El akide et Tahauije – mësimi i tetë (3)

March 18, 2021

Mësimi i tetë: Besimi në Allahun.

-Pjesa e tretë-

Fjala e dytë e përmendur nën këtë temë nga autori Ebu Xhafer Et-Tahauij -Allahu e mëshiroftë- është fjala “Njësim”, apo “Teuhid”, siç njihet në gjuhën arabe në të cilën ka zbritur Kurani.

Fjala “Njësim”, apo “Teuhid” është term me të cilin në Islam emërtohet besimi se Allahu i Madhëruar është Një i Vetëm, në tre aspekte; në zotërimin e Tij, në adhurimin e Tij, dhe në emrat dhe cilësitë e Tij.

Secili nga këto tre aspekte trajton një anë të veçantë të besimit në Allah, dhe ka një qëllim të veçantë për të arritur.

Njësimi në zotërim trajton besimin se vetëm Allahu është Krijuesi, Sunduesi dhe Rregullatori i çështjeve të krijesave, me qëllimin që asgjë të mos i atribuohet apo mvishet tjetërkujt.

Njësimi në adhurim trajton besimin se vetëm Allahu meriton të adhurohet, më qëllim që asnjë adhurim të mos i ofrohet tjetërkujt veç Tij.

Ndërsa njësimi në emra e cilësi trajton besimin se Allahu është i Vetëm në çdo cilësi e tipar, dhe është larg çdo të mete e gabimi, me qëllim që cilësitë e Tij të mos e shëmbëllejnë me cilësitë e krijesave dhe të metat dhe gabimet e tyre të mos ia mveshin Atij.

Këto tre aspekte përbëjnë njësimin e Allahut të Madhëruar dhe janë përmendur shumë në Kuran, siç thuhet në këtë ajet:

رَبُّ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَمَا بَيْنَهُمَا فَاعْبُدْهُ وَاصْطَبِرْ لِعِبَادَتِهِ هَلْ تَعْلَمُ لَهُ سَمِيًّا

Ai (Allahu) është Zoti i qiejve e Tokës dhe çfarë ka mes tyre, prandaj ti adhuroje Atë dhe duro në adhurimin ndaj Tij! A di ti dikë të ngjashëm me Të?!” Suretu Merjem: 65.

Fjala e Tij: [Zoti i qiejve e Tokës dhe çfarë ka mes tyre] tregon për njësimin në zotërim, sepse ky përgjithësim bën që çdokush tjetër veç Allahut  të jetë i zotëruar dhe jo zotërues.

Fjala e Tij: [prandaj ti adhuroje Atë] tregon për njësimin në adhurim, sepse ai që ka zotërimin vetëm ai meriton të adhurohet.

Ndërsa fjala e tij: [A di ti dikë të ngjashëm me Të?!] tregon për njësimin në emrat dhe cilësitë e Tij, sepse ai që ka zotërimin dhe meriton adhurimin nuk mund të jetë si të tjerët, apo të tjerët si ai.

Ky besim i cili përmblidhet në fjalën [Njësim] apo [Teuhid] dallohet për katër veçori të cilat nuk gjenden te asnjë besim tjetër:

E para: Njësimi i Allahut është besim që përputhet me natyrën njerëzore.

Njeriu në natyrë është i dobët dhe nevojtar, dhe nga pamundësia për t’i mbuluar nevojat e tij gjithmonë ka tendencë të natyrshme t’i drejtohet për ndihmë vetëm një Zoti. Kjo tendencë është shumë e dukshme tek njerëzit. Allahu i Madhëruar në Kuran në lidhje me idhujtarët e kohës së Profetit Muhamed -alejhi selam- thotë:

حَتَّى إِذَا كُنْتُمْ فِي الْفُلْكِ وَجَرَيْنَ بِهِمْ بِرِيحٍ طَيِّبَةٍ وَفَرِحُوا بِهَا جَاءَتْهَا رِيحٌ عَاصِفٌ وَجَاءَهُمُ الْمَوْجُ مِنْ كُلِّ مَكَانٍ وَظَنُّوا أَنَّهُمْ أُحِيطَ بِهِمْ دَعَوُا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ لَئِنْ أَنْجَيْتَنَا مِنْ هَذِهِ لَنَكُونَنَّ مِنَ الشَّاكِرِينَ

Kur ata ishin në anije dhe ato lundronin të qeta për shkak të erës së lehtë, gëzoheshin. Mirëpo kur u vinte stuhia dhe valët nga çdo anë dhe mendonin se u erdhi fundi, i luteshin Allahut me sinqeritet dhe nënshtrim duke thënë: Nëse na shpëton do të jemi prej falënderuesve.” Suretu Junus: 22.

