El akide et Tahauije – mësimi i nëntë (4)

March 21, 2021

Mësimi i nëntë: Besimi në Allahun.  – Pjesa e katërt –

Autori Ebu Xhafer Et-Tahauij -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me njësimin e Allahut apo teuhidin, thotë: [të kapur fort pas tij].

Autori me këto fjalë shpreh qëndrimin që duhet të mbajë besimtari në lidhje me njësimin e Allahut të Madhëruar apo teuhidin, sepse kapja fort pas Tij tregon bindje në zemër e cila asnjëherë nuk duhet lëshuar apo kundërshtuar.

Ajo që e shtyn autorin të mbajë këtë qëndrim është fakti se prej njësimit të Allahut varen katër gjëra shumë të rëndësishme për njeriun, rreth të cilave ka folur Allahu i Madhëruar në librat e Tij dhe kanë porositur profetët në porositë e tyre.

E para: Kush kryen njësimin e Allahut të Madhëruar, ka suksesin dhe përkrahjen e Tij.

Allahu i Madhëruar e ka krijuar njeriun me nevoja dhe e ka futur atë në një botë të vështirë e me sfida, me qëllim që gjithmonë të jetë i detyruar t’i drejtohet Atij. Nevojat, vështirësitë dhe sfidat e shtyjnë njeriun të përpiqet për plotësimin dhe kapërcimin e tyre. Mirëpo suksesi për t’i arritur ato është në dorën e Allahut, sepse njeriu si e gjithë bota përreth tij janë nën sundimin e Zotit.

Ky realitet bën që kur njeriu i drejtohet Zotit të tij, atëherë Zoti ia këmben atë me sukses e përkrahje, e nëse i drejtohet tjetërkujt atëherë Ai e braktis atë.

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

لَا تَجْعَلْ مَعَ اللَّهِ إِلَهًا آخَرَ فَتَقْعُدَ مَذْمُومًا مَخْذُولًا

“Mos shoqëro zot tjetër me Allahun, se do të mbetesh i nënçmuar dhe i braktisur!” Suretu El-Isra: 22.

Imam Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë ajet thotë: I braktisur për shkak se Allahu i Madhëruar nuk e ndihmon. Ai e lë atë në dorë të atij që ka adhuruar ndërkohë që ai nuk ka mundësi t’i bëjë as dëm e as dobi, sepse dëmin dhe dobinë e ka në dorë vetëm Allahu i cili nuk ka ortak.[1]

Me këtë realitet njeriu përballet që në jetën e tij të dynjasë dhe prandaj ai është përmendur i pari.

E dyta: Kush kryen njësimin e Allahut të madhëruar, ka falje gjynahesh Ditën e Llogarisë.

Allahu i Madhëruar e ka krijuar njeriun krijesë të gabueshme dhe i ka vendosur atij rregulla e ligje me qëllim që të ruhet. Fakti që njeriu është i gabueshëm bën që ai patjetër të bëjë shkelje në këto rregulla e ligje, dhe për pasojë patjetër do të ngarkohet me gjynahe. Ngarkimi me gjynahe bën që njeriu të ketë nevojë për falje gjynahesh, mirëpo që Zoti ta falë atë duhet që të mos i vijë Atij me ortakëri në besim.

Profeti -alejhi selam- thotë se Allahu i Madhëruar ka thënë: “O biri i Ademit, nëse më vjen me gabime sa faqja e tokës dhe takohesh me mua pa më bërë ortakëri, do të jap sa faqja e saj falje.” E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson shejh Albani.

Fjala e Tij: [dhe takohesh me mua pa më bërë ortakëri], bën kusht njësimin e Allahut në besim për të fituar falje, sepse Ai ka gjykuar se nuk e fal ortakërinë siç thuhet në Kuran:

إِنَّ اللَّهَ لَا يَغْفِرُ أَنْ يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَلِكَ لِمَنْ يَشَاءُ وَمَنْ يُشْرِكْ بِاللَّهِ فَقَدِ افْتَرَى إِثْمًا عَظِيمًا

“Allahu nuk fal t’i bëhet Atij ortak dhe veç tij fal kë të dojë. Ai që i bën ortak Allahut ka bërë një trillim të madh” Suretu En-Nisa: 48.

Pra, Allahu nuk e fal ortakërinë në besim, ndaj kush vjen me të nuk ka falje as për ortakërinë dhe as për ndonjë punë tjetër të keqe. Imam Ibn El-Kajim -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë çështje thotë:Nëse njësuesi i Allahut i cili asnjëherë nuk i ka bërë ortak Atij, takohet me të dhe ka bërë gjynahe sa faqja e tokës, Ai i jep atij sa faqja e saj falje. Kjo gjë nuk ndodh me atë që ka mangësi në njësim dhe e ka përzier besimin me ortakëri, sepse vetëm me njësimin e pastër të papërzier me ortakëri nuk qëndrojnë gjynahet. Njësimi përmban dashuri për Allahun, madhërim, lartësim, frikë dhe shpresë vetëm për Të, aq sa e bën të detyrueshme shlyerjen e gjynaheve edhe nëse janë sa faqja e tokës.[2]

Me këtë realitet njeriu do të përballet Ditën e Llogarisë kur do të falen gjynahet e njësuesve, ndërsa gjynahet e atyre që kanë ortakëri në besim nuk preken dhe lihen të rëndojnë mbi ortakërinë e tyre.

