Dobi dhe mësime të përfituara nga historia e Ibrahimit (alejhi selam) Pjesa e dytë

Dobi dhe mësime të përfituara nga historia e Ibrahimit (alejhi selam)

Pjesa e dytë

11-Punëtori (ai që bën vepra të mira), ashtu sikurse duhet ta prefeksionojë punën e tij, duke e kryer në formën më të plotë, nga ana tjetër duhet të qëndrojë mes frikës dhe shpresës. Ti përgjërohet Allahut që Ai t’ia pranojë (veprat) t’ia plotësojë mangësitë dhe ta falë për të metat dhe gabimet. Kështu vepruan Ibrahimi dhe Ismaili në monetin kur po ndërtonin themelet e shtëpisë së shenjtë Ata, plotësisht ishin të pajisur me këtë cilësi (mes frikës dhe shpresës).

12- Në lutjen që njeriu i drejton Allahut,  të bashkojë mes mirësive të dunjasë dhe fesë dhe preokupimi për ti arritur (këto të dyja), është metodë që ndoqën Profetët. Feja është origjina (baza) dhe qëllimi për të cilin Allahu krijoi njerëzit. Ndërsa dunjaja është mjet dhe ndihmesë për këtë qëllim (fenë). Këtë e themi duke u bazuar në lutjen që i dashuri i Zotit, Ibrahimi, bëri për banorët e shtëpisë së shenjtë. Ai u lut për dy gjëra, duke nxjerrë në pah urtësinë e lutjes, se gjërat e kësaj bote janë mjet për falenderimin e Allahut. Ai u lut duke thënë: O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë. [Ibrahim 37].

13-Historia e Ibrahimit na mëson si duhet të jetë mikpritja e mysafirit dhe normat e rrespektit.[1] Allahu i Lartësuar na tregoi për vizitorët e tij se ishin të nderuar, pra ishin të nderuar tek Allahu, por gjithashtu edhe Ibrahimi i nderoi me pritjen e tij në fjalë dhe vepra.

Nderimi i mysafirit është prej imanit. Mjafton të dimë se Ibrahimi u shërbeu personalisht dhe e filloi i pari mikpritjen para çdo gjëje tjetër.

U shërbeu  mallin më të vyer që kishte, mishin e viçit, të pjekur e të majmë dhe ua afroi në tryezë dhe nuk i la të shkonin diku tjetër. U shtroi ushqimin dhe u kërkoi të hanin, me fjalë të buta duke u thënë: A nuk po hani? [Dharijat 27].[2]

14- Ligjshmëria e përshëndetjes me selam dhe se ai që e fillon është pikërisht ai që futet brenda (në shtëpi) dhe ai që është duke ecur. Ndërsa kthimi i tij (selamit) është detyrë.

Si dhe ligjshmërinë e të qëndruarit tek emir i atij që kontakton me ty, qoftë ai shok, apo dikushi apo ndonjë mysafir. Këtë e themi duke u bazuar në fjalën e Ibrahimit që u tha mysafirëve: “Njerëz të panjohur!”. [Hixhr 62.]

D.m.th, nuk u njoh më përpara, prandaj kam dëshirë që të prezantoheni personalisht. Kjo fjalë që u tha Ibrahimi, ishte shumë më e sjellshme se tu thoshte: Unë nuk ju njoh ju! Apo diçka tjetër.

15- Është mirë dhe inkurajuese që familja apo ata që janë të ngarkuar për mbarëvajtjen e punëve të shtëpisë, të jenë të vendosur dhe të gatshëm për çdo gjë që kërkohet pej tyre, e që ka të bëjë me çështjet e shtëpisë. Ibrahimi (alejhi selam) në momentin kur shkoi tek familja e tij, e gjeti të gatshëm (të gatuar) ushqimin për mysafirët dhe i duhej vetëm ta shërbente atë.[3]

16- Të kesh fëmijë, të përgëzohesh me ardhjen në jetë të një fëmije, ndërkohë që je në moshë të thyer, konsiderohet mrekulli ndaj Ibrahimit dhe nderim i madh për Sarën. Ngjarja e Ibrahimit tregon mrekullinë ndaj një Profeti dhe nderimin e madh ndaj një njeriu të dashur tek Zoti (Sarën).

E ngjashme me këtë ndodhi është përgëzimi që Engjëjt i dhanë Merjemes për Isain dhe përgëzimi që i dhanë Zekerijas dhe gruas së tij për Jahjan. Allahu, i dha Zekerijas argument, sepse nuk do u fliste njerëzve tri ditë, ndërkohë që ishte i pa të meta, por kjo ishte shenjë dhe sinjal. Të gjitha këto, apo fakte të tjera, janë nga Allahu dhe më mahnitësja është fakti se Allahu e krijoi Ademin nga dheu.

Larg të metave është Ai, që ka fuqi mbi çdo send.

17- Lavdërimi që Allahu i bën Ibrahimit është se ai u paraqit para zotit me zemër të pastër. Allahu i Lartësuar thotë: “Përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” [Shuara 89].

Ajo që e përmbledh kuptimin e këtij ajeti:  Bëhet fjalë për zemrën e pastër nga të këqiat dhe arsyeve që shpien tek e keqja. Është e mbushur me të mira, bamirësi dhe bujari. E ruajtur nga dyshimet që cënojnë dijen, bindjen e plotë, dhe nga epshet që pengojnë robin dhe plotësimin e tij.

Është ajo zemër e pastër nga  mllefi dhe zilia, e mbushur me teuhid, besim, modesti ndaj të vërtetës dhe njerëzve, këshillimin dhe dëshirën e madhe për tu adhuruar vetëm Allahu dhe për tu sjellë dobi robërve të Tij.

18- Fjalët që përmend Allahu në rastin e Nuhut dhe Ibrahimit, Musait, Harunit dhe Iljasit ku thotë: “Paqja qoftë me Nuhun ndërmjet gjithë krijesave!” [Safat 79]. “Paqja qoftë mbi Ibrahimin!” [Safat109].

Ai i bashkangjit me fjalët: “Ne, kështu i shpërblejmë punëdrejtët.” [Safat 80].

 

 

Marrë nga libri “Kisasul Enbija” “Historitë e Pejgamberëve”

 

Autor: Shejh Abdurrahman bin Nasir es Seadi (Allahu e mëshiroftë)

 

Përktheu: Fatjon Isufi

[1] Për më tepër rreth ajetit dhe gjërave që ai përmbledh rreth mikpritjes shih librin Er Risaleh et Tebukije fq 122-131.

[2] Fjala e Ibrahimit: “A nuk po hani?” Është mënyrë kërkimi me sjellje ndryshe nga ai që thotë: Zgjatini duart dhe merrni ushqim, hani, afrohuni etj. Shih Er Risaleh et Tebukije fq 130.

[3] Fjaa e Allahut kur thotë: Ai shkoi tek familja e tij tregon se nderimi ndaj mysafirit ishte e gatshme dhe e gatuar tek familja dhe nuk kishte nevojë të merrte dicka hua tek fqinjët apo të shkonte diku tjetër sepse nderimi i mysafirit ishte dicka që ata e prisnin gjithmonë.