Edukata pasuria më e çmuar

March 5, 2016

Edukata

Njerëzit interesohen kaq shumë për pamjen e tyre të jashtme dhe e harrojnë kaq shumë pamjen e tyre të brendshme. Ata janë ashtu siç ka thënë Zoti ynë i Lartësuar – përveç atyre që ua ka hapur sytë Allahu: “Ata dinë vetëm pamjen e jashtme të jetës së kësaj bote” (Rum: 7)
Sepse – siç dihet – njeriu i ka të dyja ato pamje. Pamja e tij e jashtme është ajo që duket prej tij: fizionomia, fytyra etj, ndërsa pamja e brendshme, ajo shpirtërorja: edukata, morali, etika, është ajo në të cilën shikon Allahu: “Me të vërtetë Allahu nuk shikon në pamjet tuaja dhe pasuritë tuaja, por shikon në zemrat tuaja dhe punët tuaja”. (Muslimi)

Njerëzit interesohen për pamjen e jashtme dhe harrojnë që origjina e saj është balta, dhe ajo nuk e ngre aspak njeriun, ndërsa ajo që vërtetë duhet tu interesojë, është se si të përmirësojnë pamjen e tyre të brendshme, atë të cilën Allahu ia ka atribuuar Vetes së Tij.
A nuk u tha Allahu engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri nga balta. E kur t’i jap atij formën dhe të fryj në të prej shpirtit Tim, atëherë ju bijini atij në sexhde (përuliuni)” (Sad: 71-72)

Kështu Zoti ynë pamjen e jashtme ia mveshi tokës, “nga balta” ndërsa pamjen e brendshme, shpirtin, Vetes së Tij: “prej shpirtit Tim”, në shenjë nderimi dhe jo se është pjesë e Tij. (Shiko: El i’lam bi hurmeti ehlil ilmi uel islam)
Ashtu siç tha “Bejtull llah” (Shtëpia e Allahut) në shenjë nderimi për Qaben dhe jo se Allahu ka nevojë për shtëpi, si njerëzit. Sepse ky është besimi i të krishterëve që shkruajnë në kishat e tyre: “Zoti banon këtu ndër ne!” I lartësuar është Allahu dhe i pastër nga kjo që i mveshin mendjelehtët idhujtarë.

Që të kthehemi tek tema kryesore – edukata është një pasuri e çmuar. Prandaj kanë thënë: “Atë që e lë pas prejardhja e tij, e shtyn përpara edukata e tij” Dhe: “Atë që e lë mbas puna e tij, nuk e ngre prejardhja e tij”

Shiko edukatën e lartë të Ebu Bekrit me Lajmëtarin e Zotit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – kur u tërhoq pas nga vendi i imamit ku ishte, pasi pa se Profeti iu bashkua namazit tij, edhe pse ai ia bënte me shenjë të qëndronte imam – sepse e pëlqente Ebu Bekrin si prijës për njerëzit pas tij. Dhe shiko se si e përligji veprimin e tij: “Nuk i takon të birit të Ebu Kuhafes që të paraprijë të Dërguarin e Allahut – sal lall llahu alejhi ue sel lem”

Thotë Ibnul Kajjim pas kësaj ndodhie: Çdo hap që bëri pas Ebu Bekri në namaz, e shtyu atë përpara në distanca të mëdha, të cilat nuk i arrin dot askush pas tij.” (Medarixhus salikin)

Ajo është edukata.

Nga fjalët më të bukura që kam mbajtur mend në këtë temë është: “Kalliri kur piqet dhe rëndohet, ul kryet”! Kështu duhet të jetë, dija duhet të sjellë edukatën. Edhe pse edhe e kundërta është e vërtetë. Këtë ta vërteton ngjarja vijuese.

Kjo edukatë e bëri Ibn Abbasin që të fitonte atë dua profetike: “O Allah mësoja komentimin e Kuranit dhe bëje ta kuptojë fenë”. Cili ishte shkaku i saj? Diçka e ngjashme me atë që i ndodhi Ebu Bekrit – Allahu qoftë i kënaqur prej atij brezi njerëzish!

U ngrit të falej natën Profeti ynë – sal lall llahu alejhi ue sel lem – dhe iu bashkangjit atij edhe djali i xhaxhait të tij fëmijë, veçse qëndroi pas tij. Atëherë Profeti e morri përpara, por Ibn Abbasi përsëri u zmbraps…! Pasi mbaroi namazin Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – i thotë: Ç’është kështu me ty?! Unë të tërheq përpara (të falesh drejt me mua), kurse ti bën mbrapa?! – Ibn Abbasi i përgjigjet: O i Dërguari i Allahut! Kujt i ka hije të falet në një drejtim me ty, kur ti je i Dërguari i Allahut, të dha Allahu (shpalljen)!” I pëlqeu Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem – kjo përgjigje dhe prandaj bëri dhe duanë e mësipërme.
(Shiko: “Sahiha”/ 606, 2590)
Ajo është edukata! Allahu na zbukuroftë me të!

Perktheu Emin Bilali

Loading...