Dobia e shembujve në Kuranin famëlartë

Dobia e shembujve në Kuranin famëlartë.

Pyetje: Ne shohim shumë shembuj të treguar në Kuranin famëlartë. Cila është dobia e përmendjes së këtyre shembujve?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!

Shejh Shenkiti (Allahu e mëshiroftë) ka komentuar ajetin: “Sigurisht, në këtë Kuran Ne u kemi shpjeguar njerëzve çdo lloj shembulli, por njeriu kundërshton më tepër se çdo krijesë tjetër.” El-Kehf: 54.

Ai ka thënë: Në këto shembuj që përmenden në Kuran ka mësime dhe qortime të mëdha të cilat e bëjnë të qartë të vërtetën. Por, askush nuk mund ta kuptojë domethënien e tyre përveç njerëzve që kanë dije, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Këta shembuj Ne ua paraqesim njerëzve, por ata nuk i kupton kush përveç dijetarëve.” El-Ankebut: 43.

Prej urtësive të përmendjes së këtyre shembujve është që t’i bëjë njerëzit të mendojnë, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Shembuj të tillë Ne ua japim njerëzve që ata të meditojnë.” El-Hashr: 21.

Diku tjetër Allahu shpjegon se me anë të këtyre shembujve dhe shpjegimit të së vërtetës përmes tyre, Ai i udhëzon disa njerëz dhe i lë disa të tjerë në humbje, siç thotë në Kuran:

“Allahu nuk ngurron të japë shembull mushkonjën ose diçka më të madhe se ajo. Ata që besojnë e dinë se kjo është e vërteta nga Zoti i tyre, kurse ata që nuk besojnë thonë: Çfarë kërkon të tregojë Allahu me këtë shembull? Nëpërmjet tij Ai shumëkënd e lë në humbje e shumëkujt ia ndriçon rrugën e drejtë. Ai i lë në humbje vetëm gjynahqarët e mëdhenj.” El-Bekare: 26.

S’ka dyshim se ata që i përgjigjen Zotit të tyre janë të urtët, të cilët meditojnë kuptimin e këtyre shembujve dhe përfitojnë nga shpjegimi i së vërtetës që gjendet në to. Ndërsa ata që nuk i përgjigjen Atij janë ata që nuk meditojnë në kuptimet e tyre dhe nuk i kuptojnë të vërtetat që u shpjegohen.

Grupi i parë janë ata për të cilët Allahu thotë: “… dhe shumëkujt ia ndriçon rrugën e drejtë (me këto shembuj).” El-Bekare: 26.

Grupi i dytë janë ata për të cilët Ai thotë: “Nëpërmjet tij, Ai shumëkënd e lë në humbje.” El-Bekare: 26.

Ai thotë gjithashtu për ta: “Ai i lë në humbje vetëm gjynahqarët e mëdhenj.” El-Bekare: 26.

“Edua el Bejan” (4/143-144).

 

Përktheu: Fatjon Isufi