Nuk lejohet falja e namazit farz (obligativ) në makinë, avion, tren dhe mjete të ngjashme nëse namazliu nuk mundet të drejtohet nga kibla dhe të falet në këmbë, përveç dy rasteve:
1-Kur i druhet kalimit të kohës para se të mbërrijë në destinacion. Ndërsa kur ai e di që do të mbërrijë në destinacion para se të kalojë koha, atëherë duhet të presë derisa të zbresë dhe pastaj të falet.
2-Kur nuk e ka mundësinë për të zbritur që të falet në tokë. E nëse e ka mundësinë, atëherë duhet që të zbresë dhe të falet në tokë.
Nëse këto dy kushte janë të pranishme, atëherë lejohet që namazi të falet në mjetet e lartpërmendura. Argument për këtë është përgjithshmëria e fjalëve të Allahut: “Allahu nuk ngarkon askënd përtej mundësisë.” | El Bekare: 286.
“Kini frikë Allahun aq sa mundeni.” | Et Tegabun: 16. “Ai nuk ka vendosur për ju vështirësi në fe.” | El Haxh: 78.
Nëse dikush pyet: Përderisa më lejohet të falem në këto mjete të transportit, a duhet të drejtohem nga kibla dhe a bën të falem ulur kur e kam mundësinë që të falem në këmbë?
Përgjigja: Nëse mundesh të drejtohesh nga kibla gjatë gjithë namazit, atëherë duhet të drejtohesh drejt saj, sepse ajo është kusht për vlefshmërinë e namazit në udhëtim dhe jashtë udhëtimit.
E nëse nuk drejtohesh dot gjatë gjithë namazit, atëherë qëndro drejt kibles për aq kohë sa ke mundësi.
Kjo që thamë lidhet me farzin, ndërsa sa i takon nafiles (namazi fakultativ) çështja e saj është më elastike. Kështu që muslimani e ka të lejuar ta falë nafilen (namazin vullnetar) në mjetet e lartpëmendura edhe nëse nuk është në drejtim të kibles, edhe nëse mundet të zbresë. Sepse Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem falej mbi kafshën e udhëtimit ngado që të drejtohej. Xhabiri ka transmetuar se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem falte nafile mbi kafshën e udhëtimit edhe kur nuk ishte në drejtim të kibles. (Buhariu 1094) Mirëpo më e mira është që fillimi i namazit nafile të jetë drejt kibles.
Ndërsa namazi farz ulur në mjetin e transportit kur njeriu mundet të falet në këmbë, nuk lejohet, sepse Allahu i Madhëruar ka thënë: “Qëndroni në këmbë para Allahut të përulur.” | El Bekare: 238.
Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: ”Falu në këmbë, e nëse nuk mundesh falu ulur, e nëse nuk mundesh falu shtrirë.” (Buhariu 1117)
Marrë nga libri: “Fetaua lexhneh ed daimeh” 8/126.
Përktheu: Rexhep Milaqi
Dosje: mjete transporti, namazi
Të Ngjashme
- Pozita e Namazit të Sabahut dhe 10 shpërblimet e tij Udha e Besimtarëve
- Qëndrimi në xhami është adhurim dhe shpërblim i madh Dr. Fatmir Strumi
- Flaka e mëkateve dhe freskia e namazit Udha e Besimtarëve
- Namazi; barrë apo qetësi shpirtërore Dr. Fatmir Strumi
- Pse nuk u caktuan të gjitha namazet në një kohë të vetme? Udha e Besimtarëve