Falënderimi për mirësitë, çështje e lehtë?!

October 15, 2025

Falënderimi për mirësitë, çështje e lehtë?!


Hasen el Basrij – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:

“Nuk ka njëri që i sheh mirësitë e Allahut mbi të dhe thotë : ‘Elhamdu lil lah el ledhi bi ni’metihi tetimmus salihat” ( Falënderimi i takon Allahut, me mirësinë e të Cilit arrihen gjithë të mirat e kësaj bote e të tjetrës), veçse do ta pasurojë Allahu i Lartësuar (ose: do ta bëjë të mos ketë nevojë për askënd), dhe do tja shtojë mirësitë.”

“Hiljetul eulija” (1857).

Ndërsa Ibn Ata – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: “Kush nuk falënderon për mirësitë, i është paraqitur rrezikut të zhdukjes së tyre, ndërsa ai që falënderon për to i ka lidhur ato fort me litarin e tyre.”

Habitesh?! Mos u habit. Allahu i Lartësuar dhe i Lavdëruar ka thënë: “Nëse falënderoni do tua shtoj, e nëse i mohoni ato, dënimi Im është i dhembshëm” (Ibrahim)

Çfarë është mirësi? Çdo të mirë që zotëron: Besim të saktë, shëndet, rehati, shtëpi, familje, fëmijë, dituri, pasuri, çdo ditë që shikon, dëgjon, ecën, pa dhimbje ose me dhimbje të lehta… ku i numërojmë dot…!? Të ta them edhe një tjetër të madhe? Mbulimi i turpeve, gjynaheve, derisa ta demaskosh vet veten me këmbëngulje në to dhe me mungesë pendimi dhe kërkimfalje!

I ke të gjitha nga Zoti!

Argument për këtë?

Kur të ikin, të gjitha ia kërkon Zotit tënd! Kur i ke, nuk ua di vlerën sa duhet.

Prapë Haseni – Allahu qoftë i kënaqur me të – ka thënë: “Kush nuk i shikon mirësitë e Allahut ndaj tij veçse ushqimet, ato që pi, ato që vesh, dituria e tij është e pakët, dhe dënimi i tij është afruar!”

Si mbyllet kjo?

Me duanë profetike të begatë – si çdo lutje që kemi në këtë sunet të shpallur nga Allahu i Gjithëmëshirshëm, e që ne i neglizhojmë fort – : “O Allah më ruaj nga ikja e mirësive të Tua, nga ndërrimi i shpëtimit (me mundime), nga hakmarrja jote e befasishme, dhe nga i gjithë zemërimi Yt.”

Amin ja Halim!

Emin Bilali

Dosje: ,

Loading...