Feja është këshillë

December 22, 2015

Nga Temim ed Dari – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – transmetohet se ka thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të : Feja është këshillë, feja është këshillë, feja është këshillë. – Thanë – Për kë o i Dërguari i Allahut? – tha – Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për drejtuesit e muslimanëve dhe për mbarë muslimanët.” Transmeton Muslimi ( hadithi:55)[1]

E përsëriti Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – këtë fjali tri herë, për t’i dhënë rëndësi çështjes dhe për ta orientuar ummetin që ata ta dinë me një dije që s’ka dyshim në të se: feja e gjitha, – ana e jashtme dhe e brendëshme e saj – është përmbledhur tek këshilla (en-nesihah), e cila është: dhënia e hakut në mënyrë të plotë këtyre pesë detyrimeve.

Këshilla për Allahun: është pranimi i njëshmërisë së Allahut dhe veçimit të Tij me cilësitë e plota në një mënyrë  që nuk i bashkohet Atij askush në to, në asnjë lloj forme. Dhe realizimi i njësimit të Tij haptas dhe fshehtas. Dhe kthimin tek Ai në çdo kohë me adhurim dhe duke kërkuar prej Tij me shpresë dhe frikë, me pendim të vazhdueshëm dhe ‘istighfar’ kërkim-falje të përhershme. Kjo sepse robi pashmangshëm do të ketë lëshime dhe mangësi në diçka prej detyrimeve që ka ndaj Allahut, apo do të guxojë ndaj disa harameve (ndalesave). Prandaj pendimi i vazhdueshëm dhe kërkimi i faljes pandërprerë, i plotëson mangësitë e tij dhe i plotëson punët dhe fjalët e tij.

Sa i takon këshillës për Librin e Tij: ajo bëhet duke e mësuar atë (Kuranin) përmendësh dhe duke  medituar rreth tij. Gjithashtu këtu hyn mësimi i fjalëve të tij dhe kuptimeve që ato kanë, dhe përpjekjes për të punuar me të në veten e tij dhe me të tjerët.
[Sh.p.: Ka thënë dijetari i madh Ibn Dekik el Iid: “Këshilla për Librin e Allahut bëhet së pari duke  besuar se ai është  fjala e Allahut dhe shpallje prej Tij, dhe se ai nuk ngjan me fjalët e njerëzve dhe njerëzit nuk sjellin dot një si ai, pastaj madhërimi i tij dhe leximi i tij me texhuiid (rregullat e leximit të Kuranit)…” (Sherh el erbeiine en-neueuijeh/hadithi shtatë)]

Për sa i takon këshillës për të Dërguarin e Tij: ajo është: ta besosh dhe ta duash atë dhe t’i japësh përparësi dashurisë së tij ndaj dashurisë për veten, pasurinë dhe fëmijët. Gjithashtu këtu hyn pasimi i tij në themelet e fesë dhe degët e saj, dhe t’i japësh përparësi fjalës së tij ndaj fjalës së kujdto tjetër dhe të përpiqesh të udhëzohesh me udhëzimin e tij dhe ta ndihmosh fenë e tij.

 

[Thotë Ibn Dekik (këtu hyn edhe): “…armiqësimi i atij që e armiqëson atë (Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ) dhe ta duash atë që e do atë, madhërimi dhe respektimi i tij (Profetit, alejhis selam) dhe ringjallja e rrugës dhe sunetit të tij…

Përhapja e sunetit të tij dhe largimi i akuzave ndaj tij (sunetit) dhe dhënia përparësi mësimit të dijeve të tij dhe të kuptuarit të tyre, ftesa për tek ato dhe butësia gjatë mësimdhënies së tyre… dhe të mos flasësh rreth tij (sunetit) pa dije,  madhërimi i dijetarëve të tij (dijetarëve të sunetit) dhe largimi nga ai që shpik në sunetit e tij, apo nga ai që shan apo ofendon dikë nga sahabet e tij apo familjen e tij.”]

Sa i takon këshillës për udhëheqësit e muslimanëve – të cilët janë drejtuesit e punëve të tyre, duke filluar që nga drejtuesi i shtetit e me rradhë ata që janë nën të: ministra, gjykatës dhe deri te kushdo që ka pushtet të përgjithshëm apo të kufizuar -, këshilla ndaj tyre bëhet duke e pranuar pushtetin e tyre, duke i dëgjuar ata, duke treguar bindje ndaj tyre dhe duke i nxitur njerëzit për këtë. Po ashtu duke i orientuar dhe duke ua tërhequr vëmendjen atyre (pushtetarëve) për çdo gjë që u bënë dobi atyre dhe njerëzve dhe duke u dhënë atyre hakun që kanë kundrejt teje.

