Dobi të përmbledhura nga kapitulli i Haxhit – Pjesa e dytë

Mendimet e përzgjedhura të shejh Ibën Bazit (Allahu e mëshiroftë) në lidhje me haxhin dhe umren.

-Pjesa e dytë-

8. Nëse fëmija ose robi kryejnë haxhin ai saktësohet prej tyre, por nuk vlen nga haxhi Islam (duhet ta kryejnë përsëri pasi fëmija të arrijë pjekurinë dhe robi të fitojë lirinë). Kjo bazuar në hadithin që transmeton Ibën Abasi (radijAllahu anhuma) nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se ka thënë: “Çdo fëmijë që kryen haxhin dhe pastaj arrin moshën e pjekurisë, ai e ka për detyrë të kryej dhe një haxh tjetër. Si dhe çdo rob që kryen haxhin e pastaj lirohet (fiton lirinë), ka për detyrë të kryej një haxh tjetër.” E ka nxjerr Ibën Ebi Shejbeh dhe El-Bejhaki me zinxhir të saktë.

9. Kush vdes dhe nuk e ka kryer haxhin duke pasur mundësi për një gjë të tillë, është detyrë që të kryhet haxhi për të –nga pasardhësit e tij prej pasurisë që ka lënë, qoftë kjo nëse e ka lënë amanet një gjë të tillë apo jo.

10. Nuk saktësohet (lejohet) që personi të caktojë dikë tjetër që të kryej haxhin për të derisa ai është i shëndetshëm në trup – edhe nëse është i varfër – qoftë për haxhin farz apo vullnetar (nafile). Ndërsa personi i pafuqishëm për shkak të moshës së madhe ose të sëmundjes nga e cila nuk shpresohet të shërohet, duhet të caktojë dikë tjetër që ta kryej për të haxhin dhe umren farz nëse ka mundësi për diçka të tillë me pasurinë e tij. Bazuar kjo në përgjithësimin e fjalës së Allahut të Madhëruar ku thotë: “Detyrim ndaj Allahut mbi njerëzit që ta vizitojnë këtë shtëpi (të bëjnë haxh), për ata që kanë mundësi të shkojnë atje.” Al-Imran: 97.

11. Verbëria nuk është arsye për të caktuar dikë tjetër për kryerjen e haxhit farz apo atij vullnetar (nafile). Detyrë për personin e verbër është që ta kryej vet haxhin nëse ka mundësi, bazuar në përgjithësimin e argumenteve.

12. Më e mira për atë që e ka kryer haxhin farz është që shpenzimet e haxhit vullnetar t’i jap për luftëtarët në rrugë të Allahut. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i ka dhënë përparësi (në renditje) përpjekjes në rrugë të Allahut para haxhit vullnetar, siç transmetohet në hadithin autentik.

13. Nëse te personi mblidhen kryerja e haxhit obligativ dhe kompesimi i agjërimit vaxhib, si p.sh.; kefarja, agjërimi i ditëve të lëna nga Ramazani e të ngjashme me to, ai i jep përparësi kryerjes së haxhit.

14. Nuk dimë ndonjë kufi të përcaktuar se sa duhet të jetë koha midis kryerjes së umres nga umra. Ndërsa më e mira për banorët e Mekes është që të preokupohet me bërjen e tavafit, faljen e namazit dhe adhurimet e tjera, dhe mos të dalë jashtë kufirit të haremit (e të kthehet përsëri) për të kryer umren nëse ai e ka kryer më parë atë.

 

Vijon…

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme