Shejhul Islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë:
Shumë njerëz duan apo urrejnë dikë për shkak të disa mendimeve që nuk bazohen në argumente fetare, pa e ditur kuptimin e as argumentin e tyre.
Biles ata miqësojnë ose armiqësojnë njerëzit për shkak të disa termave që as nuk janë të transmetuara në mënyrë të saktë nga Profeti ﷺ apo nga gjeneratat e para të këtij umeti, e aq më tepër duke mos kuptuar domethënien e tyre e as çfarë nënkuptohet nga to.
Kjo ndodh për shkak të kapjes pas disa termave që nuk janë përmendur në Kuran apo në Sunet, duke i shndërruar ato në “medh’hebe” në të cilat thërrasin e duke ndërtuar mbi to miqësinë dhe armiqësinë.
Ndërkohë feja islame ndërtohet mbi tri shtylla të sigurta:
1) Libri i Allahut (Kurani).
2) Suneti i të Dërguarit të Tij ﷺ.
3) Konsensusi (ixhmaja) i umetit.
Ndërsa në çështjet për të cilat ka mospajtim detyra e besimtarëve është t’i kthehen Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij ﷺ.
Askush nuk ka të drejtë të caktojë ndonjë individ përveç të Dërguarit të Allahut ﷺ e t’i thërrasë njerëzit në ndjekjen e tij, duke ndërtuar miqësi apo armiqësi në emër të tij.
Po ashtu, askush nuk ka të drejtë të imponojë ndonjë fjalë apo mendim mbi muslimanët duke i miqësuar apo armiqësuar ata në bazë të saj, përveç fjalës së Allahut, fjalës së të Dërguarit të Tij ﷺ dhe asaj që është pranuar në mënyrë unanime nga umeti.
Kjo metodologji e ndërtuar mbi ndjekjen e ndonjë individi apo mendimi të caktuar është rruga e pasuesve të bidateve, të cilët e përçajnë umetin duke u lidhur pas një mendimi apo individi dhe duke i ndarë të tjerët në miq dhe armiq në bazë të kësaj lidhjeje.
Marrë nga libri: “Mexhmuul fetaua” 20/163.
Përktheu: Fatmir Strumi
Dosje: Fanatizmi mbas dijetarëve