Emërtimi i ditës së xhuma dhe zanafilla e saj

April 12, 2019

Emërtimi i ditës së xhuma dhe zanafilla e saj.

Emri [El-Xhumuah] në arabisht apo [E Xhuma] në shqip është emër Islam, sepse ky emër nuk ka qenë i njohur para Islamit.

Emri i hershëm i xhumasë tek arabët ka qenë [El-Urubeh] siç është edhe emri [E Premte] te shqiptarët.
Ensarët (siç quhen banorët myslimanë të Medinës në kohën e Profetit -alejhi selam-) kanë qenë të parët në Islam që kanë falur xhumanë, dhe po ata e kanë quajtur atë [El-Xhumuah] që do të thotë bashkim dhe grumbullim, sepse njerëzit në këtë ditë mblidhen për të përkujtuar Allahun e Madhëruar.

Muhamed bin Sirini (dijetar i madh në kohën e tabi’inëve, i vdekur në vitin 110 H -Allahu e mëshiroftë-) thotë: Banorët e Medinës para ardhjes së Profetit (alejhi selam) dhe para se të bëhej detyrë e xhumaja, ishin ata të cilët e quajtën këtë ditë [e xhuma].

Ensarët në atë kohë, thanë: Hebrenjtë kanë një ditë në të cilën bashkohen në çdo shtatë ditë dhe po ashtu edhe të krishterët. Të caktojmë edhe ne një ditë në të cilën të përkujtojmë Allahun, të falemi dhe t’a falënderojmë Atë.

Ata thanë: Dita e shtunë është e hebrenjve, dita e diel është e të krishterëve, atëherë të caktojmë ditën El-Urube sepse ata e quanin ditën e xhuma ‘El-Urube’.

Kështu, ata u mblodhën në shtëpinë e Esad bin Zurara dhe ai atë ditë ua fali namazin dhe i këshilloi. Ata e quajtën atë ditë [El Xhumuah] (dita e grumbullimit). Kur u mblodhën tek Esad bin Zurara ai u theri atyre një dele dhe hëngrën me të dy vakte sepse ishin pak njerëz.

Allahu për këtë rit zbriti më pas ajetin: “Kur të thirret për në namaz ditën e xhuma shpejtoni për në përkujtimin e Allahut.” E transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.

Ibn El-kajim -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë ngjarje thotë: “Ky ishte fillimi i të xhumasë. Kur Profeti -alejhi selam- emigroi dhe arriti në afërsi të Medinës, qëndroi në Kuba (vend afër Medines) tek fisi Beni Amr bin Auf, siç tregon historiani i njohur Ibn Is’haku -Allahu e mëshiroftë.

Ai qëndroi atje; ditën e Hënë, ditën e Martë, ditën e Mërkurë dhe ditën e Enjte, dhe aty themeloi xhaminë e tyre xhaminë e Kubasë.

Ai pastaj (në paraditen e xhumasë pas të Enjtes) doli prej tyre (në drejtim të Medines) dhe e zuri koha e faljes së xhumasë tek fisi Beni Salim bin Auf, dhe e fali atë në xhaminë e asaj lugine.
Ajo xhuma ka qenë xhumaja e parë që ka falur i dërguari i Allahut -alejhi selam- në Medine para se të themelohej xhamia e Medines.” Shih librin ‘Zad El-Mead’: 1/362.

Një tabi’in i njohur që quhet Ebu Seleme bin Abdurrahman bin Auf -Allahu e mëshiroftë- i vdekur në vitin 94 apo 104 sipas hixhretit, na tregon për fjalët e hytbes së parë të Profetit -alejhi selam- në Medine dhe thotë:

Në hytben e parë që ka mbajtur Profeti -alejhi selam- në Medine, ai u ngrit mes njerëzve, e falënderoi Allahun, i çoi lavdi Atij dhe tha:
“O njerëz, bëni vepra të mira për vetet tuaja. Pasha Allahun, ndonjërin prej jush ka për t’a kapluar kllapia (e orës së fundit të dynjasë) dhe do t’a lërë bagëtinë e tij pa bari. Pastaj do t’a pyes Zoti i tij pa përkthyes dhe pa pengesa mes tij dhe Atij, dhe do t’i thotë: A nuk të ka ardhur Profeti Im dhe t’i përcolli porositë e Mia?! A nuk të dhashë pasuri dhe të mbulova me mirësitë e mia?! Atëherë, çfarë ke punuar për veten tënde?

Ai do të vështrojë nga e djathta dhe e majta (për të parë se çfarë mund të sjellë) dhe nuk do të shohë asgjë. Pastaj do të vështrojë përpara dhe nuk do të shohë gjë tjetër veç xhehenemit.

Kush ka mundësi t’a ruajë veten e tij prej zjarrit qoftë edhe me një gjysmë hurme (sadaka), le t’a bëjë atë. Dhe kush nuk ka as aq atëherë me një fjalë të mirë, sepse vepra e mirë shpërblehet me dhjetë të mira si ajo deri në shtatë qind fish.

Selami, mëshira e Allahut dhe begatia e Tij qofshin mbi ju dhe mbi Profetin!” E transmeton Bejhakiu me zinxhir të saktë deri tek Ebu Seleme -Allahu e mëshiroftë.

Dr. Abdullah Nabolli

Loading...