El-Akide Et-Tahauije – Mësimi i shtatë: Besimi në Allahun.  Pjesa e dytë

Mësimi i shtatë: Besimi në Allahun.  

-Pjesa e dytë-

 Autori Ebu Xhafer Et-Tahauij -Allahu e mëshiroftë- në fillim të kësaj teme thotë:

[Themi në lidhje me njësimin e Allahut, të kapur fort pas tij dhe suksesin e Allahut duke shpresuar….].

Në këtë fjali të tërheqin vëmendjen dy fjalë; fjala Allah dhe fjala njësim. dhe dy veprime; kapja fort pas njësimit të Allahut dhe kërkimi i suksesit prej Tij.

Për sa i përket fjalës Allah, ai është emri të cilin Allahu i Madhëruar e ka njoftuar për veten e Tij dhe e ka urdhëruar Profetin t’jua përmend atë njerëzve.

Allahu i Madhëruar në Kuran në lidhje me veten e Tij thotë:

إِنِّي أَنَا اللَّهُ رَبُّ الْعَالَمِينَ

“Unë jam Allahu, Zoti i botëve!” Suretu El-Kasas: 30.

Ndërsa në lidhje me urdhërin drejtuar Profetit tonë (alejhi selam) thotë:

قُلْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ

“Thuaj: Ai, Allahu është Një!” Suretu El-Ihlas: 1.

Këtë emër -siç tregohet në Kuran- e kanë përmendur të gjithë profetët para Muhamedit (alejhi selam).

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

قَالَتْ رُسُلُهُمْ أَفِي اللَّهِ شَكٌّ فَاطِرِ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ

“Profetët e tyre u thanë (popujve të tyre): A ka dyshim rreth Allahut, Krijuesit të qiejve dhe të tokës?” Suretu Ibrahim: 10.

Për përdorimin e këtij emri nga Ibrahimi -alejhi selam- deri te Muhamedi -alejhi selam-, dëshmojnë edhe gjurmët e tyre të mbetura në histori deri në ditët tona.

Ibrahimi -alejhi selam- mendohet të ketë folur gjuhën asiriane të vjetër, sepse ai rrjedh nga lugina e Mesopotamisë, vend ku flitej kjo gjuhë. Kur ai emigroi dhe kaloi lumin e Eufratit për në Sham, pasardhësit e tij nga Is’haku -alejhi selam- të cilët qëndruan në Sham folën hebraisht, ndërsa pasardhësit e tjerë të tij nga Ismaili -alejhi selam- të cilët banuan në Arabi folën gjuhën arabe.[1]

Pra, janë tre gjuhë të cilat janë folur nga profetët e Allahut që nga epoka e Ibrahimit -alejhi selam-: asirishtja, hebraishtja dhe arabishtja. Këto tre gjuhë kanë shumë ngjashmëri me njëra-tjetrën si në fjalë ashtu dhe në ndërtim, aq sa është thënë se ato kanë të njëjtën origjinë apo rrjedhin nga njëra-tjetra. Allahu e di më së miri. Ajo që na nevojitet në lidhje me temën është emri me të cilin i drejtohet Zotit në këto gjuhë, përderisa ato kanë qenë të ndikuara nga mësimet profetike -siç u tha-, dhe ajo është fjala Allah.

Shejh dr. Muhamed Tekiudin El-Hilali -Allahu e mëshiroftë- (dijetar i njohur i gjuhës arabe, fesë Islame dhe me njohuri të gjera në fushën e linguistikës dhe zotërues i disa gjuhëve të huaja) në lidhje me fjalën Allah, thotë:

Emri Allah në gjuhen asiriane është Alaha. Banorët e anës së lindjes prej tyre e shqiptojnë Alahu. Kështu është në të tre gjuhet me shkronjën A dhe në hebraisht është Alohim. Gjuhët e popujve samitë nuk kanë dallime në lidhje me këtë emër të nderuar.[2].

Kuptimi i emrit Allah

Dijetarët e gjuhës arabe në lidhje me kuptimin e këtij emri kanë dhënë disa mendime. Më të rëndësishmit prej tyre janë dy:

Mendimi i parë: Emri Allah do të thotë i Adhuruari.

Sipas këtij mendimi emri Allah vjen nga emri Ilah i cili i ngjan shumë atij në strukturë. Emri Ilah në gjuhën arabe do të thotë “i adhuruari i krijesave”, sepse në gjuhen arabe ekziston një folje me këto shkronja dhe me të emërtohet veprimi i adhurimit.

Ky është mendimi i shumicës prej dijetarëve dhe është mendimi i zgjedhur nga imam Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë-.[3]

Mendimi i dytë: Emri Allah është pa prejardhje.

Sipas këtij mendimi emri Allah nuk mund të shpjegohet, sepse ai është prej emërtimeve të hershme të pavarura. Me këtë emër është quajtur Zoti ynë që në kohën e vendosjes së gjuhës dhe fjalë si këto quhen fjalë të parme, që do të thotë; fjalë që nuk rrjedhin nga fjalë të tjera.

Ndoshta këtij mendimi i shkon për shtat edhe fakti që emri Allah gjendet në tre gjuhët e lartpërmendura siç shprehen disa djetarë. Për çudi edhe fjala Ilah të cilës i referohet mendimi i parë gjendet gjithashtu në hebraisht e asirisht dhe ajo është fjala “Il” apo “El[4], dhe është me të njëjtin kuptim i adhuruari çfarë tregon për ngjashmërinë e këtyre gjuhëve. Allahu e di më së miri!

Karakteristikat e emrit Allah

Nga trajtimi i kësaj teme shihet se emri Allah përmban disa karakteristika:

1 – Është emër i përmendur në Kuran dhe në fjalët e profetit Muhamed -alejhi selam-.

