Ditën e Kiametit do të vijë një Profet dhe me të do jetë vetëm një njeri

April 30, 2022

Transmetohet nga Ebu Seid El-Hudrij (radijAllahu anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ditën e Kiametit do të vijë një Profet dhe me të do jetë vetëm një njeri (që e ka besuar dhe pasuar). Do vijë një Profet tjetër dhe me të janë vetëm dy njerëz (që e kanë besuar dhe pasuar)…” Hadith autentik (sahih). Hadithin e përcjell Nesaiu në “Et-Tefsir” (1/197/27), Ibën Maxheh (2/1432/4284) etj.
Shejh Albani në “Es-Sahihah” (5/577/2448) ka thënë: “Zinxhiri është sahih sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit.”
Prej dobive të hadithit:
Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) në “Es-Sahihah” vëll. 2 ka thënë: “Në hadith ka argument të qartë se shumica e pasuesve apo numri i pakët i tyre nuk është kriter për të përcaktuar se thirrësi është në të vërtetën apo në të kotën. Profetët (alejhimus-salatu ues-selam) pamvarsisht se thirrja dhe feja e tyre ka qenë një, ata ndryshonin nga numri i pasuesve të tyre të pakët dhe të shumtë. Prej tyre ka patur që nuk e ka besuar vetëm se një njëri i vetëm, madje ka Profet që askush nuk e ka besuar dhe do të vijë ditën e Kiametit duke mos patur asnjë pasues.
Në këtë ka një mësim madhështor për thirrësin dhe të thirrurin (atë që ftohet në Islam) në këtë kohë; thirrësi duhet ta ketë përherë ndërmend këtë realitet dhe të vazhdojë të eci në rrugën e thirrjes drejt Allahut të Madhëruar. Asesi të mos demoralizohet me numrin e pakët të atyre që i përgjigjen thirrjes së tij, sepse ai nuk ka gjë në dorë përpos të përcjellë mesazhin. Ai për këtë ka shembullin më të mirë tek profetët e mëparshëm, ku prej tyre ka që nuk e kanë besuar vetëm së një apo dy persona.
Ndërsa i thirruri të mos ndjehet i frikësuar për numrin e pakët të atyre që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së thirrësit, e ta marrë këtë si shkak për të dyshuar në thirrjen e së vërtetës dhe braktisjen e besimit në të. E aq më keq, ta marrë këtë si dëshmi për kotësinë e thirrjes së tij (thirrësit) me argumentin se atë nuk e pason askush, ose pak prej njerëzve e pasojnë atë. Nëse thirrja e tij do ishte e vërtetë atëherë do e pasonte shumica e njerëzve! Allahu i Madhëruar thotë: “Shumica e njerëzve, sado që të dëshirosh ti, nuk janë besimtarë.” Jusuf: 103.
Unejs Sheme
Loading...