Dobitë e pafundme të teksteve fetare

October 21, 2025

Tekstet fetare, qofshin ajete kuranore apo hadithe profetike, përmbajnë dobi të shumta, të cilat i vëren ai që i lexon ose i dëgjon me vëmendje.

Çdo fjalë e tyre është dritë që ndriçon zemrën dhe mendjen e njeriut.

Kush mediton në to gjen mësim, udhëzim dhe frymëzim në çdo aspekt të jetës.

Dobitë dhe përfitimet që nxirren prej tyre mund të jenë të qarta të cilat i kuptojnë shumica e njerëzve, por mund të jenë edhe shumë të thella që nuk i vëren veçse ai që është i thelluar në fusha të ndryshme të dijes dhe zotëron një mendje të mprehtë e të kthjellët.

Shejh Abdurrahman es Sadij (1376 H) ka shkruar një libërth të vogël ku ka përmbledhur 54 dobi dhe mësime të nxjerra nga surja Jusuf.

Më vonë, dy studiues të njohur; shejh Selim el Hilali dhe shejh Muhamed Musa Nasr, kanë shkruar një libër ku kanë përmendur plot 1224 dobi të nxjerra nga kjo sure madhështore, e cila përmban vetëm 111 ajete.

Shejh AbduRrazak el Bedr në një ligjëratë ka përmendur 50 dobi të përfituara nga historia e Lukmanit, që është përmendur në suren Lukman në ajetet 12 – 19.

Kjo tregon se sa shumë thesare diturie mund të gjenden në çdo ajet të Kuranit për këdo që mediton.

E njëjta gjë vlen të përmendet edhe në lidhje me fjalët e Profetit ﷺ.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Enes bin Malik radijallahu anhu se ka thënë:

“Profeti ﷺ shoqërohej me ne dhe i thoshte vëllait tim të vogël: O Ebu Umejr, çfarë bëri zogu Nugajr? (një bilbil me të cilin luante fëmija i vogël).

Ndonjëherë vinte koha e namazit, dhe Profeti ﷺ gjendej në shtëpinë tonë. Ai urdhëronte të shtrohej një hasër, të pastrohej, dhe falej me ne.”

Nga ky hadith i shkurtër, dijetari Ebu Abas et Taberi Ibn el Kas (v. 335 H) ka përmendur 61 dobi të nxjerra prej tij.

Ndërsa Hafidh Ibn Haxheri (v. 852 H), në veprën e tij të njohur “Fet’hul Bari” i ka përmendur këto dobi, dhe ka shtuar edhe 14 të tjera duke i bërë gjithsej 75 përfitime që lidhen me këtë hadith të shkurtër.

Thellimi në fjalët e Profetit ﷺ nuk është diçka e panjohur tek dijetarët e hadithit.

Dijetarë të mëdhenj kanë shkruar libra të tërë në një ose më shumë vëllime, vetëm për të komentuar një hadith të vetëm. Këto libra janë të shumtë, ndër ta:

• Kadi Ijad (v. 544 H) ka komentuar hadithin e Umu Zer’it dhe dobitë e tij në një vëllim të plotë.

• Shejhul Islam Ibn Tejmije (v. 728 H) ka komentuar hadithin e Xhibrilit në librin e tij “El ijman el eusat”.

• Hafidh Ala’i (v. 761 H) ka trajtuar hadithin e Dhul Jedejnit radijallahu anhu, ku përmendet rasti kur Profeti ﷺ bëri sexhden e harresës (sehvi sexhde) në namaz.

Këto vepra tregojnë se sa e thellë është çdo fjalë e Profetit ﷺ dhe sa shumë urtësi mund të nxirren nga to për ata që meditojnë me përkushtim.

Çdo fjalë e Allahut ﷻ dhe e Profetit ﷺ është një dritë dhe udhëzim hyjnor.

Sa më shumë të thellohet njeriu në to, aq më shumë thesare dijesh dhe dobish zbulon.

Lusim Allahun ﷻ të na dhurojë dije fetare të dobishme dhe mendje të mprehtë, e të na bëjë prej atyre që punojnë me dijen që zotërojnë!

 

Dr. Fatmir Strumi

Dosje: ,

Loading...