E treta: Kush kryen njësimin e Allahut të Madhëruar, i pranohen punët e mira Ditën e Llogarisë.

Allahu i Madhëruar ka dashur prej njeriut që punët e tij të mira të jenë degëzim i besimit tek Ai, sepse ky është dhe qëllimi i krijimit, dhe Ditën e Llogarisë nuk shpërblen për to tjetërkush veç Tij. Ky realitet bën që nëse njeriu me punët e tij del jashtë qëllimit të krijimit, ato punë do t’i refuzohen.

Allahu i Madhëruar i thotë profetit të Tij:

وَلَقَدْ أُوحِيَ إِلَيْكَ وَإِلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكَ لَئِنْ أَشْرَكْتَ لَيَحْبَطَنَّ عَمَلُكَ وَلَتَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ

Të është shpallur ty dhe atyre që ishin para teje: Nëse do të bësh ortakëri, atëherë punët tuaja do të shkatërrohen.” Suretu Ez-Zumer: 65.

Në këtë ajet duket qartë se kush ia lejon vetes ortakërinë në besim, ortakëria do t’ia shkatërrojë atij çdo punë të mirë edhe nëse ajo është bërë për Allahun, sepse profetët në përgjithësi orientimin e kanë pasur nga Allahu i Madhëruar.

Shkatërrimi i punëve për shkak të ortakërisë është përmendur në shumë ajete të Kuranit, prej tyre edhe ajeti ku thotë:

وَقَدِمْنَا إِلَى مَا عَمِلُوا مِنْ عَمَلٍ فَجَعَلْنَاهُ هَبَاءً مَنْثُورًا

Ne do t’u qasemi veprave që ata kanë punuar dhe do t’i bëjmë ato si pluhur i shpërndarë.” Suretu El-Furkan: 23.

Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në interpretimin e tij thotë: Kjo do të ndodhë Ditën e Kiametit kur Allahu i Madhëruar i merr në llogari robërit e Tij për çfarë kanë punuar, e mirë qoftë ajo apo e keqe. Ai njofton se njerëzit që kanë bërë ortakëri në besim nuk fitojnë gjë me punët e tyre të cilat i kanë menduar se do të jenë shpëtim për ta. Kjo, sepse punëve të tyre u mungon sinqeriteti për Allahun, ose ndjekja e udhëzimeve sheriatike. Sepse çdo punë që nuk është e sinqertë për Allahun apo sipas udhëzimeve sheriatike të pëlqyera prej Tij, është e pavlerë. E përderisa punët e mohuesve nuk ndahen nga njëri prej këtyre kushteve apo të dyja së bashku, atëherë ato janë larg pranimit.[3]

Edhe me këtë realitet njeriu do të përballet gjithashtu Ditën e Llogarisë, dhe atëherë do t’i shkaktojë hidhërim të madh. Për këta njerëz Allahu ka thënë:

كَذَلِكَ يُرِيهِمُ اللَّهُ أَعْمَالَهُمْ حَسَرَاتٍ عَلَيْهِمْ

Kështu, Allahu ua tregon atyre veprat që kanë punuar dhe kjo do të jetë hidhërim për ta.” Suretu El-Bekare: 166.

Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- thotë: Ky realitet është prej hidhërimeve më të mëdha Ditën e Kiametit, kur njeriu të shohë mundin e tij duke shkuar kot dhe të mos përfitojë gjë prej tij në një kohë kur ai më shumë se kurdoherë ia ka nevojën.[4] Allahu na ruajt prej kësaj gjendjeje!

E katërta: Kush kryen njësimin e Allahut të Madhëruar, shpërblehet me Xhenet.

Xheneti është vendi i begative dhe është përgatitur si shpërblim i përjetshëm për robërit e Allahut. Ky realitet bën që nëse dikush bëhet rob i tjetërkujt veç Allahut, apo përzien në besim duke u bërë edhe rob i Allahut edhe i dikujt tjetër, të mos ketë pjesë në këtë shpërblim. Pengesë për të do të jenë edhe tre ligjet e mëparshme ku Allahu i Madhëruar ka gjykuar se; nuk i përkrah ata që bëjnë ortakëri, nuk i fal ata që bëjnë ortakëri, dhe nuk pranon ndonjë punë të mirë prej atyre që i kanë bërë ortakëri. Nëse prej njerëzve do të kishte nga ata që do shpërbleheshin me Xhenet edhe pa njësimin e Tij, atëherë kjo do ishte shkelje e këtyre parimeve. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

إِنَّهُ مَنْ يُشْرِكْ بِاللَّهِ فَقَدْ حَرَّمَ اللَّهُ عَلَيْهِ الْجَنَّةَ وَمَأْوَاهُ النَّارُ وَمَا لِلظَّالِمِينَ مِنْ أَنْصَارٍ

“Ai i cili i bën ortak Allahut, atij Allahu ia ka bërë haram Xhenetin dhe vendi i tij është Zjarri.” Suretu El-Maide: 72.

