Dobi dhe rregulla nga hadithi: “Islami ngrihet mbi pesë shtylla”

Transmetohet nga Ebu Abdurrahman, Abdullah bin Umer bin El-Hatabi (radijAllahu anhuma) se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) të thotë: “Islami ngrihet mbi pesë (shtylla); dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit në Qabe dhe agjërimi i Ramazanit.” Shënon Buhariu me nr. (8), dhe Muslimi me nr. (16).

Dobitë që përfitohen nga hadithi i tretë:[1]

1. Hadithi sqaron shtyllat e Islamit me anë të të cilave njeriu konsiderohet musliman dhe pa to ai del nga feja, e ato janë; namazi, zekati, haxhi dhe agjërimi i Ramazanit.

2. Hadithi nuk ka përmendur xhihadin në rrugë të Allahut ku dihet se ai është kulmi i Islamit.[2] Cili është shkaku (i mospërfshirjes së xhihadit në shtyllat e Islamit)? Ndonjëherë xhihadi bie dhe obligueshmëria e tij nuk është e vazhdueshme. Po ashtu, ai në kohën e fundit nuk do të vazhdojë, sepse kur të zbresë Isai (alejhi selam) dhe të vrasë Dexhalin, atëherë do të ngrihet (nuk do të jetë më) obligueshmëria e xhihadit.

Rregullat që përfitohen nga hadithi i tretë:

Rregull mbi zbatimin e urdhëresave: Në fe i jepet përparësi adhurimeve themelore ndaj adhurimeve dytësore. P.sh. Një person u fal gjithë natën, fali namazin e sabahut dhe ra për të fjetur e nuk u ngrit nga gjumi vetëm pasi kishte kaluar koha e namazit të drekës. Ndërsa personi tjetër fjeti pas namazit të jacisë pastaj u zgjua për faljen e namazit të sabahut, dhe namazin e drekës e fali në kohën e vet.

Cili prej tyre të dyve është më i miri?

Përgjigje: Nuk ka dyshim se i dyti, sepse namazi farz është shtyllë.

 

Përktheu: Unesj Sheme

—————————————-

  1. Sipas rradhitjes së Imam Neveviut (Allahu e mëshiroftë!) në librin e tij “Dyzet hadithet”.
  2. Siç është hadithi: “Kreu i çdo çështjeje është Islami, shtylla e tij është namazi dhe kulmi i tij është xhihadi në rrugën e Allahut”. Hadith autentik. Shënon Tirmidhiu në “El-Ijman” (2616) dhe Ibën Maxheh në “El-Fiten” (3973). Hadithin e ka saktësuar Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) në “Sahihul-Xhami” (5136).