Është penduar por posedon pasuri të marra padrejtësisht

Një person ua merr pasurinë të tjerëve padrejtësisht dhe i shpenzon në gjëra të ndaluara, pastaj e udhëzon Allahu i Lartësuar dhe pendohet dhe nuk i ka mbetur më asgjë nga ajo pasuri haram. Çfarë gjykimi ka për të?

Bëhet fjalë për dikë që ishte i humbur – Allahu na ruajtë – dhe e udhëzoi Allahu i Lartësuar. Ai ishte i mangët jo vetëm kundrejt Allahut por edhe kundrejt njerëzve, të cilëve ua ka marrë pasurinë në mënyrë të ndaluar (me mashtrime, vjedhje…). Pastaj pasi u pendua s’kishte më gjë nga kjo pasuri. Pendimi i tij është i saktë me kusht që të jetë bërë pishman. Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – thotë në hadithin që e përcjell prej tij Abdullah ibn Mes’udi: “Pishmanllëku është pendim.”

Gjithashtu, është kusht që të vendosë të mos i kthehet më atij gjynahu. Nëse pendimi lidhet me të drejtat e njerëzve duhet që atyre t’u kthehen të drejtat. Prandaj, është detyrë për të që të pohojë dhe t’u sqarojë njerëzve që u ka bërë padrejtësi se ata kanë të drejta tek ai, dhe se ai s’ka mundësi t’ua kthejë ato. Po të kishte pasuri ai do të ishte si borxhliu i cili mban aq sa i nevojitet dhe me pjesën tjetër shlyen borxhin. Ky njeri ka përgjegjësi dhe borxh që t’ua kthejë pasuritë njerëzve që ua ka marrë padrejtësisht duke u kërkuar hallallin, dhe nëse i’a bëjnë hallall ai çlirohet nga përgjegjësia. Ose u thotë të zotëve të pasurisë: ‘Unë u kam borxh kaq pasuri, kur të kem mundësi do t’ua shlyej.’  Nëse nuk vepron kështu nuk i pranohet pendimi.

Domethënë që nuk i pranohet pendimi plotësisht. Kur dijetarët trajtojnë temën e pendimit thonë se pendimi ndahet në disa pjesë. Kjo do të thotë se gjynahqari dhe ai që vazhdon në gjynahe – sipas pasuesve të sunetit – nuk është pabesimtar. Kush thotë se pendimi nuk pranon ndarje? Ai që e nxjerr muslimanin nga feja për shkak të gjynahut. Kush e nxjerr tjetrin nga feja për shkak të gjynahut thotë se pendimi nuk pranon ndarje ne pjesë. E vërteta është se kur njeriu ka disa gjynahe, pendohet nga disa prej tyre dhe vazhdon t’i veprojë disa të tjera, a i’a pranon Allahu i Lartmadhëruar pendimin për ato që u pendua prej gjynaheve? Po. Përse? Mbi bazën e asaj se pendimi ndahet në pjesë të veçanta dhe se muslimani nuk del nga feja kur bën gjynah.

A nuk gjenden në mesin e atyre që falen disa që i hanë padrejtësisht pasuritë e të tjerëve? Gjenden. Po mirë, ky që vepron kështu a i pranohet namazi? A i pranohet pendimi? I pranohet pendimi (po ashtu edhe namazi). Ajo që kam për qëllim është se pendimi ndahet në pjesë dhe se ky njeri që të quhet i penduar plotësisht duhet të pranojë ato që u ka bërë njerëzve. Duhet të jetë i vendosur që kur të ketë pasuri t’ua kthejë atyre që ua ka marrë (sh.p. në rast se ata nuk i’a bëjnë hallall). Allahu i Lartësuar e di më së miri!”

 

Shejh Meshhur Hasen (Allahu e ruajtë).
21.12.2018