Të therësh kurban për hir të Allahut është një formë prej formave të adhurimit të Allahut të madhëruar. Pra, siç e adhurojmë Allahun me namaz, agjërim, sadaka, dhikr, lutje etj. e adhurojmë gjithashtu dhe me therje kurbanesh për hir të Tij. Këtë lloj adhurimi Allahu i madhëruar në disa vende në Kuran e ka renditur pas namazit.
Allahu thotë: “Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për hir të Allahut, Zotit të botëve. * Ai nuk ka ortak. Për këtë jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i dorëzohem këtij vullneti.” Suretu El-En’am: 162-163.
Apo ajeti: “Ne të kemi dhënë ty lumin e Keutherit. * Prandaj ti falu për hir të Allahut dhe ther kurban për Të!” Suretu El-Keuther: 2-3.
Kurbanet janë adhurim i hershëm që i janë bërë Allahut të madhëruar, prandaj dhe i gjejmë që në kohën e Ademit -alejhi selam-. Allahu i madhëruar në Kuran thotë:
“Lexoju njerëzve o Muhamed, lajmin e vërtetë të dy bijve të Ademit kur bënë kurbanet e tyre. Njërit iu pranua kurse tjetrit jo.” Suretu El-Maide: 27.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- në komentimin e ajetit thotë: “Njëri prej tyre ishte bari bagëtish të imta dhe bëri kurban një dash të madh, me brirë të mëdhenj dhe i bardhë. Kurse tjetri ishte bujk dhe ofroi për kurban një grumbull me drith. Allahu i madhëruar e pranoi dashin dhe e refuzoi drithin”. E transmeton Ibn Ebi Hatim me zinxhir të saktë
Për shkakun e refuzimit të drithit thuhet se bujku nuk ofroi atë më të mirin siç bëri bariu. Allahu e di më së miri.
Llojet e kurbaneve në Islam.
Kurbanet në Islam janë katër llojesh:
Lloji i parë: Dhuratat e Qabes.
Këto kurbane i bëjnë vizituesit e Qabes qoftë për haxh apo për umre për shkak të ihramit të tyre, siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran: “Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut, dhe nëse pengoheni atëherë bëni dhuratë ç’mund t’ju lehtësohet prej kurbaneve. Mos i rruani kokat tuaja derisa kurbani i dhuruar të arrijë vendin e caktuar. Kurse ai që është i sëmurë prej jush apo ka mundim koke ta kompensojë atë ose me agjërim, ose me sadaka, ose me kurban. E kur të jeni të sigurt, ai që bën umren para haxhit të bëjë dhuratë ç’të mundet prej kurbaneve, e nëse nuk mundet të agjërojë tri ditë gjatë haxhit e shtatë ditë kur të kthehet. Këto janë dhjetë ditë të plota dhe ky është rregull për ata që nuk e kanë familjen pranë xhamisë së shenjtë. Druhuni Allahut dhe dijeni se Allahu është ndëshkues i rreptë.” Suretu El-Bekare: 196.
Apo ajeti tjetër:
“O ju që keni besuar, mos gjuani kafshë (gjueti) kur të jeni në ihram! Ai që e bën këtë gjë qëllimisht, ta shpaguaj atë duke dhuruar për Qaben bagëti të ngjashme me to sipas gjykimit të dy vetave të drejtë prej jush, ose të ushqejë disa të varfër, ose të agjërojë që ta ndiej gabimin e tij.” Suretu El-Maide: 95.
Lloji i dytë: Kurbanet e festës së Bajramit.
Këto kurbane bëhen si ndjekje e besimit të pastër të Ibrahimit -alejhi selam- për të cilin jemi urdhëruar në Kuran: “Ne të kemi zbritur shpalljen që të ndjekësh fenë e drejtë të Ibrahimit, i cili nuk ishte prej atyre që i shoqërojnë shok Zotit.” Suretu En-Nahl: 123.
Pra si simbol i nënshtrimit të plotë ndaj Allahut.
