Dobi dhe rregulla nga hadithi i pestë

Transmetohet nga nëna e besimtarëve Umu Abdullah, Aishja (radiAllahu anha), se i dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush shpik në çështjen (fenë) tonë diçka që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.” Shënon Buhariu me nr. (2697) dhe Muslimi me nr. (1718).

Në transmetimin e Muslimit: “Kush bën një vepër që nuk është në përputhje me çështjen (fenë) tonë, ajo është e refuzuar”.

Dobitë që përfitohen nga hadithi i pestë:[1]

  1. Hadithi është peshore për veprat e jashtme/dukshme, ku asnjë vepër nuk duhet të veprohet vetëm se në përputhje me legjislacionin. Atëherë, kush është peshorja e veprave të brendshme? Nijeti (qëllimi). Hadithi i parë;Veprat vlerësohen sipas qëllimit”, dhe hadithi i pestë janë vetë feja. Hadithi i parë është peshore për veprat e brendshme, kurse hadithi i pestë është peshore për veprat e jashtme. I pari –nijeti i sinqertë– nëse nuk gjendet tek vepra bën që njeriu të bier në shirk, ndërsa i pesti –bërja e veprës në përputhje me fenë– nëse mungon atëherë njeriu bie në bidat (shpikje në fe).
  2. Hadithi është argument për ndalimin e shpikjes së diçkaje në fe.

Rregullat që përfitohen nga hadithi i pestë:

  1. Rregulli fikhor: Çdo gjë për të cilin ka ekzistuar shkaku i tij në kohën e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe ai nuk e ka vepruar, marrja e tij si pjesë, mjet apo formë e adhurimit, konsiderohet bidat.
  2. Rregulli fikhor: Ndalimi i bërjes së një vepre do të thotë se ajo është e pavlefshme (dhe e refuzuar nëse veprohet). Këtë e kemi përfituar nga fjala e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem); “ajo është e refuzuar”. P.sh. shit-blerja pas thirrjes së ezanit të dytë për namazin e xhumasë është e ndaluar, e për rrjedhojë fitimi dhe shitja konsiderohen haram. Në lidhje me këtë ka përcjellë ixhmanë (konsensusin) Is’hak bin Rahevejh (shih Fet’hul-Barij, 5/433 i Ibën Rexhebit), Ibën Hazmi (shih ‘El-Muhal-la’, 7/519), Ibën Rushdi (shih ‘Bidajetul-Muxhtehid’, 3/186) etj.
  3. Nëse ndalesa ka të bëjë me gjërat jashtë veprës dhe jo me vet veprën, kjo nuk do të thotë se vepra konsiderohet e kotë (e pavlerë apo haram). P.sh. ai që vjedh një rrobë e pastaj e fal namazin me të, veprimi i tij (vjedhja e rrobës) është haram ndërsa namazi i tij konsiderohet i saktë.

 

Përktheu: Unejs Sheme

———————————-

[1] Sipas radhitjes së Imam Neveviut (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “Dyzet hadithet”.