[Sh.p.: Kuptohet që këshillimi i imamit (drejtuesit, pushtetarit) bëhet në fshehtësi dhe jo para njerëzve, dhe këshillën nuk e jep kushdo, por dijetarët e ummetit, të cilët dinë si të këshillojnë në mënyrën më të mirë, ashtu si na ka mësuar Profeti – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të. Në mënyrë  që ajo (këshilla) të zërë vend më mirë dhe të mos bëhet shkak për ngritjen e njerëzve kundër  tij e për pasojë  të ndodhin trazira në vend.

Siç ka vepruar  njëri prej sahabëve me Uthmanin kur e këshilloi atë veçmas, larg nga njerëzit -radijallahu anhum exhmeiin – (Allahu qoftë i kënaqur prej atyre të gjithëve). Po ashtu kanë thënë disa dijetarë të selefit se: prej këshillës ndaj udhëheqësve është edhe duaja (lutja) për ta, që Allahu t’i udhëzojë dhe tu bëjë rizk (tu mundësojë) këshilltarë besnikë. Në këtë kuadër është edhe fjala e njërit prej tyre (selefëve) që thotë: “Sikur të kisha një dua të pranuar do ta bëja për drejtuesin e shtetit”, kjo sepse nëse rregullohet ai rregullohet shteti dhe njerëzit, dhe e kundërta sjell të kundërtën. Prandaj: O Zoti ynë rregulloji drejtuesit tanë dhe udhëzoji ata në çka Ti kënaqesh!

Po ashtu nga haku i tyre është: “Mos të ngrihesh kundër  tyre me shpatë dhe t’i përkujtosh (këshillosh) ata me butësi dhe mirësjellje”. Libri i lartpërmendur, në të njëjtin vend.]

Për sa i përket këshillës ndaj mbarë muslimanëve: ajo bëhet duke dashur për ta atë që do për veten  e tij dhe të urrejë për ta atë që e urren për veten e tij. Dhe të përpiqet për këtë me aq sa ka mundësi, sepse ai që me të vërtetë e do diçka përpiqet për të deri sa ta realizojë dhe ta përsosë.

 

[Sh.p.: Thotë Ibn Dekik el Iid (te kjo hyn edhe) “…mbulimi i (fshehja e) turpeve të tyre…dhe urdhërimi i tyre për mirë dhe ndalimi nga e keqja me butësi dhe sinqeritet,  dhe të ketë për ta dhembsuri, dhe ta respektojë të madhin prej tyre dhe ta mëshirojë të voglin, dhe t’i përkujtojë ata me këshillë të dobishme kohë pas kohe,  dhe të mos i mashtrojë ata,  dhe të mos i ketë zili (smirë)… dhe t’i mbrojë pasuritë dhe nderin e tyre”]

Pra Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – e shpjegoi këshillën me këto pesë gjëra, të cilat përmbledhin zbatimin e detyrimeve ndaj Allahut, detyrimeve ndaj Librit të Tij, detyrimeve ndaj të Dërguarit të Tij dhe detyrimeve kundrejt muslimanëve me llojet e ndryshme të shtresave dhe pozitave të tyre. Dhe kështu përfshiu gjithë fenë dhe nuk mbeti gjë veçse ka hyrë në këtë hadith përmbledhës, gjithpërfshirës. Dhe Allahu e di më mirë.

[Sh.p.: Dhe thotë Ibn Dekik në fund të shpjegimit të këtij hadithi: “Këshilla është farz kifaje, që do të thotë se nëse e kryen këtë detyrë dikush në mënyrë  të mjaftueshme, bie detyrimi nga të tjerët dhe ajo është detyrë sipas mundësisë.”]

 

Behxhetu kulubil Ebrar

Autor: Dijetari i madh Abdurrahman ibn Nasir es-Sa’dij.

Përktheu Emin Bilali

 

[1] Veçse pa shprehjen “Feja është këshillë”  (e përsëritur) tre herë.Në këtë formë, ka ardhur tek Suneni i Ebu Daudit (4944), tek Tirmidhiu (1926) dhe Nesaiu (7/157).

Dosje:

Loading...