)
Këto ajete dhe të tjera përveç tyre e bëjnë të qartë obligueshmërinë e marrjes së dispozitave dhe gjykimeve fetare prej traditës së saktë profetike.
Shtojcë:
Dijetarët e hadithit dhe juristët islam e kanë përkufizuar sunetin si më poshtë:
“Bashkësia e fjalëve, veprave dhe aprovimeve të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).”
Allahu i Madhëruar ia zbriti Kuranin Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) në mënyrë që ai t’ua kumtojë dhe t’ua sqarojë njerëzve. Pasi urdhëresat dhe mesazhi që gjendet në të nuk kuptohet ndryshe veçse duke u sqaruar dhe duke u zbatuar në praktikë, duke përfshirë të gjitha çështjet shoqërore dhe sociale të nevojshme.
Mirëpo mund të ndodhë që për disa çështje të mos ketë zbritur argument prej Kuranit, e në këtë rast i Dërguari i Allahut (alejhi selam) gjykonte në ato çështje sipas asaj që i frymëzonte Zoti i tij, ose e analizonte çështjen dhe Allahu e udhëzonte tek ajo që ishte më e drejta.
Padyshim që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) është shembulltyra më e denjë dhe pishtari ndriçues për popullin musliman. Çdo vepër e tij, qoftë ajo qëndrim apo lëvizje, për muslimanin konsiderohet normë dhe ligj për t’u pasuar dhe zbatuar.
Duke studiuar traditën profetike hulumtuesi musliman arrin të kuptojë rëndësinë dhe vlerën e madhe që ka Suneti në legjislacionin islam, në njohjen e dispozitave fetare dhe në vendosjen e atyre normave ligjore për të cilat nuk ka zbritur argument i drejtpërdrejtë në Kuranin e madhërishëm.Prej kësaj veçorie, Suneti tek muslimanët konsiderohet burimi i dytë themelor në përftimin e dispozitave ligjore dhe fetare, sikurse ai është shpjeguesi, sqaruesi dhe komentuesi i Kuranit të madhërishëm.
Ndoshta shërbimi më i rëndësishëm që Suneti kryen kundrejt Kuranit është pikërisht shkoqitja dhe qartësimi i çështjeve të cilat në Kuran janë përmendur në formë përmbledhëse, dhe forma e detajuar e të cilave nuk mund të njihet ndryshe veçse nëpërmjet traditës profetike. Siç mund të përmendim; formën e namazit, kohën e tij, kushtet që duhet të plotësohen etj. Po ashtu, edhe në lidhje me zekatin është suneti ai që na tregon sa është vlera e cila e bën obligim nxjerrjen e zekatit. Të njëjtën gjë themi edhe për formën e kryerjes së Haxhit, si dhe për të gjitha dispozitat që kanë të bëjnë me adhurimet apo që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërnjerëzore, kodin civil, kodin penal, shitblerjen etj.
Pra, janë të shumta ato çështje të cilat në Kuranin e madhërishëm janë përmendur në formë përmbledhëse, ndërsa forma e detajuar dhe shpjegimi i tyre gjendet në Sunetin profetik.
Një tjetër kontribut i rëndësishëm i Sunetit kundrejt Kuranit është edhe fakti se ai tregon përjashtimin e disa çështjeve specifike mbi të cilat nuk zbatohet përgjithësimi që gjendet në Kuran, dhe këtë nuk mund ta mësojmë veçse nëpërmjet Sunetit.
Po ashtu, shumë prej ajeteve kuranore nuk mund t’i kuptojmë ashtu siç duhet veçse nëpërmjet shpjegimit dhe komentimit që gjendet në traditën profetike. Kjo sepse Kurani është libër gjithëpërfshirës, dhe ajetet e tij në përgjithësi trajtojnë bazat e çështjeve dhe rrallë herë hyjnë në sqarimin e detajuar të tyre, detyrë të cilën e kryen më së miri Suneti profetik.
Veç asaj që kemi përmendur më sipër, sqarojmë se mund të ndodhë që disa dispozita të cilat nuk janë trajtuar në Kuranin e madhërishëm të trajtohen posaçërisht në Sunetin profetik. Pra, Suneti mund të shtojë dispozita të cilat nuk janë përmendur në asnjë ajet të Kuranit, si p.sh.: Ndalimi i të bashkuarit në një martesë ndërmjet bashkëshortes dhe hallës apo tezes së saj, moslejueshmëria e ngrenies së mishit të gomarit, obligueshmëria e sadakasë së Fitrit etj.
Përgatiti: Edmond Ajdini
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures el Fatihah në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Cila është mënyra më e mirë për të memorizuar? Meshhur Hasen