Dy mësime të rëndësishme nga historia e Dhul Karnejnit

Dy mësime të rëndësishme nga historia e Dhul Karnejnit.

E para: Dhul Karnejni shkoi tek një popull të cilët i’u ankuan për Jexhuxh Mexhuxhët, dhe ai ndërtoi digën e fortë për t’i mbrojtur prej tyre. A përmendet në suren Kehf feja e atij populli? Jo, sepse s’ka rëndësi kur flitet për bamirësi dhe ndihmesë reciproke që duhet të ekzistojë mes gjithë njerëzimit, në punë që kanë dobi të përgjithshme. Rregulli fetar thotë qartë: “Ndihmohuni në vepra të mira e devotshmëri.”
Prandaj, sa herë që të ftohesh për një punë të tillë mos u lëkund.

Jetëpërshkrimi profetik na mëson se sa herë që ka përpjekje për mirësi, për të mbrojtur të vobektit dhe nevojtarët, bëhet marrëveshje edhe me ata që s’i përkasin fesë tënde. Për këtë arsye Profeti – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të – shprehu gadishmërinë e ripërtëritjes së asaj besëlidhjeje nëse do të ftohej edhe një herë.

E dyta: Pasi e mbaroi ndërtimin gjigand, atë projekt të realizuar më së miri, nuk u mahnit pas tij por kujtoi Zotin që i dha sukses për të.

Në një rast Profeti ynë – paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë mbi të – pa një sahab duke rregulluar një mur dhe i tha: “Çështja është më afër se aq.”

Asketizëm do të thotë të mos e ndërtosh dynjanë? Jo. Dynjaja të dëmton kur të shmang nga bota tjetër. Prandaj edhe më i miri është ai që përzihet me njerëzit dhe duron dëmet e tyre, jo ai që tërhiqet në asketizëm dhe vetmi murgërie.

Asketizëm i vërtetë është: Prodho burra të atillë që ndërtojnë gjëra me dobi të mëdha por që zemrat e tyre janë të lidhura me Allahun dhe botën tjetër, e jo me dheun e llamarinat.