Te këta njerëz shfaqet shumë qartë natyra njerëzore e njësimit të Allahut edhe pse ishin idhujtarë, mirëpo ajo u shfaqej atyre në situata jo të zakonshme. U shfaqej atëherë kur përballeshin me sfidat e detit. Sfidat e detit për ta ishin një sprovë e madhe, sepse për shkak të kushteve të asaj kohe lundrimi në det ishte shumë i vështirë. Lundruesi i njohur arab Ahmed bin Maxhid i cili njihet si “Luani i Detit”, thotë: “Kur të lundrosh në det, je mik i Zotit”. Kjo sepse lundruesit në det për shkak të rreziqeve dhe ndërprerjes së ndihmës nga të tjerët, nuk u mbetet mik tjetër veç Allahut të Madhëruar. Pikërisht në këtë gjendje jo të zakonshme shfaqej prej këtyre njerëzve natyra e pastër e njësimit të Zotit, sepse vetëm kjo gjendje mund ta thyente traditën e idhujtarisë me të cilën ishin rritur dhe edukuar.

Njësimi i Allahut është natyrë njerëzore dhe njerëzit nuk ndahen dot prej saj. Edhe kur pengohet nga mjedisi me shthurje në besim, ajo nuk zhduket asnjëherë dhe mund të shfaqet në çdo moment dhe pa asnjë deformim kur ngacmohet dhe i largohen pengesat.

E dyta: Njësimi i Allahut është besim që përputhet me logjikën e drejtë. Logjika e drejtë -siç nuk pranon që kjo botë kaq e rregullt dhe e përsosur të jetë gjendur pa një zot- nuk pranon gjithashtu që ajo të drejtohet nga më shumë se një zot, apo të adhurohet në të më shumë se një zot për shkak se rivaliteti do ta shkatërronte atë.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

لَوْ كَانَ فِيهِمَا آلِهَةٌ إِلَّا اللَّهُ لَفَسَدَتَا

“Sikur të kishte në ato të dyja (në qiell dhe në tokë) zota të tjerë veç Allahut që meritojnë adhurim, do të ishin shkatërruar.” Suretu El-Enbija: 22.

Në Kuran është përmendur një rast i disa djemve të cilët nuk u pajtuan me idhujtarinë edhe pse vinin nga një popull idhujtar që nuk ishin në kontakt me profetët.

Allahu i Madhëruar në lidhje me këta djem, thotë:

وَرَبَطْنَا عَلَى قُلُوبِهِمْ إِذْ قَامُوا فَقَالُوا رَبُّنَا رَبُّ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ لَنْ نَدْعُوَ مِنْ دُونِهِ إِلَهًا لَقَدْ قُلْنَا إِذًا شَطَطًا * هَؤُلَاءِ قَوْمُنَا اتَّخَذُوا مِنْ دُونِهِ آلِهَةً لَوْلَا يَأْتُونَ عَلَيْهِمْ بِسُلْطَانٍ بَيِّنٍ فَمَنْ أَظْلَمُ مِمَّنِ افْتَرَى عَلَى اللَّهِ كَذِبًا

Ne i forcuam zemrat e tyre, kur u ngritën e thanë: “Zoti ynë është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Nuk do t’i lutemi asnjë zoti tjetër përveç Tij, sepse atëherë do të thoshim një fjalë shumë larg të vërtetës. Populli ynë ka zgjedhur në vend të Tij të adhuruar të tjerë, ndonëse ata nuk sjellin dot asnjë provë të qartë. E kush është më zullumqar se ai që trillon gënjeshtra për Allahun?” Suretu El-Kehf: 14-15.

Ibn Kethiri, një prej interpretuesve më të mëdhenj të Kuranit dhe historianëve më të njohur të Islamit -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë ajet, thotë:

“Janë disa interpretues të Kuranit nga të hershmit dhe të vonshmit, të cilët kanë përmendur se këta djem kanë qenë prej bijve të mbretërve të Romakëve dhe të parisë së tyre.

Këta njerëz një ditë dolën për një festë nga festat e tyre te vendi i grumbullimit i  cili ishte në krye të atij vendi ku banonin, që të adhuronin idhujt dhe hyjnitë e tyre dhe të bënin kurbane për ta. Ata gjithashtu kishin një mbret tiran me emër Dukianus, i cili i mësonte njerëzit të bënin kështu dhe i nxiste e i ftonte në këtë besim.

Kur njerëzit dolën te vendi i grumbullimit, së bashku me baballarët e tyre ishin edhe këta djem. Djemtë kur panë me sytë e tyre se çfarë bënin njerëzit duke u përulur para idhujve dhe duke bërë kurbane për ta, e kuptuan se këto veprime nuk duhet të jenë veçse për Zotin që krijoi qiejt dhe tokën. Për këtë shkak, secili prej tyre filloi të tërhiqej, të mënjanohej dhe të veçohej nga njerëzit e tij.

I pari që u veçua u ul nën hijen e një peme. Pastaj erdhi tjetri dhe u ul pranë tij. Pastaj erdhi tjetri dhe u ul pranë tyre. Pastaj tjetri e tjetri e tjetri e kështu me radhë. Ata nuk e njihnin njëri-tjetrin, por i mblodhi ai që i bashkoi zemrat e tyre në besim.[1]

Pra, logjika e pastër njerëzore nuk pranon të adhurohet me meritë veçse një Zot, mirëpo siç u tha edhe për natyrshmërinë e krijimit, ajo shpesh herë pengohet nga mjedisi me besim të shthurur dhe traditat e formuara për shkak të tij të cilat kultivojnë tek njerëzit bindje të gabuara. Edhe nëse ndotet nga turbullimi që shkaktojnë këto ndyrësi, ajo mund të shfaqet në çdo rast dhe pa asnjë deformim kur ngacmohet dhe i largohen pengesat siç ndodh edhe me natyrshmërinë e krijimit.

