Emrat dhe atributet e Kuranit fisnik

March 12, 2023

Emrat dhe atributet e Kuranit fisnik.

1- Allahu i ka dhënë Kuranit emra të shumtë, prej tyre: Kuran, Furkan, Kitab, Tenzil, dhe të gjitha këto janë të mbështetura me dëshmi nga Kurani fisnik.

2- Allahu e ka përshkruar Kuranin me përshkrime të shumta në ajetet e tij, prej tyre: Nur (dritë), Huda (Udhëzim), Mauidha (këshillë e mirë), Shifa’a (shërim), Rahmeh (mëshirë), Mubarak (i bekuar), Mubijn (i qartë), Bushra (lajm i mirë), Aziz (i madh dhe i lartë), Mexhid (i madhërishëm), Beshir (përgëzues i lajmit të mirë), Nedhir (paralajmërues), Kerim (fisnik), dhe Ahsenul hadith (fjala më e mirë).

Allahu i Lartësuar kur e përshkruan librin e Tij madhështor, thotë: “Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrënqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre, e mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre kur përmendet Allahu. Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë.” |Ez Zumer: 23|

“Fjalën më të bukur (Kuranin)”, – që do të thotë më i kuptueshmi, më i vërteti dhe më i drejti është Kurani.

“Pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës” në sfidimin e tij, udhëzimin dhe karakteristikat e veçanta që i ngjasojnë njëra-tjetrës në bukurinë e tyre.

“Dhe përsëriten”, – libër në të cilin përsëriten dispozitat, këshillat, ngjarjet dhe normat.

Prej tij u rrënqethet lëkura”, – trazohen dhe dridhen nga goditjet (këshillat) e tij.

“Mandej qetësohen”, – pushojnë në paqe, qetësohen, bëhen të buta dhe jo të tkurrura.

3- Përshkrimet dhe atributet e Kuranit janë përmendur edhe në disa thënie të Profetit, alejhi selam, të cilat kanë dobësi por që kuptimi i tyre është i saktë.

Shembulli i parë: “Ky Kuran është tryeza e Allahut, prandaj mësoni sa më shumë prej kësaj tryeze. Vërtet ky Kuran është; litari i fortë i Allahut, është drita e qartë, është shërimi i dobishëm, mbrojtësi i atij që kapet pas tij dhe shpëtim për atë që e ndjek. Nuk përmban shtrembërime që të korrigjohet dhe as nuk devijon që të drejtohet. Mrekullitë e tij nuk zbehen, e as ëmbëlsia e tij nuk zvogëlohet. Prandaj lexojeni atë, sepse Allahu do t’ju japë dhjetëfishin e shpërblimit për leximin e secilës shkronjë. Unë nuk them se Elif Lam Mim janë një shkronjë, por dhjetë shpërblime për leximin e Elifit, dhjetë për leximin e Lamit dhe dhjetë për leximin e Mimit.”[1]

Shembulli i dytë: “Me të vërtetë do të ndodhin sprova! Unë pyeta: Cila është rrugëdalja nga këto sprova? Ai u përgjigj: Libri i Allahut, Libri i Allahut! Në të ka lajme për ata që jetuan para jush, për atë që do të ndodhë pas jush dhe gjykimi për atë që ndodh mes jush. Kurani është fjalë ndarëse (mes të vërtetës dhe të pavërtetës) dhe nuk është aspak shaka. Cilido kryeneç që nuk vepron me të Allahu ka për ta shkatërruar, dhe kushdo që e kërkon udhëzimin diku tjetër pos Kuranit Allahu ka për ta humbur. Ai është litari i fortë i Allahut, është përkujtimi plot urtësi dhe është rruga e drejtë. Dijetarët nuk ngopen me urtësitë e tij, ëmbëlsia e tij nuk zvogëlohet dhe mrekullitë e tij nuk zbehen. Është përkujtimi të cilin kur e dëgjuan xhinët, thanë: “Vërtet, ne kemi dëgjuar një Kuran të mrekullueshëm dhe mahnitës.” |El Xhin: 1| Është libër i cili kush flet me të thotë të vërtetën, kush gjykon me të ka gjykuar drejt, kush vepron sipas tij ka për t’u shpërblyer, dhe kush fton për tek ai ka ftuar në rrugën e drejtë.[2]

Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”

Përktheu: Fatjon Isufi

——————————————–

[1] E saktësoi Hakimi por e konsideroi të dobët Dhehebiu.

[2] E përcjell Tirmidhiu. Recensuesi i librit “Xhami el Usul” thotë se në zinxhirin e këtij transmetimi ka njerëz që nuk njihen. Ndërsa Shejh Albani arriti në përfundimin se kjo fjalë është e Ali ibën ebi Talib, radiAllahu anhu.

Dosje: ,

Loading...