Thotë Ibn Mes’udi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Kush dëshiron ta takojë Allahun e Lartësuar nesër si musliman, le të kujdeset dhe t’i ruajë këto namaze atje ku ftohet (thirret) për t’i falur ato. Allahu ia ka ligjëruar Profetit tuaj – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – rrugët e udhëzimit, dhe padyshim ato (namazet me xhemat) janë prej rrugëve (shkaqeve) të udhëzimit. Sikur ju të faleshit në shtëpitë tuaja ashtu siç falet ai që mungon nga namazi me xhemat dhe falet në shtëpinë e tij, do të linit udhëzimin (sunetin) e Profetit tuaj. E sikur ta linit sunetin e Profetit tuaj do të devijonit. Po të na shikoje neve do të vëreje se nuk mungonte prej tij (prej namazit me xhemat) askush përveç ndonjë hipokriti të njohur për hipokrizinë e tij. E sillnin ndonjërin duke e mbajtur për krahësh dy burra derisa e vendosnin në saf (rreshtin e atyre që falen).” Muslimi (453).
Allahu i Lartmadhëruar tregon në suren Nur: “Allahu është Drita e qiejve dhe tokës…” – pastaj thotë më pas: “… udhëzon Allahu për tek drita e Tij atë që dëshiron.” (Nur: 35) Pastaj si për të na orientuar se ku ta gjejmë më së shumti këtë dritë të Allahut që është drita e besimit dhe e Kuranit, thotë: “(Ajo dritë) Gjendet në disa shtëpi që Allahu ka urdhëruar të ndërtohen (xhamitë) dhe të përmendet në to emri i Tij. Në to i bëjnë tesbih (e madhërojnë Atë larg të metave) mëngjes e mbrëmje, disa burra të cilët nuk i pengon e nuk ua merr mendjen e t’i bëjë të harrojnë përmendjen e Allahut, namazin e zekatin, as tregtia e largët e as shitblerja në vend. Ata i frikësohen një Dite në të cilën rrotullohen zemrat dhe sytë (prej frikës, ajo është dita e Kijametit). Ashtu që t’i shpërblejë Allahu sipas veprës më të mirë që kanë bërë dhe t’u shtojë nga mirësia e Tij. Allahu furnizon kë të dëshirojë pa masë.” (Nur: 36 – 38)
Shiko si i ka lavdëruar Allahu i Madhëruar dhe i ka quajtur burra, sepse me të vërtetë burra janë ata që nuk i pengon nga namazi me xhemat dynjaja me çka në të prej tregtisë së largët apo shitblerjes në vendin e tyre, por kur dëgjojnë ezanin shkojnë në xhami dhe i lënë të gjitha.
“I bëjnë tesbih në to…” – kanë thënë shumica e komentatorëve: Falin namazin me xhemat në xhami. Siç ka thënë Ibn Abasi: ‘Sa herë që përmendet fjala tesbih në Kuran, qëllimi me të është namazi’. (Shiko tefsirin e imam Kurtubiut te ky ajet.)
Prandaj o musliman, nëse kërkon prej dritës së Allahut dije se ajo gjendet në xhami, atje ku falet namazi me xhemat. Prandaj “bini në ruku me ata që bien.” (Bekare: 43) Aty ku lexohet Kurani dhe përmendet Allahu ditën dhe natën, ku luten lutësit, ku kërkojnë falje gjynahqarët, ku takohen besimtarët dhe qajnë hallet me njëri-tjetrin dhe shtohet mes tyre vëllazëria që e do Allahu dhe e urren shejtani. Xhamitë ku janë edukuar burrat e parë, më të mirët e këtij umeti. Ku shtohet besimi dhe mësohet fjala e Allahut dhe Suneti i Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. (Kështu duhet të jetë.)
Nëse dëshiron ta takosh Allahun nesër si musliman, nëse dëshiron përforcim në fenë tënde në këto kohë trazirash dhe sprovash të mëdha, dije se një nga shkaqet më të mëdha të përforcimit dhe përqëndrimit në fenë e Allahut është pikërisht namazi me xhemat.
Thotë shejh Uthejmini – Allahu e mëshiroftë:
“E solli autori (imam Neueuij – Allahu e mëshiroftë) këtë ether (fjalë sahabi) në temën e vlerës së namazit me xhemat, nga Abdullah ibn Mes’udi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij. Ky ether duket sikur buron prej dritës profetike, sikur është prej fjalëve të të Dërguarit të Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – për shkak të rrjedhshmërisë së tij. Ai është një i folur i lartë, i renditur bukur. Thotë: ‘Kush dëshiron ta takojë Allahun nesër si musliman le t’i ruajë këto namaze (t’i fal ato) atje ku thirret për në to’. Të gjithë ne dëshirojmë ta takojmë Allahun e Lartësuar si muslimanë, besimtarë në të Lartësuarin. Pra kush e dëshiron këtë le të kujdeset për këto pesë namaze atje ku ftohet për t’i falur ato, d.m.th. nëpër xhami. (Sh.p. Aty ku muezini thërret pesë herë në ditë ‘Hajje ales salah’ – Ejani në Namaz! ‘Hajje alel felah’ – Ejani në shpëtim!) Kjo për shkak të detyrimit të faljes së namazit me xhemat (bashkarisht) në xhami.
Nuk i lejohet askujt që ka mundësi të falet në xhami (që të falet diku tjetër) nëse është prej atyre që e kanë detyrë namazin me xhemat, siç janë burrat. Pastaj ai përmendi se Allahu ia ka ligjëruar Profetit të Tij rrugët e udhëzimit, prandaj çdo gjë me të cilën ka ardhur Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ajo është udhëzim dhe dritë të cilën Allahu e ka ligjëruar për të (dhe për ne).
Shkroi: Emin Bilali
Dosje: Tesbih
Të Ngjashme
- Ligji i pandryshueshëm i Allahut Udha e Besimtarëve
- Begatia e vërtetë e jetës Udha e Besimtarëve
- Kategoritë e njerëzve që jetojnë për këtë botë dhe harrojnë botën tjetër Udha e Besimtarëve
- Fanatizmi mbas dijetarëve Udha e Besimtarëve
- Çfarë është shkenca e synimeve të sheriatit dhe përse shërben ajo? Udha e Besimtarëve