Për këta njerëz Allahu ka thënë në një ajet tjetër në Kuran:

وُجُوهٌ يَوْمَئِذٍ خَاشِعَةٌ * عَامِلَةٌ نَاصِبَةٌ * تَصْلَى نَارًا حَامِيَةً

Atë ditë do të shikosh fytyra të përulura (që janë përpjekur e lodhur) por që hyjnë në zjarrin e nxehtë të Xhehenemit.” Suretu El-Gashije: 2-4.

Ibn Abasi -radiallahu anhu-  thotë se këta njerëz janë të krishterët, sepse ata janë njerëz me gabime në njësimin e Allahut. Ata janë lodhur shumë në dynja për t’u afruar te Zoti, mirëpo duke i bërë Atij ortak në adhurim bën që përpjekja e tyre të mos u bëjë dobi dhe të përfundojnë në zjarrin e Xhehenemit.

Me këtë realitet njeriu përballet pas llogarisë kur njësuesit hyjnë në Xhenet, ndërsa të tjerët përgjithmonë në zjarrin e Xhehenemit -Allahu na ruajt prej tij-.

Pra, njësimi i Allahut është ai që i ndan njerëzit ose në të fituar të përjetshëm, ose në të humbur të përjetshëm. Prandaj autori thotë: [të kapur fort pas tij].

Fjala e autorit në lidhje me njësimin e Allahut: [të kapur fort pas tij], për nga mënyra se si është shprehur përmban edhe deklarim, dhe deklaratat kanë disa qëllime e dobi.

E para: Deklaratat përforcojnë bindjen në zemër.

Ibn Abasi -radiallahu anhu- e ka këshilluar një burrë i cili ankohej për vesveset që i hidhte shejtani në lidhje me besimin, të lexojë ajetin:

هُوَ الأوَلُ والأَخِرُ وَاَلظاهِرُ وَالباطنُ وَهُوَ بِكُلِّ شَيءٍ عَلِيم

Ai (Allahu) është i Pari dhe i Mbrami, i Dukshmi dhe i Padukshmi. Dhe Ai për çdo gjë është i Dijshëm.” Suretu El-Hadid: 3.

E dyta: Deklaratat shfaqin qartë përkatësinë e deklaruesit.

Isa -alejhi selam- si ka ardhur në Kuran, kur pa mohimin e popullit të tij u kërkoi t’a shprehnin qartë përkatësinë duke u thënë:

قَالَ مَنْ أَنْصَارِي إِلَى اللَّهِ قَالَ الْحَوَارِيُّونَ نَحْنُ أَنْصَارُ اللَّهِ آمَنَّا بِاللَّهِ وَاشْهَدْ بِأَنَّا مُسْلِمُونَ

“Kush janë përkrahësit e mi në rrugën e Allahut?” Shoqëruesit e tij u përgjigjën dhe thanë: Ne jemi përkrahësit e çështjes së Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti dëshmo se Atij i jemi dorëzuar.” Suretu Ali Imran: 52.

 E treta: Deklaratat ofrojnë shembull të mirë për të tjerët.

Allahu i Madhëruar pasi u thotë besimtarëve në Kuran të deklarojnë besimin në Allah, në libra dhe në profetët e Tij pa bërë dallim mes tyre, sqaron dhe thotë:

فَإِنْ آمَنُوا بِمِثْلِ مَا آمَنْتُمْ بِهِ فَقَدِ اهْتَدَوْا

“Nëse ata do të besojnë siç besuat ju, atëherë ata janë të udhëzuar.” Suretu El-Bekare: 137.

Për këto qëllime edhe besimi Islam shprehet me deklaratë, kur çdo besimtar deklaron deklaratën e besimit dhe thotë: “La ilahe Il-la Allah. Muhamedun resulullah.

Ky është qëndrimi që duhet të mbajë robi ndaj njësimit të Allahut, përfitimet që ka prej tij dhe shkaku pse autori i kushton kaq shumë rëndësi.

Lusim Allahun e Madhëruar t’a bëjë njësimin e Tij besimin tonë, dhe të na e mundësojë ruajtjen e tij deri në vdekje! Amin!

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

 

 

 

[1] Shih librin tefsir Ibn Kethir: 5/64.

[2] Shih fjalët e autorit në librin Igathet el-lehfan: 1/63.

[3] Shih tefsir Ibn Kethir 6/103.

[4] Shih Er-Risale Et-Tebukije: 52.

Dosje:

Loading...