Dobi rreth ezanit të xhumasë

January 1, 2016

Transmetohet nga Saib bin Jezid radijAllahu anhu se ai ka thënë: “Ezani i parë në ditën e xhuma ka qenë kur ulej imami mbi minber, në kohën e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, Ebu Bekrit dhe Umeri. Ndërsa në kohën e Uthmanit kur njerëzit u shtuan shumë, u shtua edhe një ezan i tretë (duke llogaritur dhe ikametin) në Zeura. I Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk ka pasur veçse një muezin.” E transmeton Buhariu me nr. (912), En-Nesai me nr. (1392) dhe Ebu Daudi me nr. (1087).

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!): Fjala e tij: “në kohën e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, Ebu Bekrit dhe Umeri” këto janë tri kohë në të cilat është thirrur vetëm një ezan.

Fjala e tij: “kur ulej imami mbi minber”, nga kjo përfitojmë se imami kur futet (në xhami) dhe ngjitet në minber, ulet me formën e njohur.

Fjala e tij: “Ndërsa në kohën e Uthmanit kur njerëzit u shtuan shumë”, përfitohet se Uthmani radijAllahu anhu nuk urdhëroi për këtë ezan që kur u bë halife, por kur pa se njerëzit u shtuan shumë.

Fjala e tij: “në Zeura” është emri i vendin në treg (në Medine në atë kohë). Po ashtu thuhet se është emri i një shtëpie në atë vend. E rëndësishme, kushdo qoftë prej tyre ai (ezani) ka qenë (është thirrur) jashtë xhamisë dhe jo rreth saj tek dera e as brenda në xhami (siç veprohet sot). Por Uthmani radijAllahu anhu e shtoi këtë ezan për shkak të shtimit të njerëzve (popullsisë) me qëllim që ta dëgjonin atë (ezanin) njerëzit që ishin (jetonin) larg dhe të vinin për faljen e namazit.

Fjala e tij: “I Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk ka pasur veçse një muezin” d.m.th. në ditën e xhuma ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk ka pasur veçse një muezin. Pra, nuk thirrej ezanin veçse një herë.

Kush ka qenë ezani që thirrej në kohën e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem?

Ka qenë ai ezan në kohën kur imami ulej mbi minber, në kohën e futjes së tij.

Fjala e tij: “nuk ka pasur veçse një muezin” nuk bie ndesh me atë që saktësohet se Ibën Ummi Mektumi ka qenë muezin, sepse është për qëllim: “nuk ka pasur veçse një muezin” d.m.th. ditën e xhuma. Pra, nuk thirrej ezani veçse një herë të vetme.

Prej dobive që përftohet nga ky hadith:

  1. Ligjshmëria e uljes së imamit mbi minber kur thirret ezani. Bazuar në fjalën e tij: “ulej imami mbi minber”.
  1. Në të ka argument se ditën e xhuma në kohën e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka pasur vetëm një muezin.
  1. Ajo që veprohet në disa vende -po ashtu- dhe në dy xhamitë, në Meke dhe Medine, ku largësia mes ezanit të parë dhe të dytë është vetëm disa minuta, kjo konsiderohet bidat siç e kanë përmendur këtë disa nga dijetarët. Një gjë e tillë nuk është legjitime, sepse hapësira mes dy ezaneve vetëm me disa minuta nuk ua mundëson njerëzve (që janë larg) të prezentojnë (në xhami për xhuma). Pra, nuk ka dobi për ezanin e parë. Prandaj duhet që mes ezanit të parë dhe të dytë të ketë hapësirë aq sa personat të cilët jetojnë në periferi të qytetit të kenë mundësi të prezentojnë në xhuma.

Kështu që, derisa ky ezan nuk është legjitim, nuk pëpruthet me veprën e Uthmanit radijAllahu anhu dhe nuk ka bereqet në të, njerëzit filluan të falin dy rekate kur thirret ezani i parë (në përfundim të tij).

Themi: Ky ezan (i pari) nëse thirret para zevalit me rreth 5 minuta, ne kështu jemi në kohën e ndaluar dhe namazi vullnetar në kohën e ndaluar nuk është i lejuar. Xhumaja nuk ka sunete para saj. Por nëse ezani i parë do thirrej shumë më para (nga ezani i dytë) derisa ai që banon larg do kishte mundësi të vinte, atëherë nuk kishte për të ndodhur kjo gjë (shpikja e faljes së suneteve para xhumasë).

Me disa shkurtime nga “Et-Tealik ala el-munteka” vëll. 3

Përktheu: Unjes Sheme

Loading...