Durimi në traditën profetike!
Në traditën profetike gjejmë shumë thënie nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), të cilat tregojnë për vlerën e durimit dhe nxisin për t’u pajisur me të. Në ato thënie na bëhet e ditur se shpërblimi për durimtarët është shumë i madh, dhe se Allahu i Madhëruar u dhuron durimtarëve mirësi dhe bekime të shumta në këtë botë dhe në botën tjetër.
Dijetarët muslimanë i kanë përmbledhur në librat e tyre hadithet që trajtojnë tematikën e durimit të cilat janë të shumta në numër, por ne do të sjellim në vijim vetëm disa prej tyre.
- Nga Enes bin Maliku transmetohet: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) kaloi pranë një gruaje e cila po qante mbi një varr, dhe i tha: “Frikësoju Allahut dhe bëj durim!” Gruaja i tha: “Largohu prej meje, sepse ty nuk të ka goditur fatkeqësia ime!” Ajo nuk e njohu Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kur i treguan se ai ishte i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ajo habit shumë! Ajo shpejtoi te dera e shtëpisë së Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe pasi nuk gjeti roje te dera, e hapi derën dhe tha: (O i Dërguar i Allahut!) “Unë nuk të njoha.” I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i tha: “Durimi është në goditjen e parë (sepse atëherë ndjesia është më e madhe).”[1]
Durimi është në goditjen e parë, kur dëgjon për fatkeqësinë apo kur e keqja sapo ka ndodhur. Ai është momenti kur zemra gati sa nuk copëtohet nga dhimbja. Aty duhet kujdes që njeriu të mos bëjë veprime të pamatura dhe të mos flasë me fjalë të pahijshme. Nëse ai moment kalohet me sukses, durimi më pas do të jetë më i lehtë.
- Nga Ebu Seid El Hudriu transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “… Kush përpiqet të jetë i durueshëm Allahu do ta bëjë të durueshëm. Askujt nuk i është dhënë dhunti më e madhe sesa durimi (sabri).”[2]
- Nga Enesi transmetohet se ai e ka dëgjuar të Dërguarin Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) duke thënë: “Allahu i Madhëruar thotë: Nëse robin Tim e sprovoj me dy të dashurit e tij (me humbjen e syve) dhe ai bën durim, do t’ia kompensoj me Xhenet.”[3]
- Nga Abdullah bin Mesudi transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ndau diçka prej pasurisë, dhe dikush kishte thënë: Me këtë ndarje nuk është synuar kënaqësia e Allahut (pra është ndarje e padrejtë)! Kur i treguan Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për atë fjalë, ai tha: “Allahu e mëshiroftë Musain! Atë e lënduan shumë më tepër se kaq dhe duroi.”[4]
- Nga Ebu Jahja Suhejb ibn Sinani përcillet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “E çuditshme është çështja e besimtarit! Çdo gjendje që ai përjeton është mirë për të, e nuk e arrin këtë mirësi askush tjetër përveç besimtarit. Nëse i ndodh diçka e mirë, ai falënderon (Allahun) e kjo i sjell dobi. E nëse e godet e keqja, ai bën durim (sabër) e edhe kjo i sjell dobi (i shkruhet sevapi për durimin).”[5]
Vijon…
Përgëzoji durimtarët – pjesa e pestë –
Përgatiti: Seksioni i Shkencave Islame pranë ‘Darul Uatan’ – Rijad.
Përshtati në gjuhën shqipe: E. Ajdini
————————————————-
[1] E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[2] E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[3] E transmeton Buhariu.
[4] E transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
[5] E transmeton Muslimi.
Dosje: Durimi
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve