Falja e dy rekateve të hyrjes në xhami afër kohës së ikametit

August 23, 2025

Nëse dikush hyn në xhami dhe ikameti është afër, a është më mirë të fillojë me namazin nafile apo të presë ikametin?

Më e mira është të presë dhe të mos fillojë me namazin nafile.

Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Duhet thënë se nuk është e pëlqyeshme të fillohet një namaz nafile kur ka gjasa të forta që për shkak të tij t’i kalojë fillimi i namazit me imamin. Përkundrazi, lënia e nafiles në këtë rast për të arritur fillimin e namazit me imamin apo për t’iu përgjigjur thirrjes së muezinit është ajo që kërkohet.”

“Sherh umdetul fikh” 2/623.

Shejh Ibn Uthejmini është pyetur rreth asaj që bëjnë disa njerëz, të cilët kur hyjnë në xhami afër kohës së ikametit qëndrojnë duke pritur ardhjen e imamit e nuk falin dy rekate të namazit të hyrjes në xhami.

Cili është gjykimi për këtë vepër?

Ai u përgjigj duke thënë: “Nëse koha është e shkurtër atëherë nuk ka problem që të presin.

Por nëse nuk e dinë se kur do të vijë imami, atëherë më e mira është të falin dy rekatet e xhamisë.

Pastaj, nëse imami vjen dhe thirret ikameti ndërkohë që ti je në rekatin e parë, atëherë ndërprite namazin, e nëse je në rekatin e dytë atëherë përfundoje shpejt.”

 

Marrë nga libri: “Mexhmu fetaua Ibn Uthejmin” 13/15.

Përktheu Fatmir Strumi

Dosje: ,

Loading...