Fetva nga shejh Albani -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me menstruacionet.
Pyetje 1: Cili është kufiri më i lartë dhe më i ulët i nifasit (lehonisë) dhe i hajdit (ciklit menstrual)?
Përgjigje: Nifasi apo hajdi nuk ka kufi më të lartë apo më të ulët, sepse çështja lidhet me gratë dhe zakonet e tyre. Ajo që duhet të dinë burrat para grave ngase burrat janë kujdestarët e tyre, është se gjaku i hajdit ka shenja dalluese siç ka thënë Profeti -alejhi selam- në një hadith të saktë: “Gjaku i hajdit është i zi dhe dallohet.” Apo: “…është i zi dhe me erë.”
Sipas tekstit të parë “njihet” domethënë që gjaku i hajdit dallohet nga çdo gjak tjetër, si gjaku i plagëve ose gjaku i istihadës.
Kur gruaja sheh këtë gjak të zi që njihet tek ato, atëherë ajo është me menstruacione. Por kur pastrohet?
Thamë që gruaja me menstruacione nuk ka një periudhë të caktuar, më e pakta apo më e shumta. Kur pastrohet atëherë? Ajo pastrohet kur sheh atë që në gjuhën e sheriatit quhet ‘sekrecioni i bardhë’ ndërsa në gjuhën e zakonshme quhet pastrim.
Gratë në kohën e selefëve dhe në kohën e sahabëve vinin tek Aishja -radiallahu anha- sepse së pari ajo ishte nëna e besimtarëve, dhe së dyti ishte gruaja më e ditur në gjykimet e Islamit në përgjithësi dhe në gjykimet e grave në veçanti. Ajo mund të ishte në çështje të tilla më e ditur sesa shumë burra nga sahabët e Profetit -alejhi selam. Nëse gruaja dyshonte në pastrimin e saj se a ka hyrë në periudhën e pastrimit pas hajdit apo jo, Aishja -radiallahu anhu- i urdhëronte ato të përdornin pambuk të bardhë dhe u thoshte: Nëse nuk gjen gjurmë qoftë edhe të verdhë mbi këtë pambuk por vetëm të bardhë, ky është pastrim në gjuhën e zakonshme dhe ky është sekrecioni i bardhë në gjuhën e Aishes -radiallahu anha.
Nëse shikon këtë pastrim atëherë është pastruar, qoftë kjo në një moment të ditës, një ditë, një natë, qoftë më shumë apo qoftë më pak s’ka rëndësi. Ky është gjykimi i hajdit dhe po ky është edhe gjykimi i nifasit.
Nëse gruaja lind nuk ka një periudhë të caktuar, vetëm se nifasi ndryshon nga hajdi për nga kufiri më i lartë. Gratë lehona ditën që u ndërpritet lehonia dhe shikojnë sekrecionin e bardhë siç e përmendëm më lart janë pastruar, sado që kjo periudhë mund të jetë e shkurtër. Por nëse gjaku vazhdon pas dyzet ditëve atëherë dyzet ditë janë ditët e përcaktuara të nifasit që nuk falet e nuk agjëron. Pas dyzet ditëve ai konsiderohet istihadë, ndaj gruaja falet dhe agjëron dhe bën çdo gjë që ka lejuar Allahu i Madhëruar.
Pyetësi: Pse dyzet? Pse është përcaktuar pikërisht dyzet për këtë çështje dhe nuk është tridhjetë apo pesëdhjetë ditë?
Shejhu: Kjo është pyetje me vend. Kjo sepse kështu është suneti. Një grua thotë (mendoj se ka qenë Umu Seleme): Gruaja lehonë qëndronte (pa falur e pa agjëruar) në kohën e Profetit -alejhi selam- dyzet ditë dhe nga kjo është përcaktuar dyzet. Shpresoj t’a kesh marrë përgjigjen.
Pyetësi: Allahu të shpërbleftë!
Shejhu: Edhe ty!
(Shih kasetat e sheikh Albanit me titull “El-Muteferikat”, kaseta nr: 64.)
Pyetje 2: Çfarë gjykimi ka sekrecioni ngjyrë kafe apo i verdhë para hajdit (ciklit menstrual) dhe pas tij?
Përgjigje: Sekrecioni kafe apo i verdhë i gruas me perioda apo lehonë gjatë hajdit apo nifasit është plotësim i hajdit dhe i nifasit. Ajo nuk quhet e pastër edhe nëse shikon shenjë kafe apo të verdhë vetëm pasi të shohë sekrecionin e bardhë, ose siç quhet në gjuhën e përditshme pastrim.
Ndërsa, nëse gruaja është e pastër pastaj shikon diçka si të verdhë apo kafe, kjo nuk i prish punë dhe vazhdon të falet e të kryej adhurimet.
(Shih kasetat e sheih Albanit me titull “Fetaua Xhidde”, kaseta nr: 26.)
Përktheu dhe përgatiti: Teuta XEKA
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures el Fatihah në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Cila është mënyra më e mirë për të memorizuar? Meshhur Hasen