Emrat dhe atributet e Allahut

August 29, 2020

Allahu i Lartmadhëruar e ka përshkruar veten e Tij nëpërmjet Kuranit Famëlartë dhe haditheve të Profetit (Paqja qoftë mbi të) me emra dhe atribute të shumta. Nëpërmjet këtyre emrave dhe atributeve besimtarët arrijnë të njohin Krijuesin e tyre.

Pohimi dhe pranimi i tyre ashtu siç janë përmendur në Kuran dhe në hadithet profetike është detyrë për çdo besimtar, ngase kështu ka vepruar Profeti (Paqja qoftë mbi të) dhe shokët e tij dhe kështu kanë vepruar të gjithë dijetarët e mirëfilltë të kohërave të hershme të fesë Islame.Kushdo që i mohon apo nuk i pranon ato ashtu siç janë përmendur në Kuran dhe hadith ai ka kundërshtuar praktikën e Profetit (Paqja qoftë mbi të) dhe të shokëve të tij, dhe të gjithë dijetarëve të mirëfilltë të kohërave të hershme të Islamit.

Emrat e Allahut dhe Atributet e Tij nuk janë të ngjashëm me emrat dhe atributet e krijesave. Ato janë të përsosura dhe unike. Në Kuranin Famëlartë citohet: ’’Asgjë nuk është sikur Ai.’’ (Shura 11)

Forma dhe realiteti i Atributeve të Tij është diçka e fshehtë për ne. Shpjegimi i formës dhe realitetit të tyre është i pamundur dhe i ndaluar. Askush nuk i njeh të gjithë Emrat dhe Atributet e Allahut të Madhëruar. Ne njohim aq sa na është treguar në Kuranin Famëlartë dhe në hadithet profetike. Ato janë të caktuara me argument nga Kurani dhe hadithi. Askush nuk e ka të drejtën të sajojë emra apo atribute për Allahun e Madhëruar nga vetja e tij. Atributet e Allahut të Madhëruar ndahen në dy kategori kryesore:

1 – Atributet që Allahu i’a ka përshkruar vetes së Tij, disa nga të cilat lidhen me Qënien e Tij si: Shikimi, dëgjimi, fuqia, dija, pavdekshmëria etj. E disa lidhen me veprat e Tij, si: Zbritja në qiellin e dunjasë në një të tretën e fundit të natës, të qeshurit, qëndrimi mbi Arsh etj.

2 – Atributet që Allahu i Madhëruar i’a ka mohuar Vetes së Tij, si: Vdekshmëria, gjumi, harresa, pafuqia, lodhja etj.

Mohimi i Atributeve të Allahut të Madhëruar që Ai i’a ka përshkruar vetes së Tij në Kuran apo në hadithet e sakta është kufër (dalje nga Islami), siç veproi Xhehm bin Safuani dhe pasuesit e tij që njihen si ”xhehmit”, dhe Vasil bin A’ta me pasuesit e tij që njihen si ”Mu’tezilët”. Përngjasimi i Allahut me krijesat është gjithashtu kufër, siç veproi Mukatili dhe pasuesit e tij që njihen si ”Mushebiheh” ose ”Muxhesimeh”.

Këto dy pikëpamje (mohimi i Atributeve të Allahut dhe përngjasimi i Tij me krijesat) janë në mënyrë unanime të devijuara dhe janë konsideruar kufër nga dijetarët.

Dijetarët e Ehli Sunetit i kanë kundërshtuar në të gjitha kohërat këto dy pikëpamje.

 

Përshtati: Rexhep Milaqi

 

Loading...