Profeti -alejhi selam- thotë: “O ju njerëz, për çdo familje në çdo vit duhet një kurban për bajram dhe një në muajin Rexheb.” E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe, dhe e saktëson sheih Albani. Imam Ebu Daudi thotë: Përsa i përket asaj të muajit Rexheb është kurban i anuluar.
Gjithashtu, Profeti -alejhi selam- thotë: “Kush ka mundësi dhe nuk bën kurban, të mos i afrohet vendit tonë të faljes.” E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson sheih Albani.
Lloji i tretë: Kurbanet e fëmijëve.
Ky kurban theret për të liruar fëmijët nga pengu, sepse Profeti -alejhi selam- thotë: “Çdo fëmijë është peng i kurbanit të tij.” E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe, dhe e saktëson sheih Albani.
Lloji i katërt: Kurbanet nedhr ose ndryshe kurbanet e zotimit.
Këto kurbane janë kur dikush zotohet për të bërë një kurban për hir të Allahut, qoftë ai me kusht apo pa kusht. Me kusht është kur zotuesi thotë p.sh.: Nëse më shërohet fëmija do të bëj kurban për hir të Allahut. Pa kusht është kur zotuesi thotë: Qoftë detyrë për mua të bëj një kurban për hir të Allahut, – dhe nuk përmend kusht.
Allahu në Kuran e përmend mbajtjen e zotimit si cilësi e robërve të Tij të mirë, dhe thotë: “Të mirët do të pinë lëng në kupa të përzier me Kafur. * Ai është burim prej të cilit pinë robtë e Allahut dhe e çojnë kudo në Xhenet. * Sepse ata e mbanin zotimin dhe kishin frikë atë ditë ku e keqja e saj përhapet shpejt.” Suretu El-Insan: 5-7.
Të gjitha këto lloje kurbanesh janë detyrë. Përsa u përket dhuratave të Qabes nga vizitorët e saj dhe kurbaneve të zotimit, nuk ka kundërshtim mes dijetarëve se ato janë detyrë. Ndërsa në lidhje me kurbanet e Bajramit dhe kurbanet e fëmijëve, mendimi më i saktë i dijetarëve është se edhe ato janë detyrë sepse edhe hadithet vijnë në formën urdhërore.
Kurbanet në islam konsumohen nga njerëzit.
Të gjitha këto lloje kurbanesh në islam pasi theren për hir të Allahut konsumohen nga njerëzit, qofshin ata që i bëjnë këta kurbane dhe të tjerë duke ua shpërndarë të varfërve. Kjo gjë është prej fesë së lehtë me të cilën është dërguar profeti ynë Muhamed i cili thoshte: “Jam dërguar me fenë e drejtë dhe të lehtë”.
Ndërsa te popujt e mëparshëm është njohur djegia e kurbaneve, gjë të cilën e ka vënë në dukje edhe Kurani kur thotë: “Ata të cilët thonë: Allahu na ka marrë besën që të mos besojmë ndonjë profet derisa të na sjellë kurban që ta djegë zjarri.” Suretu Ali Imran: 183.
Ibn Abasi në lidhje me komentimin e ajetit thotë: “Burri në atë kohë jepte sadaka, dhe nëse pranohej prej tij zbriste një zjarr nga qielli dhe e digjte atë (sadakanë).” E transmeton Taberiu.
Në islam është njohur edhe ndarja e kurbaneve në tre pjesë, sepse Profeti -alejhi selam- thoshte: “Hani, jepni sadaka dhe ruani (për më vonë)!” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli
Dosje: Kurbani
Të Ngjashme
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve
- Një dijetar si Ibn Tejmije Udha e Besimtarëve
- Rregull i pandryshueshëm: Çdo gjë që përdoret për të kundërshtuar Allahun, ajo ka për tu prishur. Udha e Besimtarëve
- Statusi dhe vlera e fikhut në Islam Udha e Besimtarëve
- Në cilën anë të imamit është më mirë të falemi? Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin