Ëndrra e Profetit 

February 21, 2022

Ëndrra e Profetit  – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!

Semurah bin Xhundub – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – transmeton se Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – u thoshte shpesh shokëve të tij: A ka parë ndonjëri prej jush ndonjë ëndërr? – dhe i tregonte ai që donte Allahu t’i tregonte, derisa një ditë tha: Më erdhën sot dy veta, më ngritën e më thanë: Nisu! Dhe unë u nisa me ta. Kaluam pranë një burri të shtrirë ndërsa një tjetër i rrinte te koka me një shkëmb në dorë, dhe i’a hidhte shkëmbin në kokë e atij i çahej koka. Shkëmbi rrokullisej në një anë e ai shkonte pas shkëmbit dhe e merrte përsëri. Nuk kthehej tek tjetri derisa koka e tij ishte shëruar ashtu siç ishte, pastaj ai kthehej dhe bënte me të siç bëri herën e parë. – U thashë atyre të dyve: Subhanallah! Kush janë këta të dy? – Ata (shoqëruesit e mi) më thanë: Vazhdo, vazhdo!

E kështu vazhduam të ecnim derisa arritëm pranë një burri të shtrirë me shpinë përtokë, ndërsa një tjetër i rrinte sipër me një çengel[1] prej hekuri në dorë. Ai i’a vendoste çengelin në njërën anë të faqes dhe i’a shqyente nofullën deri në qafë, edhe hundën e tij deri në qafë, edhe syrin e tij i’a shqyente deri pas kokës, pastaj kthehej nga krahu tjetër dhe bënte me të njësoj siç bëri me anën e parë. Sa mbaronte me njërën anë shërohej krahu tjetër dhe bëhej ashtu siç ishte në fillim, pastaj i’a bënte përsëri të njëjtën gjë. – Thashë: Subhanallah! (I patëmeta është Allahu, shprehje që thuhet në raste habie) Kush janë këta të dy?! – Më thanë: Vazhdo, vazhdo!

Vazhduam më tutje derisa arritëm përpara diçkaje si furrë. – Thotë (transmetuesi): Mendoj se tha: Aty kishte shumë zhurmë dhe zëra. – pastaj tha: Kur vështruam në të, pamë burra dhe gra të zhveshura të cilëve u vinte një flakë nga poshtë. Kur u vinte flaka ata bërtisnin. – Tha (Profeti alejhi selam) U thashë atyre të dyve: Kush janë këta?! – Ndërsa ata ma kthyen: Vazhdo, vazhdo!

Vazhduam derisa arritëm tek një lumë, – mendoj se tha – i kuq si gjaku. Në lumë ishte një njeri që notonte, ndërsa në bregun e lumit një burrë kishte grumbulluar shumë gurë. Ai që ishte në lumë notonte sa notonte pastaj vinte tek ai që kishte grumbulluar gurët dhe hapte gojën, e ai tjetri i hidhte një gur në gojë. Pastaj ai nisej e notonte, pastaj kthehej përsëri tek ai. Sa herë që kthehej tek ai hapte gojën dhe ai i hidhte një gur në gojë. U thashë dy shoqëruesve të mi: Kush janë këta të dy? – Më thanë: Vazhdo, vazhdo!

Tha: Vazhduam të ecnim derisa arritëm pranë një burri me pamje të shëmtuar, si burri me pamje më të shëmtuar që mund të kesh parë ndonjëherë. Ai ishte pranë një zjarri që e mbante të ndezur (kujdesej për të) dhe sillej rreth tij. Tha: U thashë atyre të dyve: Kush është ky? – Më thanë: Vazhdo, vazhdo!

Tha: Dhe vazhduam të ecnim derisa arritëm pranë një kopshti të errët (nga gjelbërimi i shumtë) ku në të shikoje të gjitha ngjyrat (lulet) e Pranverës. Në mes të atij kopshti ishte një burrë shtatlartë, gati mezi ja shihja kokën nga gjatësia e shtatit të tij lartë në qiell. Përreth atij burri ishin aq shumë fëmijë sa s’kisha parë ndonjëherë. Tha: U thashë: Kush është ky? – Më thanë: Vazhdo, vazhdo!

Tha: Vazhduam të ecnim derisa arritëm tek një kopësht madhështor, nuk kam parë ndonjë kopësht më të madh dhe më të bukur se ai. Më thanë: Ngjitu aty. – Atëherë u ngjitëm në të derisa arritëm në një qytet të ndërtuar nga një tullë prej ari e një tullë prej argjendi. Kur arritëm te porta e qytetit kërkuam të na e hapnin dhe porta na u hap. Hymë aty dhe përpara na dolën disa burra, gjysmën e trupit të tyre e kishin në pamjen më të bukur që ke parë ndonjëherë ndërsa gjysmën tjetër në pamjen më të shëmtuar që mund të kesh parë ndonjëherë. Tha: (Dy shoqëruesit e mi) U thanë atyre: Shkoni dhe hidhuni tek ai lumi! – Ishte një lumë i gjerë me ujë të rrjedhshëm, me ujë borë të bardhë si qumështi. Atëherë ata shkuan dhe u hodhën në të, pastaj u kthyen tek ne dhe u kishte ikur pamja e shëmtuar që kishin dhe ishin bërë në pamjen më të bukur.

Pastaj ata (shoqëruesit e mi) më thanë: Ky është Xheneti i Adnit dhe ai atje është vendi yt në të.  Atëherë shikimi im u ngrit lart dhe pashë një kështjellë si re e bardhë. – Më thanë: Kjo është shtëpia jote. – U thashë: Allahu j’u dhëntë mirësi, më lejoni të futem në të. – Më thanë: Tani nuk futesh dot, por ti do të futesh aty padyshim. – U thashë: Unë sonte kam parë gjëra të çuditshme! Ç’është gjithë kjo që kam parë?! – Atëherë më thanë:

Ne do të të tregojmë. Sa i takon atij burrit të parë që i’u afruam dhe që i çahej koka me gurë, ai ishte njeriu që i erdhi Kurani por ai e refuzoi atë dhe fjeti në kohën e namazit të obliguar.
Sa i takon atij burrit që i’u afrove dhe që i shqyhej nofulla deri pas qafës, dhe hunda deri pas qafës, dhe syri deri pas qafës, ai ishte njeriu që dilte nga shtëpia e tij dhe thoshte një gënjeshtër e cila shpërndahej në të katër anët e horizontit.

Ndërsa ata burrat dhe gratë e zhveshura të cilët ishin tek ajo ndërtesë në formën e furrës, ata ishin imoralët dhe imoralet (të përdalët dhe të përdalat).
Sa i takon atij burrit që i’u afrove dhe notonte në lumë e i hidhej gurë në gojë, ai ishte njeriu që hante pasurinë me kamatë (sh.p. me kredi, me interes bankar).
Sa i takon atij njeriut me pamje të shëmtuar që qëndronte pranë zjarrit dhe kujdesej për të dhe sillej rreth tij, ai është Maliku, rojtari i Xhehenemit.
Ndërsa ai burri i gjatë që ishte në mesin e atij kopshtit, ai ishte Ibrahimi – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Ndërsa fëmijët që ishin pranë tij ishin të gjithë fëmijët që kanë vdekur në natyrshmërinë e pandryshuar (sh.p. ashtu siç i ka krijuar Allahu në Islam). – Tha (transmetuesi): Dikush prej muslimanëve tha: O i Dërguar i Allahut, po fëmijët e idhujtarëve? – I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – tha: Edhe fëmijët e idhujtarëve. Ndërsa ata që ishin gjysëm të bukur dhe gjysëm të shëmtuar ishin njerëz që përzienin një punë të mirë me një punë të keqe, dhe Allahu ua fali atyre.”[2]

Ibn Haxheri thotë: Do të vijë në fund të hadithit sqarimi se ata të dy ishin Xhibrili dhe Mikaili.

Thotë Ibn Haxheri: Taberani ka transmetuar me zinxhir të mirë nga Ebu Umameh i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut (alejhi selam) doli përpara nesh pas namazit të sabahut dhe tha: Unë pashë një ëndërr sonte dhe ajo është e vërtetë (prej Allahut), prandaj mbajeni mend. – Dhe përmendi hadithin që kishte përmbajtje të ngjashme me atë të hadithit të Semurah, por nga konteksti duket se është hadith tjetër sepse në fillim të tij thotë: “Më erdhi një burrë dhe më kapi për dore dhe më kërkoi që të shkoja pas tij, derisa erdhëm tek një mal i lartë dhe i thepisur. Më tha: Ngjitu! – i thashë: Nuk ngjitem dot. – më tha: Unë do të t’a bëj të lehtë. – Atëherë sa herë që vendosja këmbën e vendosja në një shkallë, derisa arrita në majë të malit. Pastaj u nisëm dhe pamë disa burra dhe gra me nofulla të shqyera. – I thashë: Kush janë këta?! – Më tha: Këta janë ata që flasin atë për të cilën nuk dinë asgjë. ”
“Fe’hul Barij” (12/460).

(Sh.p.: Kjo ka dy kuptime: Ose dëshmojnë për diçka që s’e kanë parë, ose flasin pa dije në fenë e Allahut.)

Po ashtu nga shtesat e hadithit të Ebu Umameh (me zinxhir të mirë) që s’kanë ardhur tek hadithi i mësipërm, thuhet: “Pastaj u nisëm, derisa përpara na dolën disa burra dhe gra me pamjen më të shëmtuar, dhe me erën më të qelbur, era e tyre ishte si era e banjove. – Thashë: Kush janë këta?! – Tha: Këta janë të përdalët dhe të përdalat.
Pastaj vazhduam derisa arritëm tek disa të vdekur të fryrë sa s’ka dhe me erën më të qelbur!
– Thashë: Kush janë këta? Më tha: Këta janë të vdekurit prej pabesimtarëve.
Pastaj vazhduam të ecnim derisa arritëm pranë disa njerëzve që flinin nën hijet e pemëve.
– Thashë: Kush janë këta? Më tha: Këta janë të vdekurit prej muslimanëve.
Pastaj vazhduam derisa arritëm pranë disa burrave me fytyrat më të bukura dhe me aromat më të këndshme.
– I thashë: Kush janë këta? Më tha: Këta janë të sinqertët, dëshmorët, dhe të devotshmit.”

Po ashtu, nga shtesat që kanë ardhur tek hadithi i Ebu Umame është fjala e tij – alejhi selam-: “Pastaj kaluam pranë disa fëmijëve që luanin mes dy lumenjve. – I thashë: Kush janë këta? – Më tha: Këta janë fëmijët e besimtarëve”.

Thotë Ibn Haxheri: Ky hadith tregon se ngritja në qiell ka ndodhur disa herë, zgjuar dhe në gjumë (në ëndërr), dhe në vende të ndryshme.  (12/466)  

—————————————————-

[1] Sh.p.: Grep i trashë hekuri me majë të kthyer që përdoret për të varur diçka në të, grremç hekuri, ganxhë.

[2] I saktë, e transmeton Buhariu (7047).

Dosje:

Loading...