DITA E RINGJALLJES

February 19, 2021

Besimi në Ditën e Ringjalljes është një prej bazave themelore të Islamit.
Kur besimtari ndodhet në agoninë e vdekjes i vijnë engjëjt dhe e urojnë për të mirat që e presin. Çasti i vdekjes është vendimtar për fatin e besimtarit në jetën tjetër. Çdo gjë varet nga fundi i jetës.
Varri është banesa e parë e jetës tjetër. Besimtari duhet t’i lutet Allahut t’a shpëtojë nga shtrëngimi dhe dënimi i varrit.
Kjo Gjithësi një ditë do të prishet dhe do të shkatërrohet.
Shkatërrimi i Gjithësisë do të paraprihet nga disa shenja që do të sinjalizojnë afrimin e shkatërrimit të saj.
Shenjat që sinjalizojnë afrimin e shkatërrimit të Gjithësisë ndahen në dy kategori: Shenjat e vogla dhe shenjat e mëdha.
Shenjat e vogla janë disa llojesh:
– Ato që kanë ndodhur një herë dhe nuk përsëriten më, si; Ardhja e Profetit të fundit Muhamedit a.s. dhe vdekja e tij. Ndarja e Hënës më dyshë në kohën e tij etj.
– Ato që përsëriten herë pas here, si; Dalja e profetëve të rremë, tërmetet e mëdha, vullkanet, shembjet apo çarjet masive të tokës, bashkimi i popujve jomuslimanë kundër muslimanëve etj.
– Ato që priten të shfaqen si; Dalja e një mali prej ari nga lumi i Eufratit, transformimi i Gadishullit Arabik në kopshte dhe lumenj, Çlirimi i Romës, ardhja e udhëheqësit të drejtë i cili do të udhëheqë botën Islame etj.
Shenjat e mëdha janë: Dalja e Dexhalit (shpifësi i madh i cili do të pretendojë se është Zoti i Gjithësisë), rikthimi i Isait (alejhi selam), dalja e Jexhuxhëve dhe Mexhuxhëve, dalja e tymit që do të jetë dënim për jobesimtarët, lindja e diellit nga perëndimi që shënon mbarimin e afatit të pendimit, dalja e krijesës nga toka e cila do t’i vërë shenjë besimtarit që të dallohet nga jobesimtari, fryrja e një flladi të këndshëm prej të cilit do të vdesin besimtarët, dalja e zjarrit të madh i cili do t’i tubojë njerëzit në një vend të përbashkët.
Kur të shfaqen këto shenja atëherë do të fshihet Islami nga faqja e dheut dhe do të ngrihet Kurani nga toka. Njerëzit do t’i kthehen idhujtarisë, do të shembin Qaben dhe do të shthuren nga morali.