2 – Është emër i përveçëm i Zotit përderisa të gjithë profetët e përmendur në Kuran i janë drejtuar Atij me këtë emër, madje për Ibrahimin -alejhi selam- dhe profetët pas tij dëshmojnë edhe sot e kësaj dite gjuhët të cilat ata kanë folur.

3 – Është emër i bukur pavarësisht nëse e dimë ekzaktësisht kuptimin e tij apo jo, përderisa Allahu i Madhëruar e ka përmendur për veten e Tij dhe ua ka miratuar atë profetëve të Tij.

4 – Nëse emri Allah është marrë nga fjala “Ilah” apo “Il” që do të thotë i adhuruar, atëherë ky emër mban atë cilësi për të cilën Allahu ka krijuar krijesat dhe që është adhurimi, detyra më e rëndësishme e tyre.

5 – Nëse emri Allah ka kuptimin i Adhuruari, atëherë ky emër mund të tregojë për të gjithë emrat dhe cilësitë e tjera të Allahut.  Kjo sepse adhurimin e meriton ai që ka cilësitë e zotërimit si: krijimi, sundimi, rregullimi etj. Kush i ka cilësitë e zotërimit patjetër është i gjallë, i dijshëm shikues, dëgjues, i fortë, i urtë etj.

Pra, në këtë mënyrë të gjithë emrat e Allahut të Madhëruar mund të kthehen tek ky emër siç thekson imam Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë-[5].

6 – Karakteristikat e shumta të emrit Allah mund t’a bëjnë atë emrin më të madh të Tij.

Burejde El-Eslemij -radiallahu anhu- tregon:Njëherë Profeti -alejhi selam- dëgjoi një burrë duke u lutur: O Allah, të lutem ty për shkak se dëshmoj se Ti je Allahu i cili s’ka të adhuruar tjetër veç Teje. Je Ai që është Një, je i Synuari për nevoja dhe je Ai i cili as ka lindur nga dikush, as lind kush prej tij dhe as barazohet kush me të. Atëherë Profeti -alejhi selam- tha: Pasha atë që në dorën e tij është shpirti im, ai i është lutur Allahut me emrin e Tij më të madh. Me atë emër që nëse i thërret të përgjigjet, dhe nëse i kërkon të jep.” E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe etj. dhe e saktëson shejh Albani.

Profeti -alejhi selam- në këtë hadith njofton se Allahu i Madhëruar ka një emër të madh, dhe ndër emrat e përmendur gjendet edhe emri Allah.

Edhe pse hadithi nuk e veçon emrin Allah me këtë cilësi, shumë dijetarë mendojnë se për shkak të karakteristikave të tij ky emër mund të jetë emri më i madh i Allahut të Madhëruar.

 

Ky është emri Allah, emri i Zotit tonë, përdorimi, domethënia dhe karakteristikat e tij. Lusim Allahun Zotin tonë, t’i bëjë pjesë këtij emri në lutjet dhe adhurimet tona! Amin!

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

 

[1] Historiani i njohur mysliman El-Fakihaniju i cili ka vdekur në vitin 272 të hixhretit -Allahu e mëshiroftë- thotë se është transmetuar nga Ibn Abasi -radiallahu anhu- se ka thënë: “Pesë nga profetët kanë folur arabisht: Muhamedi, Ismaili i biri i Ibrahimit, Shuajbi, Salihu dhe Hudi. Ndërsa të tjerët kanë folur asirisht me përjashtim të Musait i cili ka folur hebraisht. Hebraishtja është nga asirishtja dhe atë e ka folur Ibrahimi, pastaj Is’haku, pastaj Jakubi. Atë pastaj e kanë trashëguar Beni Israilët dhe ajo është gjuha e tyre. Në këtë gjuhë ua ka lexuar atyre Musai Teuratin”. Shih librin e tij me titull Ekhbar Meke: 5/86.

Një tjetër historian i njohur Ibn Asakiri i vdekur në vitin 571 -Allahu e mëshiroftë- përcjell nga një historian tjetër më i hershëm Muhamed bin Es-Saib El-Kelbij, se ka thënë: “Ibrahimi -alejhi selam- emigroi nga Harani dhe kaloi Eufratin për në Sham, dhe gjuha e tij ndryshoi nga asirishtja në hebraisht. Ajo është quajtur hebraisht (gjuha e përtejme) sepse ai e foli atë kur kaloi Eufratin.” Shih librin e tij me titull Tarikh Dimeshk: 69/182. 

Nëse këto transmetime saktësohen atëherë hebraishtja është nga asirishjtja, ndërsa arabishtja është më e hershme sepse atë e ka folur Hudi -alejhi selam-. E nëse edhe Ademi -alejhi selam- ka folur arabisht siç pretendojnë disa dijetarë, atëherë arabishtja i bie të jetë nëna e gjuhëve dhe kështu emri Allah për Zotin është i përbashkët te profetët e Allahut. Allahu e di më së miri!

[2] Shih artikullin e shejh dr. Muhamed Tekiudin El-Hilali -Allahu e mëshiroftë- me titull: Ma ueka’ fil-Kurani bigajri lugatil-arab.

[3] Shih librin e tij Medarixh Es-Salikijn: 1/55.

[4] Në Inxhilin e sotëm të përkthyer në shqip shkruhet: “Eli, Eli, lama sabaktani” që do të thotë: “I adhuruari im, I adhuruari im, pse më braktise mua!” Shih Ungjilli sipas Metës: 27/46.

[5] Shih më gjerësisht librin e tij Medarixh Es-Salikijn: 1/55.