E treta: Njësimi i Allahut është besimi i njerëzve të parë.

Banorët e parë të tokës, atëherë kur nuk kishin lindur apo formuar akoma traditat e dëmshme të kohës së mëvonshme, nuk mund të imagjinohet të kenë qenë në kundërshtim me njësimin e Allahut përderisa natyra njerëzore dhe logjika janë në përputhje me të.

Kështu është shprehur edhe Kurani kur thotë:

وَمَا كَانَ ٱلنَّاسُ إِلَّآ أُمَّةً وَٰحِدَةً فَٱخْتَلَفُواْ

Nuk kanë qenë njerëzit veçse të një besimi, pastaj ranë në kundërshtime.” Suretu Junus: 19.

Interpretuesit e Kuranit sqarojnë se ai besim ka qenë adhurimi i një zoti të vetëm, sepse Ibn Abasi -radiallahu anhu- rreth këtij ajeti thotë:

Mes Nuhut dhe Ademit kanë qenë dhjetë breza, që të gjithë në fenë e drejtë. Pastaj ata ranë në kundërshtime dhe atëherë Allahu dërgoi profetët me përgëzime dhe paralajmërime.” E transmeton Hakimi dhe e saktëson atë.

Pra, njerëzit e parë që nga Ademi -alejhi selam- deri dhjetë shekuj më vonë në kohën e Nuhut -alejhi selam-, nuk kanë njohur besim tjetër veç njësimit të Allahut të Madhëruar.

E katërta: Njësimi i Allahut është besimi me të cilin kanë zbritur librat e Allahut dhe kanë ftuar në të profetët e Tij.

Allahu i Madhëruar në Kuran i thotë Muhamedit -alejhi selam-:

قُلْ أَرَأَيْتُمْ مَا تَدْعُونَ مِنْ دُونِ اللَّهِ أَرُونِي مَاذَا خَلَقُوا مِنَ الْأَرْضِ أَمْ لَهُمْ شِرْكٌ فِي السَّمَاوَاتِ ائْتُونِي بِكِتَابٍ مِنْ قَبْلِ هَذَا أَوْ أَثَارَةٍ مِنْ عِلْمٍ إِنْ كُنْتُمْ صَادِقِينَ

“Thuaju (njerëzve): A i shihni ata që i adhuroni në vend të Allahut? Më tregoni, çfarë pjese të Tokës kanë krijuar ata?! Mos vallë kanë ndonjë pjesë në krijimin e qiejve?! Më sillni një libër të shpallur para këtij (libri) ose ndonjë gjurmë tjetër të dijes (hyjnore) nëse flisni të vërtetën.” Suretu El-Ahkaf: 4.

Me fjalën [libër] janë për qëllim fjalët e zbritura nga Allahu, ndërsa me fjalën [gjurmë] janë për qëllim fjalët e profetëve të Tij të transmetuara me zinxhir transmetimi, siç shpjegon shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë-.

Allahu i Madhëruar e drejton këtu këtë thirrje për shkak se shumë popuj pretendojnë se besimi i tyre me përmbajtje idhujtarie përmendet në librat e shenjtë. Apo është përmendur nga profetët, mirëpo ata asnjëherë nuk arrijnë t’a vërtetojnë këtë gjë për shkak se ato janë vetëm gojëdhëna që nuk lidhen me zinxhirë të saktë transmetimi.

Profeti Muhamed -alejhi selam- kur e çliroi Mekën dhe filloi të pastronte Qaben nga idhujt, pa figurat e Ibrahimit dhe Ismailit duke shtirë fall dhe tha: “I vraftë Allahu idhujtarët! Pasha Allahun, ata kurrë nuk kanë shtirë fall!” E transmeton Buhariu.

Pra, përderisa idhujtaria është e pamundur të vërtetohet, atëherë kjo do të thotë se librat e Allahut dhe predikimet e profetëve të Tij përmbanin vetëm njësimin. Allahu i Madhëruar nuk i ka zbritur librat dhe i ka dërguar profetët veçse me atë besim i cili përshtatet me natyrën dhe logjikën e pastër  njerëzore të vulosura dhe gdhendura prej Tij në trupat e tyre.

Ky është termi “Njësim” apo “Teuhid”, detajet dhe veçoritë e të cilit autori synon të shpjegojë në këtë përmbledhje. Lusim Allahun e Madhëruar të na bëjë prej atyre që e kuptojnë drejt këtë term dhe e vlerësojnë atë siç duhet! Amin!

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

 

[1] Shih librin Tefsir Ibn kethir: 5/140.

Dosje:

Loading...