Dobi në shpjegimin e fjalës së Teuhidit

Dobi në shpjegimin e fjalës së Teuhidit

Falënderimet dhe lavdatat i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve! Dëshmoj se nuk e meriton adhurimin askush tjetër me të drejtë përveç Allahut, të Vetëm pa ortak, si dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të, familjen dhe të gjithë shokët e tij.

Dobia më e rëndësishme në shpjegimin e fjalës së teuhidit janë hadithet e përcjella nga i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) për dhikrin që bënte në përfundim të çdo namazi ku thoshte:

“Askush dhe asgjë tjetër nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, të Vetëm e të Pashoq. Ai është Zotëruesi i gjithçkaje (në qiej dhe në Tokë), vetëm Atij i përket falenderimi (ynë), Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka. Askush dhe asgjë tjetër përveç Allahut nuk ka forcë mbi ne. Vetëm Allahu meriton të adhurohet dhe ne nuk adhurojmë tjetër përveç Tij. E Tij është mirësia që gëzojmë, Atij i përket nderimi e lartësimi. Vetëm Allahu meriton të adhurohet, Atë adhurojmë me çiltërsi të plotë, edhe sikur (këtë çiltërsi) t’a urrejnë jobesimtarët.”

Ky dhikër është prej sunetit që t’a thotë çdo musliman në përfundim të namazit të tij. Këtu, fjala e teuhidit (njëhsimit) përsëritet tri herë. Në përfumdim të çdo namazi thua: “Asgjë nuk e meriton adhurimin përveç Allahut.” Kjo thënie përsëritet tri herë ku në të trija herët shoqërohet me atë çka e shpjegon këtë fjalë.

Herën e parë kur e thua: “Asgjë nuk e meriton adhurimin përveç Allahut, të Vetëm pa ortak.” – do të thotë se kjo fjalë përmban mohim dhe pohim. Mohimin e adhurimit ndaj çdo gjëje tjetër përpos Allahut, dhe pohimin se adhurimi me të gjitha kuptimet e tij i takon vetëm Allahut. Fjala: “të Vetëm e pa ortak”, përforcon pohimin dhe mohimin që përmban kjo fjalë. Sepse fjala “të vetëm” është përforcim i pohimit, kurse fjala “pa ortak” përforcon mohimin. “Asgjë nuk e meriton adhurimin përveç Allahut” – përmban mohim dhe pohim. E përforcoi pohimin duke thënë “të Vetëm”, dhe e përforcoi mohimin duke thënë “nuk ka ortak”.

Më pas tha: “Ai është Zotëruesi i gjithçkaje (në qiej e në Tokë), vetëm Atij i përket falënderimi (Ynë), për gjithçka Ai është i Plotfuqishëm.” Këto janë argumente që tregojnë se Allahu duhet njëhsuar me sinqeritet të plotë.

Herën e dytë që e përmendi fjalën e teuhidit, tha: “Vetëm Allahu meriton të adhurohet! Nuk adhurojmë tjetër përveç Tij. E Tij është mirësia që gëzojmë, Atij i përket nderimi e lartësimi.”

Fjala ku thotë: “e nuk adhurojmë tjetër përveç Tij” është domethënia e fjalës: Nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush përveç Allahut. Këtë herë përmendi domethënien e kësaj fjale. Herën e parë përforcoi mohimin dhe pohimin që përmban kjo fjalë, kurse herën e dytë përmendi domethënien e saj: “e nuk adhurojmë tjetër përveç Tij”. Më pas përmendi argumentet duke thënë: “E Tij është mirësia që gëzojmë, Atij i përket nderimi e lartësimi.” Këto janë argumente të përkushtimit të sinqeritetit vetëm për Të, dhe veçimin me adhurim vetëm për Allahun e Lartësuar.

Herën e tretë që e përmendi fjalën e njëhsimit, tha: “Vetëm Allahu meriton të adhurohet. Atë adhurojmë me çiltërsi të plotë, edhe sikur (këtë çiltërsi) t’a urrejnë jobesimtarët”. Edhe kjo fjali përmban kuptimin e fjalës së njëhsimit që do të thotë se; çiltërsia dhe sinqeriteti të jetë i plotë vetëm për Allahun. Allahu i Lartësuar në suren Bejine ajeti 5 thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër pos që t’a adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij.”