Pasi të kenë ndodhur këto gjithësia do të shkatërrohet. Do t’i fryhet bririt për herë të parë dhe njerëzve do t’u hyjë paniku. Më pas do t’i fryhet bririt për së dyti dhe do të përplasen trupat qiellorë me njëri-tjetrin. Toka do të copëtohet, detrat do të marrin flakë, të gjitha krijesat do të vdesin me përjashtim të atyre që i përjashton Allahu i Madhëruar. Pastaj do t’i fryhet bririt për së treti dhe atëherë do të ringjallen të gjitha krijesat nga i pari deri tek i fundit.
I pari që do të dalë nga toka është Profeti ynë Muhamedi (alejhi selam).
Pasi të jenë ringjallur ata do të shkojnë drejt vendit të tubimit. Besimtarët do të trasportohen me kafshë transportuese ndërsa jobesimtarët do të tërhiqen zvarrë për hundësh. Të gjithë do të jenë të zhveshur dhe i pari që do të vishet do të jetë Ibrahimi (alejhi selam).
Pasi të mblidhen në vendin e tubimit do të vijë Allahu i Lartmadhëruar i shoqëruar nga Engjëjt radhë-radhë. Atë ditë Arshin e Allahut do e mbajnë tetë engjëj.
Besimtarët do lejohen që t’a shikojnë Allahun e Lartmadhëruar drejtëpërsëdrejti pa ndonjë pengesë, kurse jobesimtarët dhe hipokritët do të privohen nga shikimi i Tij.
Më pas, pas një paniku të madh dhe pas një ankthi të gjatë në vendin e tubimit do të hapet llogaria me ndërmjetësimin e Profetit Tonë (alejhi selam).
Do ketë nga jobesimtarët persona që do të çohen drejt e në Xhehenem pa u marrë fare në llogari, si: Faraoni, Hamani etj. Nuk do të jetë e nevojshme marrja e tyre në llogari pasiqë çështja e tyre është e qartë.
Do ketë nga besimtarët persona që nuk do të merren në llogari fare por do të shkojnë menjëherë në Xhenet. Ata janë ata të cilët ishin shumë të sinqertë dhe kishin besim të pastër dhe mbështetje të fortë tek Allahu i Lartmadhëruar.
Do ketë nga radhët e besimtarëve persona që do t’u lehtësohet llogaria duke u përmendur gabimet, të cilat do t’i pranojnë dhe më pas do lihen të lirë të shkojnë në Xhenet. Kjo quhet ”llogari e lehtë”.
Ndërsa ata që do të merren në llogari do t’a kenë shumë të vështirë pasiqë kundra tyre do të dëshmojë Libri ku është regjistruar e gjithë jeta e tyre, ku përfshihen edhe detajet më të vogla. Kundër tyre do të dëshmojnë gjithashtu edhe engjëjt edhe gjymtyrët e trupit të tyre. Kjo quhet ”llogaria e rreptë”. Ai që merret në llogari të rreptë nuk shpëton dot pa u dënuar.
Në vendin e tubimit do të jetë një rezervuar nga lumi Keuther i Profetit Tonë (alejhi selam) ku do të shuajnë etjen besimtarët e këtij Umeti. Uji i tij është më i bardhë se qumështi, më i ëmbël se mjalti, më i ftohtë se bora dhe më i këndshëm se misku. Enët e tij janë sa yjet në qiell.
Para Xhenetit mbi Xhehenem ndodhet ura. Njerëzit do të hipin mbi të për të kaluar për në Xhenet por në të do të ketë çengela. Do ketë nga ata që do t’a kalojnë urën me shpejtësinë e vetëtimës sa hap e mbyll sytë, do ketë nga ata që do t’a kalojnë me shpejtësinë e erës apo me shpejtësinë e kuajve të shpejtë. Disa do e kalojnë pa u prekur dhe pa u gërvishur nga çengelat, ndërsa disa do t’a kalojnë pasi të jenë gërvishur. Do ketë nga ata që do të bien nga ura në Xhehenem, dhe në këtë kohë Profeti ynë (alejhi selam) do jetë mbi urë duke u lutur: O Allah shpëtoji, shpëtoji!
Pasi besimtarët t’a kenë kaluar urën, ata do ndalojnë në hyrje të Xhenetit ku do t’i kërkojnë hallallin njëri-tjetrit dhe më pas do hyjnë në Xhenet me zemër të pastër.
I pari që do trokasë në portën e Xhenetit do të jetë Profeti ynë Muhamedi (alejhi selam) dhe bashkë me të do të hyjë edhe umeti i tij në Xhenet.
Umeti jonë do të përbëjë më shumë se gjysmën e banorëve të Xhenetit. Të varfërit dhe të vobektit do përbëjnë pjesën më të madhe të banorëve të Xhenetit.
Xheneti përbëhet nga tetë porta. Ai është i ndarë në nivele dhe shtresa të ndryshme.
Xhehenemi përbëhet nga shtatë porta dhe ndahet gjithashtu në nivele dhe shtresa të ndryshme.
Ata që do të hyjnë në Xhehenem si idhujtarë dhe si ateistë do të jenë aty përgjithmonë, ndërsa ata që do të hyjnë si besimtarë monoteistë dhe kanë bërë mëkate të mëdha do të jenë aty përkohësisht.
Pasi të kenë zënë të gjithë vendet e tyre nëpër Xhenet dhe Xhehenem, atëherë do të shfaroset njëherë e përgjithmonë vdekja e cila do sillet si një dash i hirtë dhe do të theret. Pas kësaj nuk do të  ketë më vdekje por vetëm Përjetësi.

Përshtati: Rexhep Milaqi

Loading...