Nëse muslimani i thotë këto lutje në përfundim të çdo namazi duke pasur parasysh domethënien e tyre, çfarë gjurme do të lënë tek ai në përforcimin e njëhsimit në zemër duke e zgjeruar sipërfaqen e tij (njëhsimit) në veten e tij me përkujtim dhe vetëdijësim e mësim?! Kjo është shkollë e teuhidit (njëhsimit) dhe përkujtim i tij pas çdo namazi duke thënë: “Askush dhe asgjë tjetër nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, të Vetëm e të Pashoq. Ai është Zotëruesi i gjithçkaje (në qiej e në Tokë), vetëm Atij i përket falënderimi (Ynë), për gjithçka Ai është i Plotfuqishëm. Askush e asgjë tjetër përveç Allahut nuk ka forcë mbi ne. Vetëm Allahu meriton të adhurohet e ne nuk adhurojmë tjetër përveç Tij. E Tij është mirësia që gëzojmë, Atij i përket nderimi e lartësimi. Vetëm Allahu meriton të adhurohet. Atë adhurojmë me çiltërsi të plotë, edhe sikur (këtë çiltërsi) t’a urrejnë jobesimtarët.”

Nëse muslimani do t’i thotë këto lutje në fund të çdo namazi duke pasur parasysh përmbajtjen e tyre, kjo do të luante rol të madh në përforcimin e teuhidit në zemrën e tij dhe do kishte lënë gjurmë të begata në shpirtin e çdo muslimani.

Ai i cili i thotë këto fjalë duke mos ua ditur kuptimin e duke mos e ditur domethënien e saj, atëherë ato nuk do të lënë asnjë gjurmë tek ai. Ndaj shikon disa njerëz injorant të cilët janë rritur me të kotën e devijuar, e shikon se thotë pas namazit: “Askush dhe asgjë tjetër nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, të Vetëm e të Pashoq. Ai është Zotëruesi i gjithçkaje (në qiej e në Tokë), vetëm Atij i përket falënderimi (Ynë), për gjithçka Ai është i Plotfuqishëm.” E më pas kur i mbaron këto lutje i ngre duart duke thënë: “O Filan, më shpëto!” Këtë unë e kam dëgjuar me veshët e mi. Thotë fjalët e njëhsimit pas namazit e më pas fillon e vajton, e unë e dëgjoja me vëmendje. Duke vajtuar e dëgjoja të thoshte në lutjen e tij: “Më ndihmo o i dërguari i Allahut!” E ai para kësaj sapo tha: “Askush dhe asgjë tjetër nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, të Vetëm e të Pashoq. Ai është Zotëruesi i gjithçkaje (në qiej e në Tokë), vetëm Atij i përket falënderimi (ynë), për gjithçka Ai është i Plotfuqishëm.”

Vallë, e ka kuptuar ky person fjalën e njëhsimit?! A i’a di kuptimin?!

Ndaj dhe shikoni njerëz që e thonë këtë fjalë e pas disa minutash bën të kundërtën e kësaj fjale, sepse t’i lutesh pejgamberit (paqja e nderimi i Allahut qoftë mbi të) apo lutja e evlijave dhe njerëzve të mirë bie ndesh me fjalën: “Asgjë nuk meriton të adhurohet përveç Allahut”. Kjo vepër e shfuqizon këtë fjalë nga rrënjët e saj.

Personit për të cilin u fola pak më parë, unë i tregova rreth kuptimit të këtyre fjalëve dhe falënderimi i takon Allahut të Lartësuar që ai shfaqi pendesë dhe hoqi dorë nga ajo që vepronte. Porse ajo që bënte ishte si pasojë e disa thirrësve në të kotë e devijim, si dhe pasojë e jetesës në mesin e grupacioneve të humbura. Këto e çuan këtë njeri deri pikën që të shprehë fjalën e teuhidit e më pas t’a shfuqizojë atë duke vepruar vepra idhujtarie, Allahu na ruajt!

Qëllimi është se këto fjalë të teuhidit nëse i thua vazhdimisht pas çdo namazi duke ua ditur kuptimin dhe domethënien, ato bëhen prej shkaqeve kryesore që teuhidi të forcohet thellë në zemër.

Allahu i Lartësuar e di më së miri! Paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi robin dhe të dërguarin e tij, pejgamberin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij!

Shkroi: AbduRrezak el Bedër

Përktheu: Ylli Rama